Ndërlidhjet

20 vjet nga rënia e Murit të Berlinit


Muri i improvizuar i Berlinit
Muri i improvizuar i Berlinit

Në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe kolapsit të komunizmit në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, Radio Evropa e Lirë hedh një vështrim mbi ngjarjet dinamike të 1989-ës, që riformësuan skenën politike në botë.


Ishte një vit dinamik në historinë botërore, vit gjatë të cilit ra Muri i Berlinit dhe komunizmi në pjesën më të madhe të Evropës Lindore.

Revolucionet e vitit 1989, disa paqësore e disa të dhunshme, disa të organizuara nga populli, e disa nga vetë lidershipi i Partisë Komuniste, hoqën mënjanë diktatorët evropianë të Luftës së Ftohtë, duke i hapur rrugën demokracisë dhe reformave të tregut të lirë gjatë viteve '90.

Ishte 12 qershori i vitit 1987, kur presidenti amerikan, Ronald Regan, qëndroi te Porta e Brandenburgut në Berlin, duke e sfiduar sekretarin e përgjithshëm sovjetik, Mihail Gorbaçov, të shembë murin që ndante qytetin në Lindjen Sovjetike dhe Perëndimin Demokratik.

"Sekretar i përgjithshëm Gorbaçov, nëse synoni paqe, prosperitet për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse synoni liberalizim, ejani këtu, te kjo portë. Zoti Gorbaçov, hapeni derën. Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur”, pati thënë Regan.

Vetë Gorbaçov atë muaj kishte publikuar reformat politike dhe ekonomike të “perestrojkës”, në përpjekje për të ripërtërirë Partinë Komuniste.

Liderët e Evropës Lindore kishin mësuar se nuk mund të mbështeteshin më në tanket sovjetike për t'i shtypur kundërshtarët e tyre politikë.

Gorbaçov i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk pendohet për asnjë vendim që ai dhe lidershipi sovjetik kishin marrë 20 vjet më parë. Ai ka thënë se vendimet e tij ishin marrë në interes të Rusisë, gjermanëve dhe mbarë botës.

"Njerëzit në Rusi më pyesin si mund të kem hequr dorë nga kontrolli sovjetik. Por, nga çfarë kam hequr dorë? Kur përgjigjem në këtë formë, njerëzit s’dinë si të reagojnë. Çfarë kam dorëzuar? Poloninë polakëve. Çekosllovakinë, çekëve dhe sllovakëve. E kështu me radhë. Kujt i takonin këto vende?”.

“Njerëzit ende më thonë jo, ata ende nuk pajtohen. Por, duke hequr dorë, jeta për vendin tonë është bërë më e lehtë. Në këtë kuptim, reagimi i Rusisë nuk duhet të jetë subjekt i debatit”,
ka thënë Gorbaçov.

Regjimi komunist i Gjermanisë Lindore filloi të dobësohet në maj të vitit 1989, me Hungarinë, e cila krijoi një vrimë në Perden e Hekurt, duke lejuar dhjetëra mijëra gjermano-lindorë të kalojnë në territorin e saj. Mijëra emigrantë kërkuan strehim në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në Budapest, Pragë dhe Varshavë.

Vërshimet e emigrantëve u shtuan edhe më shumë pas 10 shtatorit të vitit 1989, kur Hungaria miratoi lejen edhe zyrtare për refugjatët gjermano-lindorë që të kalojnë në Perëndim. Çekosllovakia dhe Polonia miratuan marrëveshje të ngjashme në tetor të 1989-ës.

Shumëkush e sheh si pikë kthese “Revolucionin Paqësor” të Gjermanisë Lindore, 9 tetorin e të njëjtit vit. Atëbotë, policia gjermano-lindore hoqi dorë nga planet për të shpërndarë dhunshëm një demonstratë masive dhe paqësore në Lajpzig.

Gorbaçov sapo kishte vizituar liderin komunist të Gjermanisë Lindore, Erik Honeker, për ta detyruar atë që t’i pranonte reformat e “perestrojkës”.

Që prej atëherë, me protestat e përditshme të më shumë se një milion njerëzve në Lajpzig dhe në Berlinin lindor, ditët e Honekerit në zyrë ishin të numëruara. Ai dha dorëheqje më 18 tetor, për, siç pati thënë, arsye shëndetësore.

Egon Krenz mori detyrën përsipër. Ai s’kishte fuqi përballë protestave masive dhe nuk mund ta ndalte emigracionin e Gjermanisë Lindore drejt Perëndimit nëpërmjet Çekosllovakisë.

Më 9 nëntor, Qeveria e Gjermanisë Lindore vendosi t’i hapë kufijtë drejt Gjermanisë Perëndimore. Lajmi u bë i ditur nga Gunter Shabovski, anëtar i Politbyrosë së Gjermanisë Lindore.

"Dhe, prandaj kemi marrë vendimin sot për të publikuar një rregullore, nëpërmjet së cilës i lejohet çdo banori të Gjermanisë Lindore të largohet nga vendi në cilëndo anë të kufirit. Kjo hyn në fuqi menjëherë. Po ndodhë tani. Menjëherë, pa asnjë vonesë”, pati thënë Shabovski, paralajmërimi i të cilit ishte i hershëm, megjithatë.

Ligji thotë se gjermano-lindorët duhej të aplikonin për viza speciale dhe të prisnin, së paku, një ditë para se të largoheshin drejt perëndimit.

Dhjetëra mijëra qytetarë të Berlinit lindor që kishin arritur te vendkalimet kufitare u gjendën përballë policisë së papërgatitur, e cila nuk i lejonte të kalonin përtej.

Dhe, ndërkohë që madhësia e turmës shtohej paralelisht me zemërimin, disa udhëheqës të policisë kufitare vendosën t'i hapnin dyert dhe të lejonin qarkullimin e njerëzve.

Muri i Berlinit ra. Brenda një viti, Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore do të bashkoheshin.

Domino efekti

Kolapsi i Murit të Berlinit dërgoi sinjale të ngjashme në pjesën tjetër të bllokut lindor, duke nxitur rënien e regjimeve komuniste, një nga një, sikurse dominotë.

Todor Zhivkov, diktatori i Bullgarisë prej 35 vjetësh, dha dorëheqje një ditë pas rënies së Murit të Berlinit. Ishte ky një “revolucion bastioni”, i udhëhequr nga kragu reformist i Partisë Komuniste bullgare.

Ministri i Jashtëm, Petar Mladenov, dhe teknokrati reformist, Andrej Lukanov, morën përsipër Komitetin Qendror të partisë. Ata zhbënë partinë, që shërbeu si instrument për fuqinë personale të Zhivkovit dhe e ripagëzuan me emrin Partia Socialiste e Bullgarisë.

Revolucioni i Mëndafshtë

Në Çekosllovaki, opozita mbeti prapa në raport me fqinjët, në sfidimin e sistemit komunist. Por, me fillimin e ndryshimeve në Pragë, Revolucioni i Mëndafshtë, zhvendosi shpejt sistemin autoritar.

Opozita u kristalizua më 17 nëntor, kur shërbimet sekrete shtetërore dhunshëm shtypën një demonstratë studentësh në Pragë.

Forca opozitare, Forumi Civil, u themelua të nesërmen, për të koordinuar aktivitetet. Shumë anëtarë ishin nënshkrues të Kartës 77, një peticion ky i nxitur nga intelektualët disidentë të 1977-ës, i cili sfidoi të bëmat e regjimit komunist në rrafshin e të drejtave të njeriut.

Zëdhënës i Forumit ishte Vaclav Havel, një regjisor disident dhe nënshkrues i Kartës 77, zgjedhja e të cilit në postin e presidentit në dhjetor të vitit 1989, do të njihet si Revolucion i Mëndafshtë.

Së fundi, Havel i ka thënë Radios Evropa e Lirë se opozita ka qenë në pritje të një ngjarjeje kryesore për të organizuar protesta masive.

"Ajo që ishte e qartë megjithatë – dhe për këtë kam folur dhe shkruar edhe më parë – ishte fakti se herët a vonë, topi prej bore do të fillojë të rrotullohej dhe do të shndërrohej në ortek”.

“Askush nuk e ka ditur se çka do ta nxisë këtë top bore dhe kur do të ndodhë saktësisht. Ne nuk ishim magjistarë. Por, ishte e qartë, se herët a vonë, do të ndodhte”,
pati thënë Havel.

Dhuna e policisë kundër studentëve në Pragë ofroi atë shkëndijë që kërkohej, për të nisur një seri protestash masive mbarëkombëtare, të cilat në madhësi rriteshin ditë më ditë.

Më 27 nëntor, Forumi Civil, bëri thirrje për mbajtjen e një greve të përgjithshme. Turma të mëdha u mblodhën në Pragë, për të shprehur mosdurimin ndaj liderit të Partisë Komuniste, Milosh Jakes.

Dy ditë më vonë, qeveria e këtij të fundit ra. Tranzicioni relativisht paqësor bëri që revoltat në Çekosllovaki të fitonin mbiemrin historik “Të Mëndafshtë”.

Gjak dhe revoltë në Rumani

Për dallim nga Revolucioni i Mëndafshtë, ngjarjet në Rumani ishin të përgjakshme. Më shumë se një mijë njerëz u vranë gjatë përleshjeve me forcat e sigurimit, para se të rrëzohej diktatori Nikollaj Çaushesku.

Për pesë ditë me radhë, protestuesit në Timishoara, u shtypën në mënyrën më brutale nga forcat policore dhe ushtarake.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Emil Hurezeanu, përshkruan kaosin, të shtënat dhe trazirat, gjatë transmetimit të një emisioni më 18 dhjetor 1989.
"Timishoara, e shtunë, 16 dhjetor, 1989; ka një ushtrim force të përmasave të mëdha, ndërhyrje masive nga policia, forcat speciale të Securitates dhe ushtria. Në fillim, ishin vetëm disa qindra njerëz, pastaj u bën mijëra dhe, sipas disa njoftimeve, tani janë dhjetëra mijëra. Qyteti i Timishoaras është i bllokuar që prej të shtunës. Ngjarjet vazhduan edhe gjatë ditës së dytë, të dielën, kur protestat eskaluan”, pati raportuar gazetari i Radios Evropa e Lirë.

Çaushesku ftoi për mbajtjen e një tubimi më 21 dhjetor në Bukuresht, për të akuzuar revoltën në Timishoara. Por, ai e kishte keqinterpretuar gatishmërinë e popullit.

Çaushesku u detyra të strehohej brenda ndërtesës së Komitetit Qendror, gjatë shpërthimit të trazirave në kohën kur ai po i drejtohej turmës.

Tubimi u shndërrua në kaos dhe revolta vazhdoi në kryeqytet. Me grumbullimin e protestuesve në sheshin "Universiteti" në Bukuresht, duzina protestues u vranë nga forcat e sigurimit. Qindra u arrestuan dhe u rrahën.

Mëngjesin e së nesërmes, revolta ishte përhapur në të gjitha qytetet e Rumanisë. Dhe, derisa mijëra punëtorë marshuan drejt ndërtesës së Komitetit Qendror në Bukuresht, Çaushesku dhe gruaja e tij, Elena, u larguan me helikopter.

Revolucioni arriti kulmin kur forcat ushtarake të Rumanisë e ndërruan pozicionin. Çaushesku dhe e shoqja – të vetmuar pasi kishin dalë nga helikopteri në Targovishte – iu dorëzuan ushtrisë nga një ngasës, i cili i kishte gjetur në rrugë duke kërkuar transport.

Ata janë dënuar gjatë një gjykimi në një gjykatë ushtarake, mbi dyshimet që radhiteshin prej grumbullimit të paligjshëm të pasurisë, e deri tek vrasja e mijëra njerëzve para dhe gjatë revolucionit.

Të dënuar me vdekje, ata janë ekzekutuar nga një ekip qitësish në Ditën e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor, 1989.

Rënia e komunizmi do të pasohet me çmime të mëdha për popujt e Evropës Lindore.

Në disa vende, nocioni i identitetit kombëtar do të ringjallej - duke nxitur kështu edhe zhbërjen e ish-Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik më 1991 dhe duke çuar drejt betejave të dhunshme në Ballkan, Kaukaz e deri tek Azia Qendrore, rajone këto ku pasojat vazhdojnë të jenë të dukshme edhe sot. (A.V. & V.P.)

* * * * * * * * * *

Life On The German Border
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG