Ndërlidhjet

Referendumi i "pasigurt"


Mitrovicë
Mitrovicë
Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kanë paralajmëruar mundësinë e rishqyrtimit të vendimit për mbajtjen e referendumit të paralajmëruar për 14 dhe 15 shkurt, në të cilin, siç ishte thënë, serbët lokalë do të deklaroheshin nëse i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës.

I ashtuquajturi kryetar i komunës së veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka theksuar se, në periudhën e ardhshme, të ashtuquajturit kryetarë të komunave do të mbajnë konsultime me, siç i ka quajtur ai, shefat e grupeve parlamentare, në mënyrë që të shihet gatishmëria e Kuvendeve paralele, lidhur me çështjen e referendumit. Sipas tij, vetëm këto kuvende mund ta shfuqizojnë vendimin për mbajtjen e referendumit ose ta shtyjnë atë.
Ne nuk dëshirojmë që të sjellim çfarëdo vendimi që do të ishte në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore.

“Natyrisht që ne jemi të gatshëm të bisedojmë edhe me Qeverinë e Serbisë. Ne nuk dëshirojmë që të sjellim çfarëdo vendimi që do të ishte në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore. Nëse tregohet që shtyrja e këtij referendumi do të sjellë përmirësim, gjegjësisht do ta lehtësojë pozitën e Qeverisë dhe të kryetarit Tadiq, ne jemi të gatshëm që të bisedojmë dhe ta shtyjmë afatin për mbajtjen e referendumit”, ka thënë Pantiq.

Siç është bërë e ditur nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, konsultimet e para lidhur me referendumin, ata do t’i bëjnë në fillim të javës që vjen, kështu që ende nuk është e precizuar nëse referendumi do të mbahet ose do të shtyhet.

Megjithëkëtë, Millan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb, ka theksuar se qëllimi i referendumit është uniteti politik i serbëve të Kosovës, por edhe një qëndrim i përbashkët, i cili do t’i obligonte, siç i ka quajtur ai, kuvendet komunale, që të mos pranojnë kurrfarë zgjidhje që nënkuptojnë zbatimin e institucioneve të Prishtinës dhe heqjen e institucioneve serbe.

Kjo është çështje, e cila nuk e rrezikon askënd, e veçanërisht serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër".

Milan Ivanoviq
Milan Ivanoviq
"Ne e dimë që e kemi përkrahjen edhe të serbëve të jug të Ibrit, për ta mbajtur këtë referendum. Nuk ka këtu kurrfarë ndarje. Jemi krejtësisht të bashkuar. Por, kushtet janë krejtësisht tjera në jug të lumit Ibër dhe për shkak të frikës nga shqiptarët, në këtë moment, serbët atje nuk guxojnë të bëjnë diçka të ngjashme”, ka thënë Ivanoviq.



Në anën tjetër, përfaqësuesja e serbëve të Kosovës qendrore, Rada Trajkoviq, ka thënë se serbët në këtë pjesë të Kosovës kanë qenë që nga fillimi kundër idesë për mbajtjen e referendumit, të cilin e kanë paralajmëruar përfaqësuesit e serbëve në veri të vendit.

“Unë mendoj që nuk është as momenti, as vendi, e as koha për referendum. Ndjenjat e serbëve janë krejtësisht të qarta. Të gjithë ne jemi kundër Kosovës së pavarur dhe se të gjithë ne jemi për ruajtjen e lidhjeve institucionale me Serbinë”, është shprehur Trajkoviq.

Ndryshe, të ashtuquajturit delegatë të kuvendeve komunale paralele të Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, më herët patën sjellë vendim që në këto komuna të mbahet referendumi në mesin e muajit shkurt. Siç ishte paralajmëruar, referendumi në Leposaviq duhet të mbahet më 15 shkurt, ndërkaq në tri komunat tjera, më 14 shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG