Ndërlidhjet

Hija e “pranverës kurde” zbeh fitoren Erdoganit


Demonstrues pro-kurdë me slogane kundër qeverisë
Demonstrues pro-kurdë me slogane kundër qeverisë
Në më pak se dy javë pasi që partia e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan rifitoi zgjedhjet në nivel vendi, Turqia përballet me hyrjen në një krizë politike, pasi që partia kurde është zotuar se do të bojkotojë 36 ulëset e fituara në Parlament. Zhvillimet vijnë në mes të frikës së një kryengritjeje masive të kurdëve, e cila do të mund të përhapej edhe në vendet fqinje.


Analistët thanë se kurdët në Turqi mund të përfshihen në kryengritje masive civile, si ato të “Pranverës arabe”, por me pasojat e përhapjes edhe në vendet fqinje.

Paralajmërimet erdhën pasi që partia kryesore kurde, Partia për Demokraci dhe Paqe (BDP), kërcënoi se do të nxisë një krizë të madhe politike, duke thënë se do të bojkotojë 36 ulëset, të cilat i fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të 12 qershorit.

Përkrahësit e deputetit Hatip Dixhle

Ky zotim u bë në shenjë proteste ndaj një vendimi të një bordi zgjedhor, për t’i hequr ulësen deputetit të ri, Hatip Dixhle, për shkak të një dënimi të mëhershëm, në lidhje me akuzat për terrorizëm.

Politikani veteran kurd, Sherafetin Elxhi, njoftoi për bojkotin e BDP-së.


“Nuk do të hyjmë në Parlament, derisa Qeveria dhe Parlamenti nuk ndërmarrin hapa konkretë për të qartësuar rrugën për politikat demokratike”, tha Elxhi.

Kjo lëvizje, do ta ballafaqojë Turqinë me zgjedhje të shumëfishta për ulësen vakante dhe i jep shije të hidhur fitores në nivel vendi të Partisë për Zhvillim (AKP) të kryeministrit.

Partia për Zhvillim fitoi 50 për qind të votave, ndërsa Erdogan premtoi se do të fillojë një proces konsultimi që ka për qëllim arritjen e një konsensusi për hartimin e kushtetutës së re, e cila do të zëvendësonte dokumentin e hartuar nga ushtria 30 vjet më parë.

Perspektiva e një konsensusi të tillë duket e zbehtë pas zemërimit të BDP-së.
Ahmet Turk, lideri Kongresit pro-kurd për Shoqëritë Demokratike, tha se vendimi për Dixhlen ka për qëllim shtyrjen e Turqisë kah konflikti.

“Njerëzit tanë do të reagojnë ndaj këtij vendimi jodemokratik”, tha Turk.

Ky parashikim, duket se lindi nga reagimet në rrugët e Dijarbakirit, ku bojkoti i BDP-së u mirëprit hapur nga shumica.

“Ky është një vendim pozitiv. Imagjinojeni, në njërën anë, ata injorojnë vullnetin e lirë të popullit, e në anën tjetër disa anëtarë të Kuvendit do t’i përfaqësojnë në Parlament. Ata kanë marrë vendimin e duhur. Përndryshe, ne nuk do t’i njihnim si anëtarë të Parlamentit”, thekson Hafiz Deniz, njëri nga protestuesit.

Por, analistët alarmuan se ka rrezik nga një fazë e re e konfliktit të gjatë kurd në Turqi, në të cilin vlerësohet se nga përleshjet mes Partisë Popullorë Kurde dhe armatës, që nga viti 1984, e deri më tash, janë vrarë 40 mijë njerëz.

Mijëra fshatra të banuara kryesisht me kurdë në juglindje të vendit janë shkatërruar dhe shpopulluar në një operacion ushtarak, që kishte për qëllim çrrënjosjen e PKK-së, e cila luftonte për një atdhe të ndarë.

“Dyshoj se natyra e konfrontimit do të ndryshojë nga ajo që ka ekzistuar në të ’90 dhe në vitet 2000. Mendoj se do të shohim një mobilizim popullor të kurdëve kundër autoriteteve të Turqisë. Kemi parë më herët, kur bordi që rregullon procesin zgjedhor, diskualifikoi shtatë kandidatë pro-kurdë. Kjo çoi në rritjen e nivelit të dhunës dhe gjakderdhjes, në jug-lindje, e cila bëri presion në rregullatorin e zgjedhjeve, i cili tërhoqi vendimin për diskualifikim”, potencoi Fadi Hakura, një specialist turk në organizatën Chatham-House në Londër.

Hakura parasheh kryengritjet masive, që tashmë janë parë në Egjipt, Jemen, Tunizi dhe shtetet tjera arabe. Ka rrezik, sipas tij, që trazirat kurde në Turqi të prekin edhe shtetet fqinje me minoritetet kurde.

“Përshkallëzimi aktual i çështjes kurde në Turqi po koincidon me kryengritjet e brendshme në Siri dhe 10 për qind të popullatës së Sirisë është me origjinë kurde. Kështu që ka rrezik real, se nëse do të ketë kryengritje masive apo ndonjë konflikt mes autoriteteve turke dhe popullatës kurde në Turqi, ajo mund të kalojë në Siri, e në veçanti në Irak dhe Iran”, shtoi Hakura.

Aktivistët kurdë tërheqin vërejtjen para zgjedhjeve, se ata po planifikojnë një fushatë të re të mosbindjes civile, nëse kërkesat për më shumë të drejta për 14 milionë kurdët e Turqisë nuk përmbushen.

Ky kërcënim erdhi pasi që fushata e proklamuar e Erdoganit- “Hapja kurde” e vitit 2009 për të drejtat gjuhësore, kulturore e arsimore, u la në mëshirë të fatit.

Zemërim më i madh në mesin e BDP-së u nxit nga arrestimi i pothuaj 2 mijë anëtarëve të partisë, përfshirë edhe 12 kryetarë të zgjedhur komunash, për shkak të kinse lidhjeve me PKK-në, që është shpallur parti e paligjshme dhe organizatë terroriste.
Gjatë fushatës zgjedhore, Erdogani përdori një vijë të ashpër, duke deklaruar se në Turqi nuk ekziston më “çështja kurde”.

Gjatë fushatës zgjedhore, Erdogani përdori një vijë të ashpër, duke deklaruar se në Turqi nuk ekziston më “çështja kurde”, ndërsa akuzonte BDP-në, se ishte në lidhje me BKK-në dhe se po mbështeste “separatizmin”.

Ai, po ashtu, tha se do ta varte Abdullah Oxhalanin e PKK-së, po qe se do të ishte në pushtet, kur ai u zu në vitin 1999.

Profesori për studimet e BE-së, në Universitetin Bahçesehir të Stambollit, Xhengiz Aktar, tha se taktikat e tilla konfrontuese drejt kurdëve bien ndesh me ambiciet e kryeministrit për një kushtetutë të re civile.

“Është për keqardhje kjo që po ndodh. Pa një kushtetutë liberale, konflikti kurd nuk mund të zgjidhet dhe pa zgjidhjen e konfliktit, Turqia nuk mund të hartojë një kartë të re, një kontratë të re sociale, pra janë shumë të lidhura”, tha Aktar.

Për Aktarin, “pranvera arabe” kurde ka filluar vite më parë.

Çelësi, sipas tij, tani është që të ketë reagim politik për kërkesat që janë artikuluar mjaft gjatë, dhe të cilat nuk mund të fshihen nën rubrikën e “terrorizmit”.

“Duhet të fillohet një epokë e zgjidhjes së konfliktit, ku të gjitha partitë flasin me njëra-tjetrën pa ndonjë parakusht dhe të gjitha partitë janë të përfshira në dialog. Tash për tash, nuk ka diskutime për të vërtetën dhe ripajtimin, për amnistinë dhe për kthimin e ish-refugjatëve që gjenden në Evropë dhe gjetkë. Arsimimi në gjuhën amtare, zhvillimi rajonal, asgjë nga këto nuk është prekur. Mënyra unike e qeverisë që të merret me këtë çështje, është që t’i thërrasë aksionet e tyre terroriste dhe pastaj të kërkojë nga PKK-ja uljen e armëve, por kjo nuk është tjetër, pos një qorr-sokak”, tha Aktar. (a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG