Ndërlidhjet

FMN: Ekonomia po rimëkëmbet ngadalë


Ekonomia e botës vazhdon të rimëkëmbet nga kriza financiare, por ende mbetet në gjendje të brishtë.

Kështu vlerësoi Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin gjashtëmujor, që e shpalli në Uashington.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi rritje ekonomike prej 4.2 për qind për vitin 2011, më pak se 4.3 për qind sa parashikoi në korrik.

Për vitin 2010, Fondi pret që ekonomia botërore të rritet për 4.8 për qind, më shumë se parashikimi i mëhershëm prej 4.6 për qind.

Fondi tha se është i ulët rreziku nga recesioni i dyfishtë, që nënkupton rritje ekonomike dhe pastaj zhytje në një periudhë të dytë të rritjes negative.

Por, kryeekonomisti i FMN-së, Olivier Blanchard, tha se rritja ekonomike në botë, në përgjithësi po shkon ngadalë.

“Rimëkëmbja po ngadalësohet. Ajo që po ndodh është se disa forca, të cilat qëndrojnë prapa rimëkëmbjes, ende nuk e kanë marrë veten, siç janë investimet në zbulimet apo stimulet fiskale. Ato që po prijnë janë konsumi dhe investimet. Por, në vendet e përparuara, konsumi dhe investimet nuk janë shumë të fuqishme”,
tha Blanchard.

Fondi tha se rimëkëmbja e plotë nga kriza globale financiare ende nuk mund të sigurohet, sepse politikat korrektuese nuk kanë zgjatur aq shumë sa për të lejuar kalimin e butë nga mbështetja publike në kërkesat private.

Fondi parashikoi se në vitin e ardhshëm, ekonomitë në zhvillim dhe tregjet e tyre do të rriten për afro tri herë më shumë se te vendet e pasura. Sipas Fondit, rritja në Kinë do t’i tërheqë pas vetes shumë ekonomi, veçanërisht vendet që eksportojnë artikuj të konsumit të gjerë.

Fondi tha se ekonomitë e zhvilluara do të rriten vetëm për 2.2 për qind vitin e ardhshëm, më pak se 2.7 për qind sa FMN-ja pret të ndodhë në vitin 2010.

Megjithëse rritja ekonomike globale pritet të arrijë në 4.8 për qind, rritja në 16 vendete Eurozonës pritet të shkojë deri në 1.7 për qind.

Në Gjermani, ekonominë më të madhe në Evropë, Fondi parashikoi rimëkëmbje të “butë” dhe rënie nga 3.3 për qind në vitin 2010 në 2 për qind në vitin 2011. Arsyet për këtë FMN-ja i sheh te pritjet e ulëta që partnerët tregtarë kanë për rimëkëmbjen e Gjermanisë.

Fondi tha se përparimi drejt rimëkëmbjes do të mbetet “gradual dhe jo i njëjtë” te vendet evropiane.

Blanchard tha se rimëkëmbja te vendet e pasura është e dobët, për shkak të pasojave që ka lënë kriza.

“Nëse i shihni konsumatorët, ata po shpenzojnë si të marrë. Kursimet e tyre i janë afruar zeros apo kanë shumë borxhe. Kështu që tash duhet të kursejnë, që nënkupton se konsumi është relativisht i dobët. Sistemi financiar nuk është në gjendje të mirë. Kjo e pengon konsumin dhe investimet e forta”, tha Blanchard.

Fondi gjithashtu paralajmëroi për mundësinë e përhapjes së problemeve nga Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Spanja, të cilat kanë borxhe të mëdha. (v.p.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG