Ndërlidhjet

“Piratët” e Danubit


Lumi Danub
Lumi Danub
Në pjesën rumune të Lumit Danub mund të shihen çdo ditë anije transportuese, me xehe dhe thëngjill, të cilat ngarkohen dhe shkarkohen. Kjo ndodh pasi Danubi është një nga rrugët kryesore të transportit ujor në Evropë.

Por, më 4 janar, një konvoj anijesh nga Ukraina u sulmua. Pronari i karvanit “Danube Shipping Company” tha se një nga anijet e tij, pak më e izoluar nga pjesa tjetër, është plaçkitur nga disa persona të armatosur me thika.

Sulmuesit kanë vjedhur para, lëndë djegëse, alkool dhe cigare, ndërsa kanë kërcënuar se do të nxjerrin jashtë bordit kapitenin. Megjithatë, asnjëri nga anëtarët e ekuipazhit nuk ka pësuar lëndime.

Kompania ka ngritur ankesë te Policia e Rumanisë, duke thënë se ka qenë viktimë e “sulmeve pirate”.

Duke folur për shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleksander Dikusarov, tregoi për hapat e tjerë që ka ndërmarrë Kievi.

I kemi thënë ambasadës sonë në Bukuresht të kontaktojë autoritetet rumune dhe të marrë një shpjegim për incidentin. Na është thënë se hetimi po vazhdon. Po presim përgjigjen”, tha Dukusarov.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme rumune, Doris Mircea, konfirmoi se ankesa zyrtare e Ukrainës është dorëzuar në ambasadën në Kiev dhe se hetimet kanë nisur.

Ankesa i është dërguar Ministrisë së Brendshme të Rumanisë, e cila është institucion i ngarkuar për hetimin e ankesave të tilla. Ambasada rumune në Kiev ka informuar ministrin e Jashtëm ukrainas për vazhdimin e hetimeve”, tha Mircea.

Ajo tha se është hera e parë që dorëzohet një ankesë zyrtare. Sipas Ministrisë së Brendshme në Bukuresht, nuk ka ndonjë dëshmi të incidenteve të ngjashme, që mund të kenë ndodhur më herët.

Andaj, ekzistojnë vërtet piratët e Danubit? Nëse me këtë nënkuptohet diçka e ngjashme me piratët somalezë, të armatosur deri në dhëmbë dhe që kërkojnë miliona dollarë shpërblim, atëherë jo.

Raportet e mediave thonë se ekuipazhet e anijeve transportuese i plaçkitin dhe i shesin vetë mallrat e tyre, ndërsa fajin ua hedhin “piratëve”.

Një zyrtar i afërt me hetimet i ka thënë Radios Evropa e Lirë nën kushte anonimiteti se një gjë e tillë nuk është pirateri, por një kontrabandë e vogël.

Peshkatarët nga fshatrat e varfra rumune përgjatë Daubit shpeshherë ngjiten në bordin e anijeve për të blerë apo shkëmbyer mallra. Me vështirësitë ekonomike të tyre, kontrabandimi i metaleve i ka bërë këto të fundit mallrat më të çmuar.

Ata i blejnë ato me një çmim të vogël nga marinarët dhe i shesin në tregun rumun për një fitim të mirë. Detarët, nga ana tjetër, mbushin xhepat me paratë e bëra nga shitja e mallrave të anijes.

Sipas disa zyrtarëve, kjo është ajo që ka ndodhur edhe më 4 janar. Anija ukrainase mund të ketë ndaluar në një vend që nuk ishte nën mbikëqyrjen e policisë rumune, për të bërë “pak biznes” me peshkatarët.

Peshkatarët pothuajse gjithmonë mbajnë thika, të cilat janë mjete vitale për tregtinë e tyre. Megjithatë, detajet mbeten për t’u hetuar.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG