Ndërlidhjet

Falsifikim formularësh në deklarimin e pasurisë?


Ilustrim
Ilustrim
Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, dhe Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, kanë akuzuar Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka mbrojtur shtatë deputetë, të cilët kanë shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë duke mos deklaruar në mënyrën e duhur pasurinë dhe bizneset e tyre.

Deputetët, për të cilët “Çohu” pretendon se nuk i kanë deklaruar bizneset e tyre apo funksionet në ato biznese, janë Shaip Muja, Agim Kuleta, Hashim Deshishku, Nazane Breca, Sala Berisha-Shala, Teuta Sahatçija dhe Vesimir Saviq.

Siç kanë thënë drejtuesit e këtyre organizatave, pas publikimit të këtyre parregullsive, Agjencia Kundër Korrupsionit, pa fakte ka dalë publikisht në mbrojtje të këtyre deputetëve, duke thënë se të 7 deputetët në fjalë nuk e kanë shkelur ligjin. Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, ka thënë se drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, në këtë rast është munduar që t’i fshehë faktet.

“Drejtori i Agjencisë, në këtë rast është munduar ta fshehë një të vërtetë, dhe me këtë rast ka bërë shpërdorim të detyrës zyrtare. Pasi që ‘Çohu’, ka dalë me këtë deklaratë, Agjencia i ka marrë edhe disa veprime të tjera, për shembull në rastin e deputetit Shaip Muja, agjencia ka ndërhyrë në regjistrin e deklarimit të pasurisë edhe e ka përfshirë kompaninë, të cilën deputeti Muja nuk e ka deklaruar, mirëpo nuk e ka deklaruar datën e deklarimit”, ka thënë Bajrami.

Sipas Bajramit, nga disa dokumente, të cilat i kanë siguruar, bizneset e disa deputetëve kanë qarkullim mbi 100 mijë euro. Kurse, Arton Demhasaj nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, ka thënë se konsideron që drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit ka krijuar një precedent duke lejuar që pas kohe të deklarohet pasuria e zyrtareve publik.

“Me këtë rast zoti Preteni ka krijuar një precedent që në të ardhmen mund të jetë shumë i rrezikshëm, sepse ai ka lejuar që të shkelen të gjitha afatet ligjore, ka lejuar që zyrtarë të lartë publikë të deklarojnë pasuritë jashtë të gjitha afateve që i parasheh Ligji për deklarim të pasurisë. Kjo nënkupton që edhe në të ardhmen, edhe në vitet të tjera disa zyrtarë që nuk i deklarojnë bizneset në kohën e caktuar, munden pas kohës t’i deklarojën prapë. Kjo ka krijuar një precedent shumë të dëmshëm për agjencinë”, është shprehur Demhasaj.

Mirëpo, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e përfaqësuesve të këtyre organizatave joqeveritare nuk qëndrojnë. Për më tepër, Preteni ka deklaruar se këto publikime dhe konferenca për media të tyre janë një shantazhe për të dhe asgjë më shumë.

Hasan Preteni
Hasan Preteni
“E gjithë kjo them se po bëhet për çështje mediale për çështje publikimi, çështje të arsyetimit të mjeteve që i marrin dhe me këtë rast kanë manipuluar me një deklaratë të 12 tetorit - e publikojnë pas 4 muajve dhe kjo është që qëllimi të jetë medial dhe kjo nuk na shpie askund. Është një shantazh i radhës dhe nuk absolutisht asgjë të vërtetë lidhur me këtë”, ka deklaruar Preteni për Radion Evropa e Lirë.

Preteni ka shpjeguar se institucioni, të cilin e drejton, pas deklarimit të pasurisë që kanë bërë zyrtarët e lartë, ka iniciuar hetime për më shumë se 70 persona, pasi që, sipas tij, është dyshuar se ata nuk e kanë deklaruar gjithë pasurinë.

“Ne kemi treguar se jo vetëm 10, po ne i kemi hetuar për mosdeklarim të plotë të pasurisë 77 raste. Në mesin e atyre 77, 73 kanë bashkëpunuar, katër i kemi dërguar në gjykatë për mosbashkëpunim –ose mosplotësim të dokumentacionit/formularit, ashtu siç duhet. Kështu që mund të them se është një manipulim i radhës”, ka sqaruar Preteni.

Në anën tjetër, me vetë faktin se një biznes është i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, çdo zyrtar i lartë publik është i obliguar, me Ligjin për deklarimin e pasurisë, që ta deklarojë atë biznes edhe nëse vlera e qarkullimit të tij është zero, apo edhe nëse nuk ka asnjë aktivitet biznesor.

Sipas ligjeve në fuqi, çdo biznes është aktiv deri në momentin kur pronari i biznesit aplikon në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe plotëson kushtet e parapara për ta çregjistruar.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme bëhet vetëm te personat që kanë kryer ndonjë vepër të rëndë penale, ndërkaq nuk ka mekanizëm ligjor, me anë të të cilit do t’i nënshtroheshin verifikimit të pasurisë të gjithë ata që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre.
XS
SM
MD
LG