Ndërlidhjet

Korrupsioni ngadalëson ekonomitë


Transparency International publikoi listën e vendeve më të korruptuara të botës.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009 ka dalë i lartë në disa vende, gjë që i ka ndalur përpjekjet për përballimin e krizës ekonomike dhe rimëkëmbjen nga kriza globale.

Këtë vit, anketa sjell raportin e nivelit të korrupsionit në 180 vende, pikërisht në kohën kur janë vërejtur shenja të përmirësimeve të krizës globale ekonomike.

Në raport gjithashtu tërhiqet vërejtja se niveli i lartë i korrupsionit në disa vende mund t’i ndalojë përpjekjet ndërkombëtare për t’i ndihmuar popujt e tyre të rimëkëmben nga rënia ekonomike.

Si e sheh këtë Jana Mitermajer, shefe e zyrës së Transparency International në Bruksel?

“Ajo që na brengos është se nga 180 vendet që i kishim në listë, të gjitha kanë marrë nga 5 pikë prej 10 të mundshmeve. Kjo është shqetësuese në shumë vende të brishta dhe jostabile, siç janë: Afganistani, Mianmari, Sudani dhe Iraku”.

“Nëse e shikoni këtë në kontekstin e rimëkëmbjes ekonomike dhe të masave stimuluese, të ndërmarra nga donatorë të ndryshëm, ende vërehet një bllokadë e qeverive të korruptuara”,
thotë Mitermajer.

Po ku e sheh ajo përmirësimin në luftimin e korrupsionit?

“Po të shikojmë në veçanti Gjeorgjinë, do të vëreni një ulje të korrupsionit. Megjithatë, këto vende ende kanë nota të larta në listat për korrupsion. Me zhdukjen e korrupsioneve të vogla, nuk do të thotë se përgjithësisht është ulur edhe niveli i lartë i korrupsionit”.

“Në Rusi ka rritje të paktë në luftimin e korrupsionit nga 2.1 në 2.2. Ky është një përmirësim i vogël nga nxjerrja e paketës anti-korrupsion të presidentit Medvedev”,
thotë Mitermajer.

Ku e mbështet Transparency International grumbullimin e të dhënave gjatë renditjes së vendeve sipas nivelit të korrupsionit?

Perceptimi i indeksit të korrupsionit është paksa kompleks. Në të vërtetë, është një sondazh i bazuar në disa anketa tjera dhe ajo që bëjmë ne, është grumbullimi i materialeve nga sondazhet e 17 ekspertëve të pavarur të biznesit dhe të institucioneve më në zë”.

“Transparency International vetëm bën përmbledhjen e sondazheve të tilla”,
përfundon Mitermajer.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG