Ndërlidhjet

Çfarë bëjnë trupat amerikane në Irak?


Ushtar amerikan duke stërvitur
Ushtar amerikan duke stërvitur
Presidenti amerikan, Barak Obama, e mbajti premtimin duke e zvogëluar numrin e trupave amerikane në Irak në më pak se 50 mijë duke filluar nga 1 shtatori.

Por, ajo që haset më shpesh në rrugët e Bagdadit është pasiguria se çfarë vjen pas tërheqjes.

“Obama i premtoi popullit të vet se do të tërhiqej në një datë të caktuar dhe e respektoi zotimin. Por, ai e la Irakun në një situatë të vështirë, pasi gjërat nuk janë mirë këtu. Ai duhet ta mbante premtimin ndaj popullit irakian ashtu siç e mbajti ndaj popullit të tij”,
thotë për Radion Evropa e Lirë një banor i Bagdadit.

Kjo ndjesi paqartësie shtohet nga fakti se Iraku nuk ka ende qeveri edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Anthony Cordesman, ekspert për rajonin në Institutin e Studimeve Strategjike në Uashington, thotë se misioni i forcave të mbetura amerikane në Irak është të shërbejnë për të zmbrapsur çdo lloj ringjallje të dhunës.

“Ato që kanë mbetur janë gjashtë brigada me rreth 50 mijë njerëz, që dallojnë nga brigadat luftarake pasi u është shtuar personel që do të stërvitin. Ato nuk janë forca të dobëta apo jo efikase. Tani ato shërbejnë si zmbrapsës të çdo lloj ndërhyrjeje në Irak dhe mund të jenë përforcuese për forcat irakiane nëse një gjë e tillë nevojitet”,
thotë Cordesman.

Roli këshillues për brigadat e mbetura në Irak qëndron në mbështetjen ushtarake e civile për sektorët ushtarakë dhe të zbulimit të Irakut.

Trupat amerikane kanë kaluar realisht në këtë pozicion të ri muaj më parë se të bëhej zyrtarisht ndryshimi i operacioneve.

Megjithatë, do të ketë ende trupa amerikane të vendosura në terren në disa zona të caktuara, siç janë pikat e kontrollit përgjatë të ashtuquajturave vija të gjelbra në veri të Irakut, ku ndahet territori i vetëqeverisur kurd me pjesën tjetër të Irakut. Në këto pika kontrolli janë ushtarë irakianë, forcat kurde të njohura si peshmerga dhe trupa amerikane.

James Danly, ish-oficer amerikan në Irak, aktualisht në Institutin për Studime Lufte në Uashington thotë se ushtarët amerikanë nuk janë shumë të dukshëm në këto linja të gjelbra, por kanë një rol thelbësor në uljen e tensioneve kurdo-arabe.

“Forcat amerikane përgjatë linjës së gjelbër nuk kanë qenë ata që ndalonin e kontrollonin makinat. Ata ishin aty që raportet mes trupave irakiane dhe peshmergas kurde të zhvilloheshin ndershmërisht me shpresën e vendosjes së marrëdhënieve miqësore të qëndrueshme”,
thotë Danly.

Tensionet arabo-kurde lidhen kryesisht me dominimin e qytetit të Kirkukut, një prej qendrave kryesore naftëmbajtëse.

Nga ana tjetër, analistët ndajnë mendimin se forcat amerikane nuk do të përfshihen në përleshje në rast të incidenteve të dhunshme si këto të javëve të fundit.

“Për aq kohë sa kushtet mbeten si tani, ku kemi incidente të izoluara dhe jo pjesë e ndonjë dhunë masive, apo trazirave popullore, forcat amerikane do mbeten të angazhuara te misioni këshillëdhënës”
, thotë Danly. (i.b)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG