Ndërlidhjet

Të rinjtë dhe duhani


Ilustrim
Ilustrim
Çdo 10 sekonda shuhet një jetë nga pasojat e konsumimit të duhanit. Në fillim të viteve ‘90 thuhet të kenë vdekur 3 milionë njerëz në vit nga dëmet që sjell konsumimi i duhanit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga vitit 2020 deri në vitin 2030, në tërë botën do të vdesin 30 milionë njerëz nga dëmet që shkakton duhani.

Në Kosovë, ndërkaq, thuhet se numri i të rinjve, të cilët pinë duhan është i madh dhe në rritje. Në rubrikën e përjavshme VOX të programit kemi marrë mendimet e disa të rinjve rreth konsumimit të duhanit. Pothuajse secili prej tyre e di se duhani është i dëmshëm për shëndetin e njeriut, madje është vdekjeprurës, por megjithatë disa prej tyre e konsumojnë këtë substancë dhe atë në sasi mjaft të madhe.



Labinot Krasniqi thotë se e di që miliona viktima në vit dhe miliona të sëmurë nga kanceri janë pasojat që shkakton pirja e duhanit në mbarë botën. Por, pavarësisht kësaj, ai thotë se e konsumon duhanin:

“Duhani të shpenzon, të krijon sëmundje nga më të ndryshmet, por ja që e pi. Kam provuar ta lë duhanin, por nuk kam mundur pa të. Që ta lësh duhanin duhet ta përgatisësh veten njëherë. Është i keq, nuk është i mirë konsumimi i duhanit”.

Në Kosovë, Ligji kundër duhanit ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2010, por asnjëherë nuk ka gjetur zbatim dhe kjo, siç thuhet, përveç tjerash, ka ardhur edhe si pasojë e mangësive ligjore. Ndonëse ky ligj parasheh një varg masash, bëhet e ditur se zyrtarët përgjegjës nuk kanë shqiptuar asnjë ndëshkim për moszbatimin e tij.

Të rinjtë konsumojnë duhan gati në të gjitha lokalet e Prishtinës, pa u penguar nga askush. Në një lokal të Prishtinës, takuam Teuta Sefedinin. Ajo thotë se brenda një dite konsumon deri 25 cigare.

“Po, konsumoj duhan, edhe pse e di që është i dëmshëm për shëndetin. Mendoj që ndoshta më është bërë edhe shprehi. Pavarësisht të gjithave, unë prapë vazhdoj ta pi”, thotë Teuta Sefedini.

Ka edhe të rinj, të cilët e kanë pirë duhanin, por që kanë arritur të heqin dorë cigaret. Pas shumë përpjekjeve, thotë Dhurim Shehu, ka arritur ta lë.

“Konsumimi i tepërt më ka bërë që të heq dorë nga kjo substancë. Nga 3 deri në katër pako në ditë kam pirë. Por, tani nuk pi. Konsumimi i tepërt ka ndikuar në shëndetin tim”, tregon Dhurim Shehu.

Por, se sa shpenzojnë të rinjtë për ta blerë këtë produkt, për të cilin edhe vetë ata thonë se është i dëmshëm për shëndetin? Ne vizituam disa kioska në kryeqytet. Shitësit treguan se një pako cigare në tregun e Kosovës mund ta gjesh me çmime të ndryshme nga më e lira, e cila kushton 1 euro e 10 centë, dhe më e shtrenjta 2 euro e 50 centë.

Fatos Ibra tregon se në muaj harxhon 60 euro për duhan. Ai thotë se është shumë e madhe kjo, por siç shprehet Ibra, për cigare çdo herë gjenden të hollat.

“Gjashtëdhjetë euro në muaj i shpenzoj për duhan. E di që është edhe i dëmshëm. Kam menduar ta lë, por s’kam mundur”, thotë Fatos Ibra.

E ndryshe, mendon kolegu i tij, Demir Mehani, i cili nuk ka konsumuar kurrë duhan:

“Ju lus që rreptësisht ta ndalojnë duhanin, sepse shkakton dëme të mëdha, pasi, përveç që i shkakton vetes dëm, u shkakton edhe rrethit dhe familjes. Një person, i cili pi duhan, mund të ndikojë shumë tek ata që nuk e konsumojnë këtë substancë”.

Ndërsa, i riu Premtim Halimi thotë se nuk mund ta paramendojë jetën pa duhan dhe se asnjëherë nuk ka provuar ta lë. Tregon se si duhanin e pi gati e tërë familja e tij.

“Po, e pi duhanin. Ne e përdorim shumë në familje; baba, nëna , nga katër pako në ditë. Edhe vëllai i im e pi. Asgjë nuk është kjo puna e cigares, por është shprehi, asgjë tjetër. Shprehi mjaft e dëmshme dhe mjaft e shtrenjtë”, thekson Premtim Halimi.

Ndërkohë, Kosova vazhdon të mos ketë të dhëna të sakta rreth konsumit të kësaj substance në vend. Po ashtu, përpjekjet që synojnë të vënë në pah rreziqet që sjell konsumimi i duhanit, për disa të rinj mungojnë.

Mimoza Rama jo duhanpirëse thotë se në Kosovë mungon informimi i duhur për dëmet që sjell duhani.

“Për vete nuk jam duhanpirëse. Duhet të ndërpritet konsumimi i duhanit në vendet publike, si në lokale, ku aty rrinë më së shumti të rinjtë. Sa i përket informimit, nuk është i mjaftueshëm”, shpreh mendimin e saj Mimoza Rama.

Si mjaft shqetësues në Kosovë mbetet konsumi i duhanit te të rinjtë në shkolla. Sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare që merren me vetëdijesimin e të rinjve për pasojat e konsumimit të duhanit, thuhet se rreth 40 për qind e të rinjve nëpër shkolla tymosin duhan.

Qëndresa Vitia, nxënëse e shkollës me mesme, thotë se kjo dukuri në shkolla është mjaft shqetësuese.

“Është i dëmshëm për shëndetin, iu sugjeroj të gjithëve mos ta pinë”, përcjell mesazhin e saj Qëndresa Vitia.

Ngjashëm mendon edhe Arizona Jahiri:

“Është shumë i dëmshëm, ashtu siç tha edhe shoqja ime është i dëmshëm edhe për rrethin. Më shumë e thith tymin ai që është afër, sesa ai që e pi. Mendoj, që do të ishte mirë të ndalohej rreptësisht në vende publike. Është veti shumë e keqe për ata që e pinë duhanin”.

Lista e sëmundjeve që vijnë si pasojë e konsumit të duhanit është shumë e gjatë, duke filluar nga sëmundjet e traktit të frymëmarrjes, të sistemit kardio-vaskular, sistemit të organeve të tretjes, duke vazhduar tek ato të traktit urogjenital.

Në bazë të hulumtimeve të bëra, thuhet se sikur të mos pihej duhani në mbarë botën, do të kishte 30 për qind më pak të vdekur nga kanceri.
XS
SM
MD
LG