Ndërlidhjet

Fillon numërimi mbrapsht për Euro 2012


Euro 2012
Euro 2012

Tifozët e futbollit do ta ndjejnë shijen e parë të ngazëllimit për Euron 2012 të mërkurën, kur ekipet, që do të shfaqen në Kampionatin Evropian të Futbollit do të mbajnë ndeshje miqësore.

Dy organizatorët, Ukraina do të luajë kundër Izraelit dhe Polonia kundër Portugalisë.

Nga të dy shtetet mikpritëse, ka shumë pritje, si për gjendjen infrastrukturore, ashtu edhe për kualitetin e ekipeve të tyre.

Kur kanë mbetur 100 ditë deri në hapjen e turneut evropian, më 8 qershor në Vrashavë, në mes të Polonisë dhe Greqisë, zyrtarët e UEFA-s ende po shprehin shqetësimin se organizatorët nuk kanë bërë mjaft për të adresuar çështjet si inflacionin e çmimeve dhe shërbimet e dobëta.

Stadiumi në Ukrainë...
Stadiumi në Ukrainë...

Drejtori i operacioneve për Euron 2012, Martin Kallen, tha se përgatitjet për kampionatin nga të dy shtetet “janë nën kontroll”.

Por, ai tërhoqi vërejtjen se Ukraina po rrezikon mundësinë e saj historike në ofrimin e kushteve të favorshme për mijëra tifozë, që do të vërshojnë në ish shtetin sovjetik, gjatë kampionatit gati njëmujor.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Boris Koleshnikov, i cili si ministër i infrastrukturës po i mbikëqyr përgatitjet për Euron 2012, ka trumpetuar ndërtimet në vend dhe modernizimet e katër stadiumeve dhe katër aeroporteve si dhe përmirësimet e sistemit kombëtar rrugor.

Por, Koleshnikov ka bërë me dije se jo të gjithë vizitorët mund të vlerësojnë çmimet në Ukrainë, ku një dhomë hoteli më dy yje në Donetsk mund të kushtojë 278 dollarë për një natë, ndërsa një biletë kthyese aeroplani në mes të Londrës dhe Lvivit mund të kushtojë deri në 830 dollarë

Çmimet janë definitivisht problematike. Por, ne ua kemi tërhequr vërejtjen hoteleve se Evropa nuk është aq e madhe dhe se ka shumë kompani udhëtimi më të favorshme sot. Nga 15 maji deri më 15 korrik do të kemi një program ‘qielli i hapur’(qasje më e lehtë në hapësirën ajrore) për kompanitë që i kanë licencat e duhura. Për më tepër, po bisedojmë me një kompani që ka çmimet më të ulëta dhe mendoj se do t’ia dalim të sigurojmë fluturime të lira në fillim të kampionatit. Hotelet kaq të shtrenjta mund të mbesin gjysmë të zbrazëta”, tha Koleshnikov.

Anëtarja e BE-së, Polonia duket të jetë më atraktive sesa Ukraina, sa i përket standardit jetësor.

Ekipi anglez tashmë ka nxitur kundërthënie me vendimin e tij, që ta vendosë bazën ne qytetin pitoresk polak të Krakovit, me gjithë se tri lojë të grupit të tij mbahen në Ukrainë.

Por, shqetësuese mbetet infrastruktura në Poloni.


Stadiumi në Poloni...
Stadiumi në Poloni...

Zyrtarët thanë se po punojnë për të siguruar objekte më të mira dhe për të lehtësuar procedurat doganore në kufi me Ukrainën.

Dhe mbase, burimi më i madh i shqetësimit vjen nga gjendja e Stadiumit Kombëtar të Varshavës, i ndërtuar posaçërisht për Euro 2012.

Stadiumi sot zhvillon lojën e parë, ku 55 mijë njerëz pritet të marrin pjesë në ndeshjen në mes të Polonisë dhe Portugalisë.

Një ndeshje e Super Kupës Polake në stadium është anuluar në fillim të shkurtit dhe zyrtari përgjegjës për ndërtim është shkarkuar pasi që punët në kryerjen e stadiumit po merrnin 6 muaj më shumë nga sa ishte planifikuar dhe se mungonte sistemi bazik i komunikimit.

Marta Marek, një gazetare sporti e agjencise polake të lajmeve PAP, tha se është bërë mjaft përparim për të mundësuar ndeshjen e sotme.

Por, tash kur ka nisur numërimi së prapthi, ajo thotë se organizatorët nuk mund të jenë të relaksuar.

Në të vërtetë ata ende janë duke punuar. Ka përmirësime, sepse policia ka dhënë lejen, dhe sot mund të luhet ndeshja me Portugalinë. Por, duhet ende shumë gjëra për t’u bërë para fundit të prillit. Ende ka punë në sistemin e komunikimit në stadiumin Kombëtar. Natyrisht se ka skeptikë. Disa njerëz thonë se mund të mos jetë kaq mirë si kanë thënë. Por, zyrtarët, janë të qetë lidhur me këtë. Ata mendojnë se çdo gjë është në rregull”, tha Marek.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG