Më 11 janar u bënë 10 vjet nga hapja e kampit ushtarak të paraburgimit për të dyshuarit terroristë në bazën detare të Shteteve të Bashkuara, në Guantanamo Bej.
Një total prej 779 të burgosurish kanë qëndruar në këtë burg, që nga arritja e robërve të parë më 11 janar të vitit 2002.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara, nën ish-presidentin Xhorxh Bush, e themeloi atë pas pushtimit të Afganistanit nga forcat e huaja, për të mbajtur dhe marrë në pyetje të burgosurit që dyshohej se kishin lidhje me Al Kaidën, talibanët dhe grupet tjera që nga SHBA-ja shihen si terroriste.
Ish-sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, në konferencën e 22 janarit 2002, në Pentagon, tha:
“Ajo çfarë ndodh në Guantanamo, është e rëndësishme, është humane, është ligjore, është e duhur dhe është në përputhje me konventat e Gjenevës”.
Por, grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Uashingtonin për shkelje të të drejtave të njeriut në Guantanamo Bej.
Presidenti Barak Obama, i cili nga 2009-ta pasoi Bushin në Shtëpinë e Bardhë, urdhëroi mbylljen e kampit në janar të 2010-ës, por ky afat u humb.
Organizata Amnesty International, për të shënuar përvjetorin, lëshoi një raport special, ku dështimin e Obamës për të mbyllur objektin e quan “trashëgimi helmuese” për të drejtat e njeriut.
Sot, vetëm 171 nga 779 të burgosurit e Guantanamos mbeten atje.
Njëri nga të liruarit është Abu Baker Kasim – një ujgur etnik, i cili braktisi provincën Ksinjang për shkak të represionit kinez, për t’u larguar në Afganistan, ku edhe u arrestua si terrorist i dyshuar dhe u dërgua në Guantanamo.
Atje qëndroi mbi katër vjet. Në vitin 2006 u shpall i pafajshëm dhe u lirua. Të vetëdijshme për rrezikun që mund t’i kanosej në vendin e tij, autoritetet amerikane e dërguan në Shqipëri.
Ky veprim mund ta ketë kursyer atë nga hakmarrja e autoriteteve kineze, të cilat e akuzojnë për “kontakte me Lëvizjen Islamike të Turkistanit Lindor” një grup militant që lufton për pavarësinë e ujgurëve. Por, një gjë e tillë edhe e ka detyruar të nisë një jetë të re nga fillimi.
Sot, 43-vjeçar, Kasimi punon në një piceri të Tiranës. Ai i është përshtatur tashmë rutinës së përditshme; jeton në një apartament që i paguhet nga Qeveria e Shqipërisë, si dhe shkon në xhami për lutjet fetare.
Kasimi zotëron edhe gjuhën shqipe, ndonëse me një theks më të fortë.
Takon rregullisht miqtë e tij, përfshirë dhe katër ujgurë të tjerë që kanë pasur fatin e tij. Së shpejti do të bëhet edhe baba, pasi gruaja e tij e dytë, po ashtu ujgure, pret të lindë fëmijën këtë muaj.
Shtëpia e Kasimit në Ksinjang duket e largët, por jo edhe nga mendja e tij.
Gruaja e tij e parë ka mbetur atje, bashkë me tre fëmijët e tyre.
Kanë kaluar 12 vjet që nuk i ka parë. Kanë kontakte vetëm përmes internetit. Tani për tani, ai thotë se jeta e tij është në Shqipëri.
“Jetoj këtu tani. Natyrisht, më mungon vendi im dhe njerëzit e mi, por tani jam mësuar edhe këtu. Një ditë, mendojmë të kthehemi, kur të fitojmë pavarësinë. Por, pa të, nuk kthehem”, thotë Kasim.
Ai vazhdon të ketë makthe nga koha e tij në Guantanamo – një vend ku, siç shprehet, “nuk ekziston ligji”. Por, megjithatë, mbeten Shtetet e Bashkuara vendi ku ka shpresën për ndihmë.
“Pa Shtetet e Bashkuara ose Evropën, nuk ka mundësi të ndodhë pavarësia e ujgurëve”, thotë Kasim. (v.t.)