Ndërlidhjet

Investitorët e pambrojtur


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ekspertët e ekonomisë në Kosovë vlerësojnë se ky vend nuk ka mjedis të volitshëm biznesor për investimet e huaja dhe se një gjë të tillë e tregojnë edhe vlerësimet e organizatave ndërkombëtare. Muhamet Sadiku, ekspert për ekonomi, thotë se nuk janë krijuar kushtet për mbrojtjen e investitorëve të huaj dhe kjo reflekton mosforcimin e shtetit ligjor në Kosovë. Ndërkaq, Musa Limani nga Instituti Ekonomik i Kosovës, thotë se mungesa e infrastrukturës ligjore, si dhe jostabiliteti politik dhe ekonomik në vend, shprehen negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj.


Ambienti biznesor në Kosovë është në situatë mjaft delikate dhe sinjalet që dërgohen nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare, nuk janë kurajuese as për institucionet kosovare, e as për investitorët e huaj potencial, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike në Kosovë.

Ata thonë se sinjalet e tilla, institucionet e Kosovës duhet t’i kuptojnë shumë seriozisht dhe të marrin masa në këtë drejtim.

Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike, thotë se vlerësimet, të cilat vijnë nga organizatat e ndryshme botërore, siç ishte edhe raporti i quajtur “Të bërit biznes” për vitin 2011 nga Banka Botërore, e cila kohë më parë e rangoi Kosovën në vendin e 173-të, për mbrojtjen e bizneseve, nuk japin ndonjë optimizëm lidhur me këtë çështje.

“Nga aspekti i mjedisit të biznesit, duhet veçuar pozitën tejet të pavolitshme të bizneseve në Kosovë, nga aspekti i mbrojtjes së investitorëve të jashtëm”.
Ende ekziston një sistem i brishtë gjyqësor dhe kjo për investitorët është tejet e papranueshme.


“Këtu mendohet për mbrojtje efektive, sepse Kosova e ka një legjislacion, i cili në esencë është legjislacion jo diskriminues, por se në Kosovë mungon mbrojtja efektive. Do të thotë, me fjalë tjera, kjo tregon se në Kosovë ende nuk është forcuar shteti ligjor. Ende ekziston një sistem i brishtë gjyqësor dhe kjo për investitorët është tejet e papranueshme”
, thotë Sadiku.

Mendim të ngjashëm ka edhe Musa Limani, nga Instituti Ekonomik i Kosovës, i cili konsideron se për moskrijimin e një ambienti tërheqës për investitorë të huaj, fajtore janë vetë institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër, sipas Limanit, moskrijimi i këtij ambienti po ndodh në kohën kur Kosova gjendet në një situatë alarmuese ekonomike, me zhvillimin më të ulët, i cili quhet recesion.

“Ne tani nuk kemi as infrastrukturë juridike. Kemi një burokraci shumë të madhe në procesin administrativ të regjistrimit të firmave. Mandej, instrumentet e politikës fiskale janë shumë të dëmshme për investitorin e huaj. Pastaj, jostabiliteti politik dhe ekonomik. Të gjitha këto shprehen negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj”
, vlerëson Limani.

Ndryshe, këta ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se për të ndryshuar gjendjen aktuale dhe për të krijuar një ambient pozitiv për tërheqjen e investitorëve, Kosovës do t’i nevojitet kohë, duke pasur parasysh rrjedhën e ngjarjeve dhe zhvillimeve në vend.

Sadiku thotë se pas zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit, qeveria e re, nga kushdo që formohet, duhet t’i qaset urgjentisht dhe me seriozitetin më të madh kësaj çështjeje.

“Duhet pritur që qeveria e re, në fokus të interesimit të vet dhe objektivave, t’i ketë çështjet, të cilat janë duke u bartur nga ky vit në vitin e ardhshëm. Do të thotë, është me rëndësi që qeveria të ketë qasje racionale, të ketë në fokus zgjidhjen e problemeve”.

“Gjithsesi, të ketë politika ekonomike, me të cilat do të përmirësohet mjedisi i bizneseve dhe në këtë formë edhe mbroja e bizneseve, mbrojtja e investimeve të jashtme, sepse kjo është e vetmja mënyrë që Kosova një ditë të bëhet destinacion i investimeve të jashtme”
, thekson Sadiku.
...jam thellë i bindur se edhe vitin e ardhshëm nuk do të kemi investime të huaja, për arsye se ne nuk jemi të përgatitur.

Por, Limani shprehet mjaft skeptik se qeveria e ardhshme, do të mund të ndryshojë sadopak ambientin për investitorët e huaj, në vitin që vjen.

“Unë jam thellë i bindur se edhe vitin e ardhshëm nuk do të kemi investime të huaja, për arsye se ne nuk jemi të përgatitur. Edhe qeveria e re, e cila do të vijë, do ta kalojë 100-ditëshin, sikur të ishte 1 ditë”.

“Do të kalojë ndoshta edhe tërë viti i parë kalendarik, duke mos krijuar infrastrukturë juridike, duke mos krijuar një atmosferë të përshtatshme fiskale monetare, pastaj, atmosferë të sigurisë së investimeve dhe elemente të tjera të shumta, të cilat shprehen negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj”,
përfundon Limani.
XS
SM
MD
LG