RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë mesazhet që do të sjellë ministri i Jashtëm i Gjermanisë gjatë turneut të tij në Ballkan, që fillon të mërkurën?
JOHANNA DEIMEL
Së pari, është shumë e rëndësishme që ministri gjerman zhvillon turneun e tij në Ballkan me mesazhin se Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Ballkanit në kohën kur kryeqytetet e tjera evropiane nuk janë shumë të interesuara për rajonin.
Ai do të japë disa mesazhe. I pari ka të bëjë me atë se Gjermania vazhdon të jetë e angazhuar që ta sjellë Ballkanin më pranë Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në BE.
Së dyti, çështja e Kosovës është e mbyllur pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai do të kërkojë që të shikohet drejt së ardhmes dhe kjo është e rëndësishme, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, që të mos jenë pengje të së kaluarës.
RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a është e saktë të thuhet se ministri i Jashtëm gjerman do të ushtrojë presion ndaj Serbisë që ta tërheqë apo ta ndryshojë propozim rezolutën e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme?
JOHANNA DEIMEL
Siç e thashë dhe më parë, pozicioni i Gjermanisë është i qartë. Pas opinionit të GJND-së, pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe nuk është më çështje për diskutim.
Serbia është shtet i pavarur dhe mund të paraqesë propozim rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme me përmbajtjen që dëshiron, por kjo do të shkaktojë më shumë ndarje - ndarje të panevojshme.
Kjo do të mund t’i thellojë ndarjet mes Serbisë, Shteteve të Bashkuara dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Është rrugë diplomatike e zgjedhur nga Serbia, por nuk është një mënyrë aspak e sofistikuar për t’iu qasur çështjes së Kosovës thjesht duke e sjellë në tryezë.
Ministri i Jashtëm gjerman do të përpiqet ta bindë Serbinë ta tërheqë rezolutën, ose së paku ta zbusë atë, por në fund kjo mbetet në dorë të Serbisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Thatë në fillim të kësaj interviste se është e rëndësishme që Gjermania të tregojë përkushtim ndaj Ballkanit derisa nuk ndodh kështu me shumë kryeqytete evropiane. Ekziston bindja se mesazhet e shefit të diplomacisë gjermane gjatë kësaj vizite janë dhe mesazhe të BE-së. A është e saktë një bindje e tillë?
JOHANNA DEIMEL
Padyshim Gjermania është një nga vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe ajo që ministri i saj thotë, ka peshë. Por, ai nuk mund të flasë në emër të Bashkimit Evropian.
Ai mund të sjellë disa mesazhe që i ndajnë dhe kryeqytete të tjera evropiane, por jo të gjitha. Por, siç e dini vendet anëtare të BE-së nuk kanë një zë të përbashkët rreth Kosovës. Pesë vende nuk ndjekin rrugën dhe qëndrimet e 22 vendeve të tjera.
RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ministri i Jashtëm gjerman do ta kushtëzojë integrimin evropian të Serbisë me çështjen e Kosovës?
JOHANNA DEIMEL
Para së gjithash më duhet të them se nuk është kusht. Kushtet janë përcaktuar në kriteret e Kopenhagës dhe vendet do të vlerësohen bazuar te meritat dhe përmbushja e reformave.
Duke e thënë këtë, nuk përjashtohet fakti se pas përvojës ku Bashkimi Evropian pranoi Qipron si anëtare të veten, vendet anëtare të BE-së do të hezitojnë, sepse nuk duan një lloj Qiproje të dytë në Union. Në këtë kuptim, Kosova është kusht.
RADIO EVROPA E LIRË
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane tha se Berlini do të kërkojë nga Serbia e Kosova normalizimin e raporteve. A është i mundur ky realizim në kushtet kur Beogradi nuk e pranon Kosovën?
JOHANNA DEIMEL
Shoh se ka nevojë dhe ka mundësi për t’u realizuar. Nëse shikoni zhvillimet e fundit në Kosovë, faktin se serbët e Kosovës në pjesën jugore janë gjithnjë e më shumë më të gatshëm e më pragmatikë të integrohen dhe ta pranojnë Kosovën si shtetin e tyre dhe të pranojnë institucionet e Kosovës, atëherë kemi një presion më të madh ndaj Beogradit.
Po shohim se edhe serbët e Kosovës në veri po tregojnë gjithmonë e më shpesh shenja se janë të gatshëm ta pranojnë realitetin në terren dhe të bëhen më pragmatikë. Në këtë kuptim, kemi gjithmonë e më shumë serbë në Kosovë që po përqafojnë një qasje më pragmatike dhe kërkojnë zgjidhjen e problemeve.
Nga ana tjetër, Serbia nuk ka interes që serbët e Kosovës të ikin dhe të vendosen në Serbi. Në këtë kuptim, kemi shumë tregues dhe zhvillime që e bëjnë të nevojshëm dialogun, si brenda Kosovës, mes shqiptarëve dhe serbëve, ashtu edhe mes Prishtinës e Beogradit.
RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se serbët në veri të Kosovës po tregojnë më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, por, nga ana tjetër, duket se veriu është kyçi i problemit. Serbia duket sikur po e përdorë veriun për të vazhduar betejën për Kosovën. Si e shikoni veriun dhe cili është pozicioni i Berlinit në këtë çështje?
JOHANNA DEIMEL
Pozicioni i Gjermanisë rreth veriut është i qartë: Veriu është pjesë integrale e Kosovës. Kjo nuk është çështje për diskutim. Çdo lloj sugjerimi për ndonjë Republikë Autonome të Veriut të Kosovës, apo për status special të kësaj pjese, nuk është i vlefshëm, pasi gjithçka është në Planin Ahtisari.
Plani parasheh kushte të posaçme për serbët e Kosovës dhe ata kanë shumë përfitime nëse ndjekin Planin Ahtisari. Pozicioni është shumë i qartë: Nuk ka asgjë për të ndryshuar nga Plani Ahtisari.