Ndërlidhjet

Meta: Me gjithë kundërshtitë, Kosova në rrugë kah BE-ja


Ilir Meta
Ilir Meta

“Qëndrimet e Shqipërisë dhe Serbisë janë thelbësisht të ndryshme për pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët ndajnë bindjen se e ardhmja e Kosovës është në BE", thotë Ilir Meta, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Meta, kur flitet për raportet Shqipëri-Serbi nuk mund të anashkalohet kurrsesi Kosova dhe qëndrimet e të dyja vendeve janë totalisht të ndryshme ndaj shtetit të ri. A është diskutuar Kosova në takimet e juaja?

ILIR META
Sigurisht, kjo çështje nuk mund të evitohet. Dihet, qëndrimet janë thelbësisht të ndryshme për çështjen e statusit të saj dhe të pavarësisë së këtij shteti të ri.

Por, pavarësisht nga kjo, besoj se të dyja palët ndajnë të njëjtën bindje, se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe kjo e ardhme është mjaft e mbështetur në përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëretnike atje, kuptohet të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, ka pasur thirrje nga bashkësia ndërkombëtare për fillimin e bisedimeve për çështje praktike Kosovë-Serbi. A ka lidhje vizita juaj pikërisht edhe me këto thirrje?

ILIR META
Absolutisht që, ashtu sikurse ne ndajmë tashmë bindjen dhe vendosmërinë që, pavarësisht dallimeve thelbësore që kemi për statusin, mos t’i kushtëzojmë marrëdhëniet bilaterale apo bashkëpunimin rajonal në kuadër të integrimit evropian, mendoj se e njëjta gjë vlen edhe me këtë rast.

Pra, pavarësisht nga mospajtimet midis lidershipeve të Beogradit apo Prishtinës, është e domosdoshme, është në interes të qytetarëve, të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe në interes të rajonit tonë, stabilitetit të tij, që të zgjidhen përmes dialogut të gjitha çështjet praktike dhe të përditshme, që përmirësojnë jetën dhe standardet e qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË

A keni kërkuar ju diçka konkrete nga Beogradi lidhur me raportet që Serbia duhet t’i ketë me Kosovën dhe a është kërkuar nga ju diçka nga pala serbe, pikërisht për raportet me Kosovën?

ILIR META
Të dyja palët janë të vendosura që t’i trajtojnë në mënyrë konstruktive dhe evropiane të gjitha dallimet dhe problemet që ekzistojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur kritika nga pala serbe, madje edhe akuza për Shqipërinë, lidhur me të ashtuquajturën çështje të trafikimit të organeve. A është ngritur ky problem gjatë vizitës suaj në Beograd?

ILIR META

Përgjigjja që unë kam dhënë sot edhe për mediat vendase këtu, i pyetur për këto pretendime, ka qenë shumë e qartë dhe transparente, se Shqipëria është e vendosur, sikurse ka bërë edhe në të kaluarën lidhur me këto pretendime, të bashkëpunojë shumë ngushtë dhe në mënyrë transparente me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me Këshillin e Evropës, për investigime të plota, për t’u dhënë fund, njëherë e mirë, spekulimeve të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË

Është një problem tjetër, që është praktik, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në takimet ndërkombëtare. Pas pak ditësh është takimi në Slloveni i vendeve të rajonit. Serbia ka krijuar probleme për pjesëmarrjen e Kosovës lidhur me mënyrën se si do të prezantohet Kosova. A e keni ngritur këtë çështje për mënyrën se si të gjendet një zgjidhje që Kosova të jetë pjesë e zhvillimeve rajonale?

ILIR META
Qëndrimi që unë kam shprehur, ka qenë shumë i qartë. Është e rëndësishme që kjo konferencë të japë mesazhe të forta për perspektivën e shpejtë të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian dhe natyrisht është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen dhe suksesin e kësaj konference pjesëmarrja e të gjithë përfaqësuesve të rajonit.

Dhe, në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që të tregohet toleranca maksimale, për të garantuar këtë pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në këtë konferencë.

RADIO EVROPA E LIRË

E cili do të ishte reagimi i palës serbe?

ILIR META
Mund t’i pyesni ata, por unë besoj që të gjendet një zgjidhje praktike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Meta, është një tjetër problem në raportet Shqipëri-Serbi dhe bëhet fjalë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ka pasur tensione me ulje, me ngritje, gjatë viteve të fundit. A e keni diskutuar këtë temë dhe, nëse po, a ka Shqipëria ndonjë kërkesë konkrete lidhur me shqiptarët në Luginën e Preshevës?

ILIR META
Unë jam duke udhëtuar drejt Luginës së Preshevës, së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal të Qeverisë së Serbisë, zotin Millan Markoviq, ku do të zhvillojmë disa takime me përfaqësues të pushtetit lokal atje dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, për të dhënë mesazhe të duhura për të ardhmen e tyre evropiane dhe natyrisht për të adresuar të gjitha preokupimet e tyre, për të cilat unë kam marrë edhe garanci nga presidenti Tadiq, se do të bëjë gjithçka që ka mundësi për të përmirësuar standardet e tyre dhe për një integrim më të mirë të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG