Ndërlidhjet

Musa: Vonesa në privatizim


Lekë Musa
Lekë Musa

“Autoritet kosovare janë vonuar me privatizimin e ndërmarrjeve publike në Kosovë. Përfitimet në këtë proces do të jenë shumë më të mëdha se sa humbjet që shkaktohen nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve publike. Prezenca e kompanive ndërkombëtare në Kosovë do ta ndihmojë vendin në zhvillimin ekonomik”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane (OEA), Lekë Musa.


RADIO EVROPA E LIRË
Privatizimi i kompanive të madh publike në Kosovë pritet të përmbyllet gjatë këtij viti. Si e vlerëson Oda Ekonomike Amerikane këtë proces dhe a mendoni se është bërë në kohën e duhur?

LEKË MUSA

Mendoj se lidhur me privatizimin e ndërmarrjeve publike ndoshta edhe jemi vonuar, por çështja e statusit të pazgjidhur dhe problemeve tjera ligjore lidhur me statusin, që të gjitha kanë ndikuar në këtë vonesë.

Mirëpo, shumë shpesh parashtrohet pyetja se a është momenti i duhur - tregu financiar ndërkombëtar, korporatat, të cilat janë të interesuara t’i blejnë këto ndërmarrje publike, a janë në një pozitë të mirë financiare? Mendoj se përgjigja në këtë është se nuk mund të jemi të sigurt se vitin e ardhshëm apo vitet në vijim gjendja do të përmirësohet sa i përket tregjeve financiare globale.

Prandaj, mendoj se duhet gjithsesi të vazhdohet në këtë ritëm. Ndoshta gjithmonë kam qenë në favor të një privatizimi edhe më të shpejtë të transferimit të tërësishëm të pronës publike në pronën private, ku Kosova do të kishte shumë përfitime.

Fillimisht, përfitimi kryesor është që të dërgohet një sinjal tek investitorët tjerë se në Kosovë mund të bëhet biznes, e sidomos në rast se ky proces shkon ashtu siç duhet dhe procesi është transparent edhe tërheq ndonjë korporatë të njohur globale, e cila vërteton se Kosova është një vend ku mund të investohet dhe mund të bëhet biznes.

Përfitimi tjetër, jashtëzakonisht i madh, është çlirimi i financave publike nga ngarkesa e sektorit publik, sepse siç e dimë, sektori i energjetikës në KEK, është një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe për sektorin publik dhe të gjitha ato veprimtari që mund të kryhen nga sektori privat duhet të barten në sektorë privatë që të mos ngarkohen pagesat e tatimeve nga ana qytetarëve.

Dhe, në fund, natyrisht kemi një ngritje të produktivitetit të efektshmërisë te këto ndërmarrje publike. Vetëm shikojeni për shembull shkallën e penetrimit nga ana e PTK-së. Kjo normë është ndër më të ulëtat, jo vetëm në Evropë, po ndoshta edhe në botë, diku me më pak se 5 për qind penetrim në 100 banorë.

Kjo me të vërtetë nuk ka koment, e sidomos nëse shikohet mënyra e shpërndarjes së rrjetit të PTK-së në konkurrencë me sektorin privat - aty ka ngecje jashtëzakonisht të mëdha dhe në këtë farë forme vetëm dëmtohet gjithnjë e më shumë sektori publik, sepse nuk ka forca dhe mundësi që të konkurrojë me sektorë privatë, për shkak të shumë problemeve të mëdha që shkaktohen dhe restrikcioneve të veprimit në sektorë publikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se do të mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik procesi i privatizimit në përgjithësi - do të mund të kemi ndoshta dhe rritje ekonomike në këtë rast?

LEKË MUSA
Përfitimi nuk është i menjëhershëm, ashtu siç e dimë, mirëpo në shumë raste nuk do të thotë se do të kemi një shkallë të papunësisë së lartë, sepse kjo është brenga kryesore në rast se e vështrojmë debatin e momentit, do të thotë në lidhje me privatizimin.

Dy janë çështjet, në të cilat hezitohet në lidhje me privatizimin: një është mundësia e rritjes së papunësisë, dhe e dyta është zvogëlimi i kontributit nga ana e PTK-së në buxhetin e Kosovës.

Ekziston një drojë se mund të ketë zvogëlim të tatimeve dhe dividentës, të cilën e ka marrë buxheti i Kosovës. Mirëpo, përfitimet nuk bën të shikohen në një aspekt afatshkurtër, por në aspekt afatgjatë – përfitimet janë shumë më të mëdha sesa humbjet që shkaktohen nga procesi i privatizimit.

Domethënë përfitimi themelor është se kemi një ambient më të favorshëm për biznes, një ndërhyrje të politikës shumë më të ulët në sektorin privat.

Pastaj, gradualisht me praninë e korporatave ndërkombëtare në Kosovë do të vijë deri të aftësimi, lëvizja shumë e shpejtë e kapitalit, e njohurive dhe e kemi efektin multiplikativ, i cili ndikon edhe në industritë tjera që është një formulë e vërtetuar dhe e dëshmuar në të gjitha vendet e tranzicionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket vlerës, sa mendoni se këto ndërmarrje po vlerësohen ashtu si duhet?

LEKË MUSA

Unë nuk kam njohuri se ekziston një vlerësim i caktuar i tyre. Ekzistojnë metoda të caktuara për matjen e vlerësimit të ndërmarrjeve publike kur dalin në treg. Përcaktohet një fitim para tatimit dhe para kamatës dhe pastaj kjo multiplikohet për disa vite dhe nxirret një vlerë e përafërt se sa mund të kushtonte një ndërmarrje publike.

Pasqyrat financiare të ndërmarrjeve publike nuk prezantojnë një pasqyrë të saktë për momentin dhe kjo është për dy arsye kryesore: e para është vlerësimi i aseteve, të cilat duhet të bëhen në mënyrë reale duke u bazuar në vlerën e tregut, dhe e dyta është çështja e borxheve të këqija, që janë në një shumë mjaft të lartë, po që nuk janë reflektuar saktësisht. Mendoj se i takon tregut që të përcaktojë çmimin real dhe vlerën e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Me pjesën e shitur të aksioneve të kompanive publike Qeveria planifikon të investojë në infrastrukturë dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Cilët mendoni ju se do të ishin sektorët ku do të duhej të fokusohej në këtë rast Qeveria?

LEKË MUSA
Në lidhje me përfitimet e nxjerra nga shitja, ekziston një moment ku Qeveria mund t’ia kthejë pasurinë, e cila është krijuar gjatë viteve popullsisë në Kosovë. Mendoj se ekziston një planifikim qeveritar, ekziston korniza afatmesme e shpenzimeve dhe aty janë përcaktuar prioritetet e Qeverisë, domethënë është arsimi, shëndetësia, investimet kapitale kryesisht në infrastrukturën rrugore.

Ma merr mendja se duhet të ketë prioritet ngritja, si e cilësisë së shëndetësisë, ashtu edhe e arsimit, sikurse edhe e atyre sektorëve që do të ndikojnë direkt në zhvillimin e biznesit në Kosovë, sepse është treguar se pas shumë përvojave paraprake nga Banka Botërore, investimi në shëndetësi, arsim dhe në infrastrukturë rrugore ka një efekt shumë pozitiv në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG