Papa Benedikti XVI ka arritur në Edinburg në fillim të vizitës katërditëshe në Britani, që është vlerësuar si historike. Papa shpreson se me këtë vizitë do të përmirësohen lidhjet e tensionuara ndërmjet katolikëve romanë dhe anglikanëve.
Papën e priti mbretëresha Elizabeta II, ndërsa qindra nxënës marshonin nëpër qytet me muzikë tradicionale të Skocisë.
Por, vizita e Papës është zbehur nga skandalet e abuzimeve seksuale, që e kanë lëkundur besimin në kishë dhe nga protestat ndaj politikave të Papës kundër homoseksualitetit, abortit dhe përdorimit të kondomëve për parandalimin e përhapjes së sëmundjes SIDA.
Kritikët, po ashtu, e kanë sulmuar çmimin prej 18 milionë dollarësh, sa vlerësohet se do të jetë çmimi i kësaj vizite për taksapaguesit britanikë, në kohën kur Britania po ballafaqohet me shkurtime të thella buxhetore.
Në këtë çmim nuk është përfshirë siguria.
Kundërthënia më e re shpërtheu gjatë natës, kur kardinali Ualter Kasper, këshilltar i lartë për marrëdhëniet e Vatikanit me Britaninë, dha dorëheqje pasi i tha një reviste gjermane se multi-kulturalizimi e ka bërë Britaninë si “vend të botës së tretë” me “një ateizëm të ri agresiv”.
Kjo është vizita e parë shtetërore zyrtare e Papës në Britani dhe e dyta prej se mbreti Henry VIII e themeloi Kishën e Anglisë në vitin 1534, për shkak të refuzimit të Vatikanit, që ta anulojë martesën e tij me Katerinën nga Aragoni.
Drejtori i Qendrës teologjike katolike në Birmingem, Paul Uatson, i tha Radios Evropa e Lirë, se vizita e Papës ka implikime të rëndësishme juridike për raportet e Britanisë me Vatikanin.
“Supozoj se shumica e katolikëve, për këtë vizitë nuk mendojnë si e para e Papës, pasi ne kishim vizitën e Papës Gjon Palit të Dytë, në vitin 1982, e cila ishte më tepër pastorale sesa shtetërore. Megjithatë, mendoj se katolikët janë shumë të entuziazmuar nga kjo vizitë”, thekson Paul Uatson.
Gjatë kësaj vizite të Papës parashihet edhe qëndrimi në Birmingem, ku ai do ta beatifikojë kardinalin e shekullit XIX, Xhon Henry Njumën. Xhon Uatson nga Qendra teologjike katolike, konsideron se ky do të jetë momenti kryesor i vizitës së Papës në Britani.
Ai më tutje thekson se vizita e Papës bëhet edhe në periudhën kur është shënuar rritje e numrit të katolikëve në Britani, më tepër si rezultat i imigrimit të katolikëve, sesa i kalimit nga një religjion në tjetrin në Britani.
“Sigurisht se një numër i imigrantëve katolikë e kanë rritur popullatën katolike në Angli. Mendoj se, në të njëjtën kohë, Anglia, sikur edhe një numër i shteteve të tjera evro-perëndimore, katolikët po e praktikojnë më pak fenë e tyre. Kjo, me gjasë është reduktuar, me imigrantët katolikë, e veçanërisht të atyre nga Polonia”, thotë Xhon Uatson.
Liderët romano-katolikë dhe ata anglikanë planifikojnë t’i theksojnë ngjashmëritë ndërmjet kishave të tyre, pas një viti të tensioneve në rritje.
Por, besueshmëria e Kishës ishte dëmtuar nga një varg i skandaleve të abuzimeve seksuale të fëmijëve.
Sue Cox thotë se Kisha ia mori fëmijërinë para 50 vjetësh, kur ajo ishte keqtrajtuar nga prifti katolik në moshën 10-vjeçare dhe ishte dhunuar nga i njëjti prift pas tri vitesh.
Priftin, të cilin ajo e kishte akuzuar, kishte vdekur. Por, rendi i tij i kishte paguar viktimës 25 mijë funta kompensim, për ta evituar procesin gjyqësor.
Tash zonja Cox e refuzon idenë që ta takojë Papën, nëse ai nuk do të jetë i gatshëm që autoriteteve sekulare t’u dorëzoj informacionet për sjelljen e keqe të priftërinjve, që e mban Vatikani.
Lidhur me takimin eventual me Papën, ajo thotë:
“Nuk kam dëshirë ta takoj Papën. As publikisht e as privatisht, derisa ai të ketë diçka për të thënë. Thënia “më vjen keq” është e lehtë. Është po ashtu ofenduese dhe jopërkatëse. Ajo që duhet të bëjë janë ndryshimet”, shprehet Sue Cox.(f.b.)