Ndërlidhjet

Kriza libiane: Si po përfiton Rusia?!


Libi
Libi
Çmimi i naftës ka njohur rritje me shpërthimin e trazirave në Libi, me gjithë faktin se ky vend po eksporton naftë si zakonisht.

Çmimi i naftës së papërpunuar ka shkuar në 107 dollarë për fuçi, derisa çmimi më i lartë prej 108 dollarësh për fuçi është regjistruar dy vjet e gjysmë më parë.

Edhe në tregun amerikan çmimi i naftës është rritur me 51 për qind gjatë kësaj jave, duke arritur nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 1998.

Analistët sqarojnë se rritja e çmimit ka ardhur pasi tregtarët kanë rritur sasinë e naftës së blerë për furnizim në të ardhmen, pasi ekziston frika se trazirat në Libi mund të çojnë deri te pezullimi i eksportit.

“Libia prodhon rreth 1.6 milionë fuçi nafte në ditë dhe po shqyrton mundësitë për ta zgjeruar prodhimin. Një numër kompanish perëndimore kanë marrë kontrata për të zhvilluar më tej shpimin dhe shfrytëzimin e burimeve të naftës dhe gazit në këtë vend. Shumica e naftës libiane është e përcaktuar për eksport, çfarë do të thotë se një ndërprerje e prodhimit do të ndihej në mënyrë të konsiderueshme nga tregu ndërkombëtar”,
sqaron për Radion Evropa e Lirë, Dejvid Knot nga Midle East Economic Survey.

Ai shton se shqetësimet lidhur me Libinë nuk janë vetëm afatshkurtra. Ekziston droja reale se trazirat mund të përshkallëzohen në atë masë sa që ndërprerja e eksportit të naftës të ndodhë për një periudhë të pacaktuar në të ardhmen.

“Mendoj se për tregun e naftës, shqetësimi në planin afatgjatë dhe ajo që po ndikon aktualisht në çmim, ka të bëjë me kufizimin e kapaciteteve të Libisë. Kjo e fundit përballet me një të ardhme shumë të pasigurt, përfshirë dhe mundësinë e një lufte civile apo shpërbërja e shpejtë e gjithë ekonomisë libiane”,
pohon Knot.

Frika ka të bëjë me mënyrën se si është zhvilluar kriza libiane; nga protestat e kufizuara nëpër rrugë në trazirat masive që rrezikojnë të kthehen në luftë civile për shkak të kërcënimeve dhe mënyrës së qasjes së Gadafit.

Nëntëdhjetë për qind e naftës libiane vjen nga fushat e rajonit lindor të Cirenaikës, që është dhe epiqendra e revoltës kundër Gadafit.

Rritja e çmimit të naftës ka sjellë dhe reagimin e OPEC-ut, i cili është treguar i gatshëm të ndërhyjë në rast se krijohen boshllëqe në furnizimin me naftë për shkak të gjendjes në Libi.

Ndihmë të veçantë në këtë drejtim mund të japë Arabia Saudite, e cila prodhon naftë vetëm nga një pjesë e burimeve të saj. Frika se trazirat mund të përfshijnë dhe vendet e tjera arabe, anëtare të OPEC-ut, do të ndikojë që çmimi i naftës të mbetet i lartë.

Rritja e çmimit është e pashmangshme duke pasur parasysh se në tregun ndërkombëtar nafta blihet disa muaj përpara se të prodhohet. Në këto kushte duhen llogaritur një sërë faktorësh rrezikshmërie.

Por, ulje-ngritjet në tregun e naftës janë mirëpritur nga disa vende, e në veçanti nga Rusia, e cila nuk është anëtare e OPEC-ut.

Ministri rus i Financave, Aleksei Kudrin, tha se nëse çmimi i naftës mbetet rreth 100 dollarë për fuçi, vendi i tij do të mund të arrijë baraspeshën buxhetore brenda vitit 2014.

Rajoni i Kaspikut pritet të njohë rritje të investimeve, pasi llogaritet si një rajon më i stabilizuar nga investitorët. Për pasojë, vendet e Azisë Qendrore, të njohura për burimet e naftës e gazit do të njohin rritje të të ardhurave në afat të shkurtër dhe të mesëm. Gjithmonë nëse kriza libiane merr kahen më të keqe.(i.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG