Ndërlidhjet

Shqiptarët bojkotojnë regjistrimin


Në Luginën e Preshevës
Në Luginën e Preshevës
Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë duke e bojkotuar regjistrimin e popullsisë në Serbi.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të kësaj ane, thonë se ky proces po bojkotohet për shumë arsye, e një nga to, siç thonë ata, është edhe përpilimi i listave të shkruara vetëm në gjuhën serbe dhe më alfabetin cirilik.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se regjistrimi po refuzohet nga shqiptarët pasi që, sipas tij, nuk janë garantuar kushtet për një regjistrim të drejtë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në tersi nuk marrin pjesë në procesin e regjistrimit që po zhvillohet në Serbi, për arsye se nuk janë garantuar kushtet për një regjistrimit të drejtë. Po ashtu u pamundësohet një numri të caktuar të shqiptarëve të regjistrohen, sidomos atyre që për momentin janë jashtë vendit”, deklaron Kamberi.

Ky bojkotim po ndodh me qëllim që edhe faktori ndërkombëtar të kuptojë për gjendjen në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës e Preshevës, thotë Kamberi.

Mos pjesëmarrja jonë ka pasur për qellim që të tërhiqet vëmendja e faktorit ndërkombëtar dhe të kuptojnë për gjendjen që mbretëron në Luginën e Preshevës. Pra, të sensibilizohet edhe komuniteti ndërkombëtar. Në përgjithësi ne nuk kemi dashur të jemi pjesë e një ndërrimi artificial të strukturës së popullatës në këto komuna”, shprehet Kamberi.

Nga ana tjetër, Belgëzim Kamberi, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Luginë e Preshevës, e sheh si të drejtë bojkotin e regjistrimit nga ana e shqiptarëve.

Ai vlerëson së ky refuzim nuk do të lejojë që të legjitimohet numri i madh i popullatës se zhvendosur.

Realisht kjo nuk do ta legjitimojë shpërnguljen dhe zhvendosjen që ka ndodhur te shqiptaret nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, që nga viti 99, dhe në veçanti nga viti 2001 kur ishte edhe zona e krizës në këtë rajon. Mendojmë që bojkotimi nuk do të legjitimojë një gjendje e cila është krijuar si pasojë e zhvendosjes së popullatës”, thotë Belgëzim Kamberi.

Mendojmë që bojkotimi nuk do të legjitimojë një gjendje e cila është krijuar si pasojë e zhvendosjes së popullatës.
Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë thënë se persona ose familjet të cilat refuzojnë pjesëmarrjen në regjistrim, do të gjobiten sipas ligjit për regjistrim.

Dënimet thuhet se do të jenë nga 198 deri 495 euro.

Mirëpo, Belëgëzim Kamberi nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë, pasi që, siç thotë ai, do të jetë e pamundur që diçka e tillë të bëhet për të gjithë shqiptarët e luginës.

Unë mendoj se po pati ndonjë pasojë ligjore, ndonjë gjobë ndaj ndonjë qytetari, ajo do të jetë sigurisht e përkufizuar në disa individë të caktuar sa për të treguar vet shteti që ka ndërmarrë masa. Po nuk besoj që do të jetë i shënjestruar i gjithë komuniteti, sepse atëherë do të behej fjalë për një diskriminim kolektiv”, shprehet ai.

Vendimi për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nga shqiptaret ka ardhur nga Kuvendi i deputetëve shqiptarë, që është organi i vetëm që bashkon shumë parti në këtë zonë shqiptare në Serbi, nga tri komunat me shumicë shqiptare Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Me rastin e publikimit të këtij vendimi, kryetari i partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, i cili është i vetmi shqiptar deputet në Kuvendin e Serbisë, pati deklaruar se “me regjistrim, nuk do të mund të shihet gjendja reale e shqiptarëve, pasi shumë prej tyre janë shpërngulur nga këto zona. Ka shumë probleme, si moskrijimi i kushteve për kthimin e popullatës së dëbuar nga viti 1999, për shkaqe sigurie, pengesat në pajisjen e qytetarëve me dokumentacion personal, veçanërisht problemet në rregullimin e vendbanimeve, dhe se rrezikohet ndryshimi artificial i strukturës demografike të këtyre komunave”.

Sido që të jetë, lëvizja më e madhe e qytetarëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, sipas përfaqësuesve të partive politike shqiptare, ka ndodhur pas liberalizimit të vizave për Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG