Ndërlidhjet

Server: Nuk do të ketë lëvizje të kufirit të Kosovës


Daniel Server
Daniel Server


“Nuk mendoj se serbët do ta bindin ndokënd në komunitetin ndërkombëtar për ta lëvizur kufirin e Kosovës”, thotë Daniel Server, profesor në "Johns Hopkins University" në Uashington, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht ne jemi në pritje të raporteve për zbatimin e pajtueshmërisë ndërmjet KFOR-it, Prishtinës dhe Beogradit, pas dhunës në veri, pasi disa barrikada ende janë atje. Si e shihni ju këtë situatë?

DANIEL SERVER
Është situatë shumë e rrezikshme dhe mendoj se është e rëndësishme të ketë marrëveshje të dyanshme për dalje të përkohshme nga kjo gjendje. Por, në tërësi, ky është një problem afatgjatë, që ka të bëjë me statusin e veriut, që ka mbetur nën qeverisje të Beogradit, prej vitit 1999, në shkelje të qartë të Rezolutës 1244. Nuk mendoj se ne mund të kthehemi në këtë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa zyrtarë të lartë serbë në mënyrë të hapur ishin në favor të ndarjes së pjesës veriore të Kosovës, por qeveria e Kosovës dhe pjesa më e madhe e fuqive perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, thanë se janë kundër ndarjes. Si e vlerësoni ju këtë situatë?

DANIEL SERVER
Mendoj se ky propozim për ndarje është i rrezikshëm. Ai mund ta destabilizoj Maqedoninë dhe Bosnjën, por sinqerisht mund të jetë destabilizues edhe brenda në Serbi. Beogradi duhet ta kuptoj se nëse serbët marrin diçka në pjesën veriore, shqiptarët do ta kërkojnë Preshevën, ndërsa boshnjakët mund të kërkojnë diçka të ngjashme në Sanxhak.

Kjo është ajo që ne e quajmë “Kutia e Pandorës”, që është një kuti djallëzore, pasi kur hapet nuk mund të mbyllet më. Pra, mendoj se është shumë e rrezikshme, por nëse ata duan të diskutojnë për këtë, mund të diskutohet. Por, me siguri amerikanët, por mendoj se po ashtu evropianët, janë të vendosur, që ndarja të mos lejohet. Plani Ahtisari mundëson autonomi të gjerë për pjesën veriore të Kosovës dhe nëse serbët janë të interesuar për më tepër, atëherë ata duhet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë.

Por, nuk mendoj se do ta bindin ndokënd në komunitetin ndërkombëtar për ta lëvizur kufirin e Kosovës, për të arritur diçka që ne e kemi rezistuar në Ballkan, për një kojë të gjatë, dhe mendoj se kjo rezistencë do të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës tha se masat e reciprocitetit kundër produkteve nga Serbia, ishin ndërmarrë pa ndihmën e misionit të BE-së, EULEKS. Pra, si i shihni ju raportet e BE-së dhe Kosovës, në situatën kur 22 prej 27 vendeve anëtare, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

DANIEL SERVER
Është situatë e vështirë, pasi qartazi me 5 vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, BE-ja e ka vështirë të jetë unike. Por, nëse nuk mund të jenë unik në njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, BE-ja mund të jetë unike në njohjen e asaj se institucionet qeverisëse të Kosovës janë legjitime.

Kjo do thotë se kryeministri është kryeministër, ndërsa presidenti është president. Nuk duhet të ketë dilema në mendjen e askujt lidhur me atë se cilat janë autoritetet përkatëse në Kosovë. Kjo nuk vlen vetëm për 5 vendet, që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe për Beogradin, i cili duhet ta njohë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës, edhe nëse nuk e njeh pavarësinë. Por, në fakt, në njëfarë mënyre, serbët e kanë pranuar atë, duke u ulur në tavolinë në Bruksel.

Megjithatë, serbët vazhdojnë të rezistojnë në mënyra të tjera, siç është mosnjohja e vlefshmërisë së vulave doganore, megjithëqë kjo njohje nuk nënkupton domosdoshmërish njohjen e sovranitetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Server, disa ekspertë ndërkombëtarë thonë se dhuna në pjesën veriore të Kosovës, edhe njëherë e befasoi perëndimin. Cili është opinioni juaj?

DANIEL SERVER
Nuk mendoj se të gjithë njerëzit janë të befasuar. Mendoj se njerëzit janë të hidhëruar, veçanërisht me aksionin e njëanshëm të Prishtinës, por edhe nga reagimi i dhunshëm nga serbët në veri. Një polic i Kosovës është vrarë dhe duhet që ai person, që është përgjegjës, të zbulohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, çfarë lloj ndikimi këto ngjarje do të kenë në procesin e integrimit në BE për Kosovën dhe Serbinë?

DANIEL SERVER
Kjo i ngadalëson të dy palët. Për Kosovën nuk ka ndonjë dallim të madh, pasi BE-ja është shumë larg. Por, kjo nuk do ta ndihmoj Kosovën, që të ketë favor për viza, për shembull. Për Serbinë është shumë më e rëndësishme, pasi këto incidente do të ngritin shumë dyshime në mendjen e njerëzve, të cilët do të vendosin se a do t’i japin Serbisë një datë për fillimin e negociatave për pranim në BE.

Ka njerëz në Evropë, që këtë datë duan t’ia japin Serbisë, pavarësisht nga të gjitha. Por, ka të tjerë që do të thonë pritni pak, sepse këta njerëz po e sponsorizojnë këtë lloj të huliganizmit. Nuk mendoj se ka çfarëdo dyshimi se ajo që ndodhi në palën serbe, nuk do të kishte ndodhur, sikur të mos e kishte mbështetjen e plotë nga Beogradi dhe nga shërbimet e saj të sigurimit në veri.

Po ashtu, nuk ka dyshim se aksioni i njëanshëm nga policia e Kosovës ishte urdhëruar nga autoritetet në Prishtinë. Prandaj të dy palët, Prishtina dhe Beogradi , më duket se kanë përgjegjësi për këtë trazirë. Të dy palët mund të presin ngadalësim në shpresat e tyre për BE.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, çfarë zhvillimesh mund të presim gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme për pjesën veriore të Kosovës?

DANIEL SERVER
Me të vërtetë nuk e di. Por, unë shpresoj se nuk do të ketë zhvillime të ndonjë rëndësie. Një gjë do ta prisja, e ajo është që problemet e statusit të qeverisjes së pjesës veriore të Kosovës, të diskutohen në takimin e ardhshëm në dialogun Prishtinë – Beograd, dhe të shohim një përkushtim real nga të dy palët, për të gjetur zgjidhje paqësore.

Por, zgjidhja paqësore nuk është e njëjtë me kthimin gjendjen status-quo, pra kthim në situatën e mëparshme. Nga pikëpamja e Prishtinë, kjo situatë nuk është e pranueshme dhe mendoj se të dy palët duhet ta gjejnë një “modus vivendi”, siç thonë diplomatët... mënyra e jetesës me njëri tjetrin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG