Ndërlidhjet

Bugajski: SHBA-ja të involvohet në strategjinë për veriun


Janush Bugajski
Janush Bugajski

“Gjatë dy viteve të kaluara, prej shpalljes së pavarësisë, në Kosovë ka pasur disa suksese, por edhe mangësi”, thotë analisti Janush Bugajski, nga Qendra për studime strategjike dhe ndërkombëtare në Uashington.









RADIO EVROPA E LIRË

Brenda disa ditësh, Kosova e shënon dyvjetorin e pavarësisë. Si e vlerësoni ju punën e bërë gjatë kësaj periudhe nga institucionet?

JANUSH BUGAJSKI

Mendoj se nëse shikojmë prapa, është një fotografi e përzier; ka pasur disa suksese, por edhe mangësi. Sukses është se 65 vende e kanë njohur Kosovën, Kushtetuta është miratuar, janë mbajtur zgjedhjet lokale, që përgjithësisht konsiderohen të lira dhe korrekte, si dhe të organizuara mirë.

Pra, në këtë kuptim ka qenë e suksesshme. Megjithatë, do të thosha se dikush ka pritur se Kosovën do ta njihnin më shumë vende deri tash, pasi çështja e njohjeve e pengon Kosovën për të hyrë në institucionet ndërkombëtare, megjithëqë ka pasur sukses në anëtarësimin në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Por, ende është një rrugë e gjatë para Kosovës për t’u bërë anëtare e organizatave të tjera kryesore ndërkombëtare. Mirëpo, do të theksoja se para Kosovës gjenden disa prova të madhore, që do ta çonin procesin përpara, përfshirë, natyrisht, zgjedhjet më vonë këtë vit.

RADIO EVROPA E LIRË

Njëra nga sfidat e mëdha, sipas analistëve, është situata në veri. Në këtë aspekt, institucionet e Kosovës dhe ICO-ja po punojnë në strategjinë për veriun, me qëllim të integrimit të kësaj pjese në institucionet e Kosovës. Si i shihni zhvillimet në këtë situatë?

JANUSH BUGAJSKI

Kjo është shumë e rëndësishme. Pas takimeve dhe deklaratave aktuale, nga anëtarët e Qeverisë së Kosovës dhe të trupës monitoruese ndërkombëtare, duket se ekziston përkushtim i ripërtërirë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës në institucionet e vendit dhe, njëherësh, të çohet përpara procesi i eliminimit të institucioneve paralele, që e shkatërrojnë autoritetin e Qeverisë në Prishtinë.

Pyetja është se si do të implementohet kjo? Me fjalë të tjera, supozohet se nuk do të përdoret forca, por duhet të ketë stimulime në stilin e “shkopit dhe karotës”.

Pra, duhet përpjekur për t’i bindur njerëzit në pjesën veriore, që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, por të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, në mënyrë që pastaj autoritetet lokale të jenë pjesë e strukturës shtetërore kosovare.

Nuk do të jetë lehtë. Do të jetë i nevojshëm angazhimi i fuqive botërore dhe i komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se edhe Shtetet e Bashkuara, po ashtu, duhet të jenë shumë të involvuara.

RADIO EVROPA E LIRË

NATO-ja po i redukton trupat që shërbejnë në Kosovë, në kuadër të KFOR-it. Si e lexoni ju këtë reduktim të trupave në këtë situatë?

JANUSH BUGAJSKI

Në disa mënyra. Ju mund të argumentoni se është mirë dhe se tregon se Kosova po bën progres. Para së gjithash, trupat ishin vendosur atje për ta parandaluar dhunën ndëretnike.

Ne kemi shumë pak dhunë ndëretnike gjatë dy viteve të kaluara. Megjithëqë janë disa tensione, veçanërisht në enklava dhe me disa nga anëtarët më radikalë të pakicës serbe, nuk ka pasur kurrfarë ripërtëritje të dhunës dhe kjo paraqet një plus; kjo është pozitive.

Megjithatë, mendoj se, nëse me të vërtetë pjesa veriore e vendit do të përfshihet në institucionet e Kosovës, NATO-ja duhet të jetë e përgatitur për çfarëdo reagimi nga ana e disa elementëve më radikale në veri.

RADIO EVROPA E LIRË

Në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, që i përmendët, serbët në pjesën qendrore të Kosovës, ishin pjesë e zgjedhjeve, duke i injoruar rekomandimet nga Beogradi për të mos marrë pjesë, por serbët në veri i bojkotuan zgjedhjet. A mendoni se ekziston një ndarje e thellë ndërmjet serbëve, lidhur me çështjen e integrimit në shoqërinë kosovare?

JANUSH BUGAJSKI

Po, mendoj se ka ndarje ndërmjet atyre që e kuptojnë se e ardhmja e tyre është në Kosovën e pavarur dhe të atyre në veri, që ende mendojnë në kuptimin e mundësisë së ndarjes së Kosovës.

Për këtë arsye mendoj se mund të jemi dëshmitarë të disa konflikteve ndërmjet komunitetit serb, ose ndërmjet liderëve politikë serbë, sa i përket së ardhmes.

Për këtë arsye mendoj se EULEX-si dhe Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqen ta bindin Serbinë, që ajo ta shkëpusë vetveten, sa më shumë që të jetë e mundur, nga çfarëdo institucioni paralel në veri, pasi kjo nuk është e dëmshme vetëm për Kosovën, por është e dëmshme edhe për Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË

U përmend se deri tash Kosovën e kanë njohur 65 shtete. Sipas jush, ky numër a është i mjaftueshëm, apo i vogël?

JANUSH BUGAJSKI

Kjo paraqet një të tretën e vendeve të botës. Mund të imagjinoj se pas dy vitesh numri do ta kalojë gjysmën e vendeve në botë.

Por, siç thashë, duhet të bëhet ende punë e madhe për t’i bindur më shumë vende, veçanërisht në botën myslimane, por edhe shumë vende në zhvillim, që ndoshta janë në situatë të ngjashme me Kosovën, për ta kuptuar se Kosova është shtet i ri dhe se do të mbetet shtet i ri, prandaj opsioni më i mirë do të ishte që të njihet dhe të vendosen marrëdhënie diplomatike.

RADIO EVROPA E LIRË

Në fund të kësaj interviste një pyetje lidhur me liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi tash udhëtojnë pa viza, ndërsa Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina, jo. A e shihni ndonjë mundësi që, së shpejti, edhe për këto tri vende do të bëhet liberalizimi?

JANUSH BUGAJSKI

Mendoj se përfundimisht i gjithë Ballkani Perëndimor do ta ketë këtë liberalizim. Çështja është që të kemi shtete funksionale dhe stabile, që janë ndërkombëtarisht të pranuara, që BE-ja nuk i konsideron kërcënim njerëzit e këtyre vendeve kur ata udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Mendoj se liberalizimi do të ndodhë. Në këtë aspekt, vendet që i përmendët, janë me popullatë shumicë myslimane dhe për këtë arsye nuk duhet të ketë pengesa fetare dhe kulturore të çfarëdo lloji.

Për këtë arsye, është e rëndësishme për Evropën, që të tri vendet të përfshihen në procesin e liberalizimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG