Ndërlidhjet

Shtetet në kërkim të identitetit të ri


Një grua me flamurin e Bashkimit Sovjetik në duar...
Një grua me flamurin e Bashkimit Sovjetik në duar...
Kanë kaluar 20 vjet prej shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, nga i cili, në skenën globale, dolën 15 shtete të reja.

Por, për banorët e këtyre shteteve të reja, domethënia e ngjarjeve dramatike prej 19 e deri më 21 gusht të vitit 1991, ka shpjegime të ndryshme.

Për ata në Letoni, Estoni dhe Lituani, këto tri ditë e kanë tronditur botën para dy dekadash dhe kanë shënuar fillimin e procesit, i cili shtetet baltike pamëdyshme i ka lëvizur drejt demokracisë, tregut të lirë dhe integrimit evropian.

Por, për banorët në Uzbekistan, Turkmeni dhe në Bjellorusi, dështimi i grushtshtetit në Moskë, që çoi në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, ka domethënie krejtësisht tjetër dhe paraqet rrëshqitje në sundimin autokratik, që nga organizata Freedom House vlerësohet si “shoqëritë më represive në botë”.

Për banorët e disa shteteve të tjera, zhvillimet e vitit 1991 në Bashkimin Sovjetik, paraqesin diçka të ndërmjetme.

Disa, si në Gjeorgji, Ukrainë, Moldavi, Kirgizi dhe Armeni, kanë lëvizur kah një formë e sundimit demokratik ose kuazi-demokratik.

Të tjerët, para se gjithash Rusia, Kazakistani dhe Taxhikistani, kanë hyrë në një lloj të autokracisë së butë ose “të demokracisë së menaxhuar”.

Nga ana tjetër, Azerbajxhani është shndërruar në një shtet autoritar të naftës.

Kjo rreze e gjerë e llojeve të regjimeve bënë që të shtrohet pyetja: a është ende e mundshme të flitet për rajonin që quhet “ish Bashkimi Sovjetik”?

Ndërtimi ose ridalja e identitetit të fuqishëm kombëtar, ulja relative e ndikimit rus, dhe tërheqja kulturore, ekonomike dhe politike e fuqive të tjera, siç janë Bashkimi Evropian, Turqia dhe Kina, dhe rritja e gjeneratës pas-sovjetike, kanë ndikuar në zbutjen e lidhjeve, që dikur këto vende i mbanin fuqishëm së bashku, thonë analistët.

Tomas de Val, nga Instituti Karnegi në Uashington, është autor i shumë librave për Kaukazin.

Çdo vit që kalon, bëhet më vështirë të flitet për hapësirën pas-sovjetike dhe ne duhet të fillojmë riformulimin e idesë. Nëse këto shtete ishin fëmijë, ato tash do të jenë 20 vjeçare. Kjo mjafton që vetë të bëhen vendime”, thotë eksperti de Val.

Politikani Boris Nemcov, kishte marrë pjesë në kundërshtimin e përpjekjes për grushtshtet në Moskë në vitin 1991 dhe më vonë u bë kryeministër i Rusisë, nën ish presidentin Boris Jelcin.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ato ditë kishte pasur pritje jashtëzakonisht të mëdha.

Ne ishim shumë romantikë. Ne besonim se rruga në liri dhe jetë të suksesshme do të ishte shumë me e shkurtër se që e kuptuam më vonë. Unë isha i sigurt se largimi nga komunizmi do të thoshte jetë shumë të mirë brenda disa muajve. Ne ishim shumë naivë, jo vetëm unë, por edhe Jelcini dhe i gjithë ekipi ynë. Ne besonim se vetëm vetëm duhet ta largonim komunizmin dhe ne do të kemi fat. Fatkeqësisht, realiteti duket shumë më serioz dhe shumë më i komplikuar, se sa që ne besonim në atë kohë”, thotë Boris Nemcov.

Vendet që kanë dalë nga shkatërrimi i Bashkimti Sovjetik, me të shpejtë i kuptuan sfidat reale me të cilat ballafaqoheshin.

Eksperti de Val thekson se pothuajse çdokush, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, e nënçmuan detyrën e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të tregut të lirë, jashtë trashëgimisë sovjetike.

Të gjithë ata fillonin nga zeroja dhe paksa ishte sikur lotari kur ata filluan me atë që kishte mbetur nga ekonomia e komanduar sovjetike, çfarë lloje të kuadrove ata kishin, pastaj disa nga ato kishin mospajtime të pazgjidhura territoriale, që do t’i dëmtonin prej ditëve të para. Dhe së fundit, çfarë lloj të liderëve ata kishin. Pra ata kishin filluar nga zeroja, pasi shteti u ishte zhdukur nën këmbë”, tha eksperti de Val.

Njëra nga detyrat kryesore ishte formimi i identiteteve kombëtare në shtetet e reja, shumica e të cilëve asnjëherë nuk kishin qenë të pavarura.

Metju Rojanski, është drejtor i Institutit Karnegi për programin për Rusi dhe Euroazi.

Ndryshimi më i rëndësishëm, natyrisht, ishte fundi i asaj që ishte jo vetëm perandori afro një shekullore sovjetike, por edhe perandori ruse. Ndikim esencial kishte edhe krijimi dhe rikrijimi i identiteteve të pavarura, që përfshijnë synimet për diferencimin e tyre nga Rusia, bile edhe kur njerëzit ishin shumë të ndikuar nga rusët dhe kur ekonomitë kishin qenë shumë të sovjetizuara”, tha eksperti Metju Rojanksi. (f. b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG