Ndërlidhjet

Edhe Prishtina të kushtëzojë!


Mitrovicë (foto arkiv).
Mitrovicë (foto arkiv).
Pas kërkesave të vazhdueshme nga vendi e bota që Beogradi të heqë dorë nga strukturat paralele në veri të Kosovës, opozita vlerëson se u takon edhe autoriteteve kosovare të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zhbërjen e strukturave, të cilat, siç thuhet, që nga paslufta po e mbajnë në status-quo veriun e vendit.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se Prishtina zyrtare do të duhej të shfrytëzonte periudhën kur është shtuar presioni ndërkombëtar për ta kushtëzuar vazhdimin e dialogut me Serbinë me zhbërjen e strukturave paralele në veri.
Skënder Hyseni
Skënder Hyseni

“Kosova do të duhej të kërkonte nj pauzë në dialog dhe t’i kërkonte Beogradit zhbërjen e strukturave të paligjshme para se ai dialog do të mund të fillonte”, shprehet Hyseni.

Propozimin për një kushtëzim, të cilin do të duhej t’ia bënte Bashkimi Evropian shtetit serb e dha në seancën e së mërkurës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ministri i Jashtëm i vendit, Enver Hoxhaj.

Ai tha se në rast se Serbisë i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, “situata e status quo-së në tri komunat veriore të Kosovës do të transformojë në një konflikt të ngrirë; marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik nuk do të zbatohen; dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë të ardhme”.

Në kohën kur Serbia pret të marrë vendimin për statusin e saj kandidat për në BE, nuk është caktuar ende se a do të mbahen zgjedhjet serbe edhe në territorin e Kosovës.

Hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, thotë se minimumi që Brukseli, e sidomos Berlini, janë duke kërkuar nga Serbia është mosmbajtja e zgjedhjeve lokale në veri të Mitrovicës.

“Ky është një sinjal i qartë, një kusht i qartë nga disa shtete anëtare të BE-së, të cilat janë duke diskutuar formën e kushtëzimit të Serbisë. Se a do të bëhet kjo çështje me kusht formal, apo do të diskutohet vetëm me Serbinë se si të mos organizohen këto zgjedhje”, thekson Rashiti.

Vetë serbët e veriut janë duke bërë përgatitje për mbajtjen e një referendumi përmes, së cilit duan të shprehen në mbështetje apo kundër shtrirjes së autoritetit kosovar në atë pjesë të vendit.

I pyetur se nën cila kushte do të hiqnin dorë nga Beogradi për ta përqafuar sistemin shtetëror të Kosovës, njëri nga politikanët serbë, Milan Ivanoviq, thotë:

“Institucionet tona, përmes të cilave po i realizojmë të drejtat tona janë e vetmja mënyrë për mbijetesën tonë në Kosovë. Ne nuk duam komuna të tjera; ne i kemi komunat tona legjitime dhe në zgjedhjet tona kanë marrë pjesë 60 për qind e njerëzve me të drejtë vote. Andaj, ato nuk janë institucione paralele, por legjitime, të zgjedhura në mënyrë demokratike”.

Si përpjekje për rikthimin e kontrollit në veri të Kosovës, në korrik të vitit të kaluar Qeveria e vendit pati ndërmarrë një aksion policor, i cili pasoi me përleshjet ndërmjet forcave ndërkombëtare dhe serbëve lokalë dhe me vënien e barrikadave rrugore nga serbët protestues.

Për të normalizuar gjendjen në veri të Kosovës dhe për ta integruar e vendosur këtë pjesë nën autoritetin e Prishtinës, Bashkimi Evropian i pati kërkuar Qeverisë hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, por deri më tani nuk është publikuar ndonjë strategji e tillë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG