Ndërlidhjet

Janjiq: Beogradi pa strategji për Kosovën


Dushan Janjiq
Dushan Janjiq

"Beogradi duhet ta ndihmojë bashkësinë serbe që ta aftësojë për të biseduar me institucionet e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd. Sipas tij, pjesa veriore duhet të fitojë autonomi, jo për t’u ndarë, por për të bashkëpunuar me Mitrovicën jugore.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, filimisht çfarë janë pritjet tuaja nga mbledhja e së martës e Këshillit të Sigurimit për Kosovën?

DUSHAN JANJIQ
Kjo është një mbledhje e rregullt që mbahet në një kohë të pazakonshme. Kuptohet, pres që Beogradi dhe Prishtina, por edhe sponsorizuesit e tyre ta shfrytëzojnë këtë mbledhje që t’i theksojnë pikëpamjet e tyre rreth mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rreth rezolutës së ardhshme. Por, nuk pres diskutim të drejtpërdrejtë për këto çështje.

RADIO EVROPA E LIRË

Si e vlerësoni strategjinë aktuale të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?

DUSHAN JANJIQ

Në përgjithësi, nuk ekziston strategji e Beogradit. Ka diçka që quhet variacion i ideve të mëdha dhe të përgjithësuara që nga koha e Sllobodan Millosheviqit e deri sot. Ajo që Beogradi e ka treguar, më shumë i përngjan përmbledhjes së taktikave të pakoordinuara. Disa prej tyre kanë qenë mjaft tërheqëse dhe të suksesshme, siç ishte rasti i fundit i ngritjes së çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Por, rezultati i përgjithshëm i mungesës së strategjisë dhe veprimit të bashkërenduar nga Beogradi, është gjendja aktuale. Gjendja aktuale është e atillë që Kosova de fakto, dhe në një pjesë të madhe edhe de jure, është jashtë çfarëdo ndikimi të Serbisë. Ndërkohë, Beogradi tash ka ardhur në situatë që të merret me pasojat, ashtu siç është marrë gjithmonë.

Mendoj se Beogradi do të vazhdojë me këtë filozofi për ta vështirësuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Beogradi ndoshta nuk duhet ta pranojë statusin, por duhet ta pranojë realitetin në Kosovë, i cili është shumë më i ndërlikuar se çështja e statusit. Beogradi duhet të ndihmojë bashkësinë serbe në Kosovë që t’a aftësojë për të komunikuar me institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Z. Janjiq, për në vjeshtë janë paralajmëruar bisedimet e mundshme të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat disa i quajnë teknike, e disa politike. Si e shihni formatin e bisedimeve të tilla?

DUSHAN JANJIQ

Mendoj se formati i këtyre bisedimeve është përcaktuar qysh në vitin 2003, dhe ai është detyrim i Beogradit dhe Prishtinës, por edhe i Brukselit dhe Nju-Jorkut. Duhet të ringjallet dialogu i grupeve punuese, siç është ai për të zhdukurit. Rifillimi i dialogut duhet të jetë prioritet i Brukselit.

Nga ana tjetër, në Kushtetutën e Kosovës nuk ka garanca për komunikim vertikal të bashkësisë serbe me Beogradin dhe nuk ka garanci për autonomi territoriale. Nuk mjafton vetëm të formohen komunat e reja. Ato duhet të lidhen sipas linjës, e cila është e rëndësishme për identitetin kombëtar, siç janë gjuha, kultura, arsimi. Duhet të krijohet një lloj bashkësie komunash.

RADIO EVROPA E LIRË

Atëherë, çfarë statusi do të duhej të ketë pjesa veriore sipas jush?

DUSHAN JANJIQ

Sipas meje, është shumë racionale që pjesa veriore të fitojë një lloj autonomie të lartë administrative, por me obligim që të zhvillojë bashkëpunimin me Mitrovicën jugore. Aktualisht kjo nuk mund të realizohet, por do të mundej në një periudhë kalimtare. Pra, nuk duhet të krijohet perspektivë për ndarje, por perspektivë për bashkëpunim ndërmjet Mitrovicës jugore dhe veriore, sepse Mitrovica është qytet i ndarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG