Marti nuk ka sjellë prova, thotë për Radion Evropa e Lirë Ibrahim Gashi, nga AKR-ja, pjesëmarrës në debatin e Këshillit të Evropës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, morët pjesë në debatin e sotëm të raportit të Dik Martit në Komitetin e Çështjeve Ligjore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Cili ishte reagimi i anëtarëve të këtij Komiteti rreth raportit?
IBRAHIM GASHI
Fillimisht, kur u shtrua çështja, u arsyetua nga kryesuesi i Komisionit se materiali u shpërnda me vonesë, kinse për të mos pasur implikime politike në zgjedhjet në Kosovë. Ky justifikim nuk u pranua nga të gjithë anëtarët e Komisionit.
Nëntë anëtarë kërkuan shtyrjen e diskutimit të raportit në mbledhjen e sotme, por ishin dy të tretat që ishin kundër shtyrjes dhe diskutimi u fut në rendin e ditës me 18 vota për dhe 9 kundër.
Natyrisht dhe ne pritëm që të shtyhej, se arsyetimi i atyre që kërkuan shtyrjen ishte i qëndrueshëm. Mirëpo, meqë nuk kishte mbështetjen e mjaftueshme me vota ky opsion, Komisioni vendosi ta shqyrtojë. Gjatë diskutimeve, raporti mori mbështetje.
Ne e kundërshtuam raportin si përmbajtje, por nuk e kundërshtuam idenë e hetimit të rastit dhe nuk deshëm në asnjë mënyrë që rasti të ketë implikime në perspektivat e Kosovës.
Kosova është një shtet që e ka përcaktuar qartë të ardhmen e saj evropiane dhe është e interesuar të bëjë politika konsistente, që i hapin rrugë integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në gjithë strukturat e tij.
Ky ishte qëndrimi ynë: nuk pengojmë hetimin, por gjithçka që është në raport, është në nivel supozimesh e dyshimesh, nuk ka asnjë konstatim.
Natyra e çështjes që diskutohet është ligjore e juridike, ndërkohë që raporti është më shumë politik. Ne mendojmë se do të duhej të dominojë gjuha profesionale dhe jo politike në raport.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka raporte në shtyp, ku citohet Dik Marti të ketë thënë në debatin e sotëm se nuk ka sjellë prova për të vazhduar çështjen në rrugë ligjore, por e ka bërë më shumë për të tërhequr vëmendjen e opinionit. A është e saktë kjo deklaratë?
IBRAHIM GASHI
Ai vetë e tha se ka përmbledhur informacionet që kanë qarkulluar për këtë rast, por nuk ka prova. Ai ka bërë një përmbledhje të kësaj për ta mbajtur çështjen të ngritur, gjallë, por jo se ka sjellë ndonjë provë më shumë. Këtu ka qenë dhe reagimi ynë.
Ne sollëm argumentin që lidhet me deklaratat e ish-zëdhënëses së zonjës Del Ponte, Florenc Hartman, e cila shprehet se vetë zonja Del Ponte në fund ka thënë se, për mungesë provash, heq dorë nga vazhdimi i hetimeve për këtë çështje.
Sipas nesh, edhe zoti Dik Marti nuk solli ndonjë provë të re. Ai e shfrytëzoi një moment, si të them, për të dëmtuar proceset politike në Kosovë, sesa që i kontribuoi zbardhjes së rastit. Ai nuk solli asgjë më shumë se dyshimet e Del Pontes, vetëm i përsëriti ato.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhavit Haliti, në një intervistë për programin tonë dje, ka thënë se njerëzit e përfolur në raport nga zoti Marti, asnjëherë nuk janë kontaktuar – mes të tjerëve edhe ai vetë. A e ka ngritur këtë çështje zoti Haliti në debatin e sotëm?
IBRAHIM GASHI
Zoti Haliti e ka ngritur pikërisht këtë çështje. Ai ka thënë se do të ishte mirë që zoti Dik Marti “të më kontaktonte dhe të më konsultonte – unë mbase do të mund t’i ndihmoja në hartimin e këtij raporti”.
Do të thotë, ky reagim ishte pasi ai nuk ka kontaktuar me askënd nga figurat dhe emrat që përmenden në raport. Kjo, në njëfarë mënyre, jo pse nuk ka gjetur gatishmërinë e tyre për të biseduar, porse nuk ka insistuar.
RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, çfarë do të bëni ju si delegacion pas kthimit në Kosovë? Çfarë pritet institucionalisht të bëjë Kosova?
IBRAHIM GASHI
Unë mendoj se shteti i Kosovës – sikundër që deri më tani ka pasur një shkallë të gjerë të bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, gjatë gjithë procesit të shtet-ndërtimit – duhet të dëshmojë se edhe më tutje është shumë i gatshëm dhe i hapur për ta ruajtur këtë bashkëpunim dhe për ta forcuar.
Pra, duhet të ofrojë gjithë gatishmërinë e tij për gjithçka që mund t’i kërkohet, përfshirë edhe këtë rast – të ofrojë gatishmërinë e tij për t’u hetuar ky rast, por për t’u hetuar natyrisht me një ekspertizë dhe jo me një raport politik.