Ndërlidhjet

Rritja ekonomike zvogëlohet, pesimizmi rritet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosovarët nuk duhet të jenë optimistë se gjendja e tyre ekonomike dhe sociale do të mund të përmirësohet gjatë vitit të ardhshëm, pasi që të dhënat e fundit të mekanizmave ndërkombëtarë dhe parashikimet e ekspertëve të ekonomisë flasin për një rritje të pamjaftueshme ekonomike.



Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve thonë se në Kosovë nuk mund të ketë rritje ekonomike më të madhe se 4.5 për qind. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë se me këtë trend të zhvillimit, është e pamundur të sigurohet një përmirësim i gjendjes ekonomike dhe sociale në vend.

Rritja ekonomike në Kosovë do të sillet rreth 4 apo 5 për qind, sipas parashikimeve më pozitive; ndërsa, nëse i shohim parashikimet pak më konservative, ajo do të jetë diku rreth 3 për qind. Me këtë trend të rritjes, ne nuk do të kontribuojmë në zvogëlimin e papunësisë”, shprehet Musa.

Në parashikimet e fundit ekonomike të Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se ekonomia botërore do të rritet 4.8 për qind këtë vit dhe do të ngadalësohet paksa vitin e ardhshëm. Sipas vlerësimeve të FMN-së, rritja në vitin 2010 është pak më e shpejtë sesa ishte parashikuar.

Eksperti i ekonomisë, Alban Zogaj, shpreh bindjen se çdo rritje ekonomike në nivel botëror, do t’i ketë efektet pozitive në ekonominë e Kosovës.

“Pavarësisht se themi që nuk kemi ndonjë interacion të madh me vendet tjera të botës, ne kemi parë efektet negative të krizave dhe padyshim që do t’i shohim edhe efektet pozitive, kur të ketë rritje në ekonominë globale. Çdo lajm i tillë për rritje ekonomike në terma globalë është i mirëseardhur edhe për Kosovën”, thotë Zogaj.

Ekspertët vlerësojnë se në Kosovë duhet të reformohet sistemi ekonomik, për një rritje ekonomike më të lartë dhe më të qëndrueshme. Ndërsa, për të pasur përmirësim të situatës aktuale ekonomike dhe sociale në vend, rritja ekonomike, sipas ekspertit Lekë Musa, duhet të jetë 7.8 për qind.

Por, ai thotë se politikat aktuale ekonomike nuk janë në favor të kësaj përqindjeje.

“Brengosëse është çështja se kjo rritje ekonomike në Kosovë vjen nga investimet kapitale në sektorin publik, të cilat janë të drejtuara nga qeveria dhe jo nga sektori privat. Vetëm atëherë kur të kemi investime në sektorin privat, kjo rritje do të jetë pozitive dhe do të krijojë vende të qëndrueshme të punës”, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Alban Zogaj vlerëson se rritja ekonomike prej 4%, e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, nuk do të mund t’i zbusë problemet e mëdha ekonomike, me të cilat ballafaqohen kosovarët.

“Kosova do të duhej të arrinte norma shumë më të larta të rritjes së ekonomisë, në mënyrë që të ndihet një zbutje e këtyre problemeve. Ne kemi thënë se Kosovës i duhet një rritje ekonomike prej 7% për 10 vjetët e ardhshëm, në mënyrë që të zvogëlohet papunësia”, thekson Zogaj.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vazhdimisht kanë kritikuar autoritetet kosovare se nuk kanë bërë asgjë për të adresuar problemin e zhvillimit të ulët ekonomik dhe përmirësimin e politikave zhvillimore. Ata kanë potencuar se është koha e fundit për të bërë reforma të thella.

Përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve mbetet njëra nga sfidat më të mëdha për autoritetet kosovare.
XS
SM
MD
LG