Ndërlidhjet

1.52 miliardë për 2012-ën


Parlamenti i Kosovës - foto nga arkivi
Parlamenti i Kosovës - foto nga arkivi
Me 63 vota për, 47 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të martën buxhetin e vitit 2012.

Deputetët fillimisht kanë miratuar 57 amandamentet e propozuara nga Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Buxheti për vitin 2012 parashihet të jetë 1 miliard e 520 milionë euro.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa Safete Hadërgjonaj, ka thënë fillimisht se grupet punuese kanë shqyrtuar 86 kërkesa buxhetore, 8 amandamente dhe 3 rekomandime të komisioneve funksionale.

Ajo ka kërkuar nga deputetet që t’i miratojnë amandamentet e propozuara dhe ta votojnë në tërësi për buxhetin.

Për të gjitha ndryshimet që i kemi propozuar si amendamente, kemi pasur një qëndrim te përbashkët dhe nuk kemi pasur kundërshtime.
Për të gjitha ndryshimet që i kemi propozuar si amendamente, kemi pasur një qëndrim te përbashkët dhe nuk kemi pasur kundërshtime. Edhe anëtarët e komisionit nga opozita kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në formulimin e këtyre amandamenteve dhe në ndryshimet që i kemi propozuar. Madje kanë qenë pjesë të propozimeve të cilat në i kemi miratuar në komision. Prandaj në emër të komisionit kërkoj që të gjitha amendamente që sot ne i kemi propozuar të miratohen”, tha ajo.

Ndërkaq LDK-ja, e cila kishte ofruar një projektbuxhet alternativ ka thënë se do të votojë politikisht.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani ka thënë se LDK-ja e ka paraqitur variantin e saj për një buxhet alternativ, mirëpo nuk është përfillur, pasi partia në pushtet i ka politikat dhe programin e vetë, që mendon t’i realizojë përmes këtij buxheti.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka paraqitur një buxhet alternativ, por me qenë se qeveria, partia në pushtet realizon programe dhe qëllime e synime të veta nëpërmjet buxhetit, ka qenë e pamundur që kjo të realizohet. Meqenëse jemi parti politike, kemi programe të ndryshme politike, edhe votimi do të jetë politik”, është shprehur Osmani.

Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paralajmëruar që në fillim se nuk do ta votojnë këtë buxhet, edhe pse disa prej amendamenteve, sipas shefit te grupit parlamentar Visar Ymeri, janë të mira dhe i shërbejnë përmirësimit të buxhetit.

Ymeri tha po ashtu se disa prej amandamenteve e bëjnë më të mirë këtë ligj, sidomos ato që përmirësojnë disa padrejtësi që, sipas tij, janë bërë ndaj disa agjencive.

Rrjedhimisht Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta votojë ketë buxhet si tërësi, edhe pse disa prej amandamenteve janë të pranueshme për ne.
Përgjithësisht grupi parlamentar ri i Lëvizjes Vetëvendosje konsideron se me gjithë këto përmirësime të vogla, ky buxhet prapë nuk është i mirë dhe vërejtjet që i kemi dhënë në leximin e parë të buxhetit, ende qëndrojnë. Rrjedhimisht Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta votojë ketë buxhet si tërësi, edhe pse disa prej amandamenteve janë të pranueshme për ne”, ka thënë Ymeri.

Deputete e Lëvizja Vetëvendosje, janë deklaruar pas seancës duke thënë se buxheti më së paku e siguron rritjen ekonomike.

Sipas tyre, nga ky buxhet kanë përfituar vetëm komunat dhe ministritë, të cilat udhëhiqen nga partia në pushtet.

Nga 1 miliard e 520 milionë euro sa parashihet të jetë buxheti, 616 milionë euro planifikohet të shpenzohen për projekte kapitale, ndërsa rritja e përgjithshme ekonomike parashihet të jetë 5 për qind.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, në leximin e parë të projektbuxhetit, tha se “rritja ekonomike vlerësohet të jetë 5.0 për qind”.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në muajin nëntor patën deklaruar se për këtë shifër të buxheti për vitin 2012 janë marrë në konsideratë edhe vlerësimet e institucioneve shumë kredibile, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sido që të jetë, ekspertë për çështje ekonomike, buxhetin e miratuar e kanë parë si buxhet teorik, pa u mbështetur në analiza dhe shifra reale, të cilat mundësojnë përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG