Raportet e fundit të mekanizmave ndërkombëtarë, në të cilat Kosova kritikohet për gjendje jo të mirë ekonomike, në veçanti për një ambient të pafavorshëm për investitorët e huaj, ka nxitur reagimet e ekspertëve të çështjeve ekonomike në Prishtinë.
Ata thonë se pajtohen me kritikat e këtyre raporteve, ku thuhet që edhe pse Kosova ka sektorë të mjaftueshëm për investime, problemet e shumta dhe shkalla e lartë e korrupsionit, kanë ndikuar që investitorët e huaj të mos e shfrytëzojnë kapitalin e tyre në Kosovë.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thotë se me gjithë hapësirat e mjaftueshme për investime, barrierat e shumta në këtë sektor, i kanë bërë investitorët të hezitojnë të investojnë në Kosovë.
“Gjithnjë do të mbetet obligim për forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit, joformalitetit në ekonomi dhe gjithnjë do të jetë e nevojshme që Kosova ta përmirësojë sistemin e qeverisjes në të gjitha nivelet, sepse vetëm vendet që krijojnë ambient miqësor, mund të llogarisin në fluksin e investimeve”, shprehet Sadiku.
Ndërkaq, nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se përkeqësimi i klimës për investime në Kosovë është bërë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit.
Sipas Gërxhaliut, pa përmirësimin e këtyre fushave, Kosova do të vazhdojë të ketë nivel të ulët të investimeve dhe gjendje të rëndë ekonomike.
“Në Kosovë, korrupsioni dhe krimi i natyrës ekonomike është forcuar më tepër dhe, në këtë mënyrë, është utopike të mendojmë se mund të vijnë investitorë të huaj. Kosova është duke shërbyer për të promovuar investime në vendet e rajonit dhe jo në Kosovë”, thotë Gërxhaliu.
Për krijimin e një klime të favorshme për investitorët, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përgatitur edhe strategjinë për investime 2010-2012, por që kjo strategji ende nuk ka treguar rezultatet e para.
Eksperti Gërxhaliu thotë se Kosovës i duhet një strategji e mirëfilltë, e cila do të zbatohej dhe jo strategji që mbetet vetëm në letër.
“Një investitor, i cili vjen me para të gatshme për t’i investuar në Kosovë dhe sheh një ambient të tillë, sigurisht se ato para do t’i lënë në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë arsye, fatin do ta ketë ose Maqedonia ose Shqipëria, por jo Kosova”, vlerëson Gërxhaliu.
Ndërkaq, eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thotë se pa luftimin e këtyre dukurive negative, Kosova nuk mund të presë përmirësim të gjendjes aktuale ekonomike.
Sadiku sugjeron autoritetet kosovare të ndërmarrin masa të nevojshme, pasi që, siç thekson ai, tani është koha e fundit për të bërë më shumë në këtë drejtim.
“Realisht, investitorët presin më shumë nga Kosova në kuptimin e forcimit të shtetit ligjor, në kuptimin e përmirësimit të infrastrukturës, përmirësimin e qeverisjes, pastaj të luftimit të korrupsionit dhe luftimin e ekonomisë joformale”.
“Duhet pranuar se në përgjithësi bizneset e Kosovës janë duke u përballur me disa barriera, të cilat japin sinjale dekurajuese për përfshirjen e investitorëve të jashtëm në realizimin e projekteve të ndryshme”, shprehet Sadiku.
Ndryshe Qeveria e Kosovës, vazhdimisht ka potencuar se ka një përkushtim të madh në krijimin e një ambienti të volitshëm për tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.