Ndërlidhjet

Aliu: Në Maqedoni ringjallet një anti-shqiptarizëm


Ali Aliu
Ali Aliu

"Në Maqedoni fatkeqësisht përsëritet tradita jo e mirë që shqiptarët të jenë dekor në institucione", thotë Ali Aliu, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Ai po ashtu thekson se kohëve të fundit në Maqedoni sikur po ringjallet një anti-shqiptarizëm.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Aliu, enciklopedia maqedonase ka nxitur reagime të ashpra te shqiptarët në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Duke mos hyrë në përmbajtjen e saj, ku shqiptarët, pos tjerash, paraqiten si “të zbritur nga malet”, do të doja t’ju pyes se kur u njoftuat për herë të parë me përmbajtjen e enciklopedisë?

ALI ALIU
Me përmbajtjen në tërësi të enciklopedisë ende nuk jam njoftuar, për arsye se nuk e kam në dorë, nuk e kam parë tekstin në tërësi dhe informatat i kam marrë përmes fragmenteve, pasuseve e citateve të nxjerra në shtypin elektronik dhe në atë të shkruar.

Prononcimet e mia janë mbështetur pikërisht në këto fragmente, meqë në tërësi dy vëllimet e enciklopedisë nuk i kam parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni se nuk keni qenë i njohur me pjesën për shqiptarët. Atëherë, si do t’i përcaktonit raportet brenda Akademisë? Ju thoni se si shqiptar nuk keni ditur gjë mbi atë që do të shkruhet për kombin tuaj?

ALI ALIU
Këto projektet në Akademi ndërtohen ashtu përmes ekipeve që i zgjedh Akademia. Në Akademinë e Maqedonisë unë jam anëtar i jashtëm dhe nuk jam në përbërjet aktive të punësimit, që nuk kam kurrfarë obligimi as të shkoj.

Por, nuk kanë qenë të përfshirë, nuk e di sa kanë qenë të informuar, të përfshirë dhe dy anëtarët e rregullt të kësaj akademie, njëri nga të cilët ka qenë në fillim i përfshirë në redaksinë e enciklopedisë dhe kur ka parë se si shkon puna, nuk eci me sugjerimet dhe qëndrimet e tij, ai ka dhënë dorëheqje, këtu e dy-tre vjet përpara.

Dhe, çfarë është punuar në atë enciklopedi në heshtje, nuk ka ditur kush as nuk ka provuar se a ka pasur mundësi të depërtohet në punën e ekipit lidhur me këtë enciklopedi.

Informimin për atë se çfarë ka afërsisht kjo enciklopedi e dimë pas datës së promovimit solemn të enciklopedisë. Dhe, nga përfolja, parafrazimi, botimi i fragmenteve origjinale, i citateve nga teksti i vëllimit të dytë, afërsisht është informuar opinioni shqiptar se çfarë qëndrimi ka enciklopedia ndaj historisë, ndaj gjuhës, ndaj kulturës, ndaj vetë popullit shqiptar.

RADIO EVROPA E LIRË
A u kanë ofruar anëtarët shqiptarë të Akademisë kolegëve të tyre maqedonas materiale për historiografinë shqiptare?

ALI ALIU
Jo. Pas tërheqjes së një anëtari që ka qenë Luan Starova, Akademia ka përfshirë brenda tre anëtarë nga jashtë dhe si zakonisht përsëritet si të thuash historia e shqiptarëve në Maqedoni, për gjysmë shekulli.

Si gjithnjë, gjenden shqiptarë që vihen në shërbim pikërisht të kauzës anti-shqiptare, në shërbim të një shfrenimi do të thosha anti-shqiptar. Sa ata i kanë shfrytëzuar edhe shkencëtarisht - dyshoj në cilësitë shkencore të atyre tre që figurojnë, tre bashkëpunëtorëve, emrat e të cilëve janë në Akademi dhe kjo është një fatkeqësi tjetër e jona.

Domethënë, kot e ka një palë që duke u tërhequr provon të rezistojë, kur menjëherë zëvendësimi bëhet aq lehtë dhe në mënyrë, do të thosha, aq fyese dhe degraduese. Ju i dini ato tre emrat që figurojnë si bashkëpunëtorë të enciklopedisë nga radhët e shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na i thoni zoti Aliu?

ALI ALIU
Po, është historiani Shukri Raimi, është Sefedin Sulejmani dhe Agim Poloska.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas skandalit që u krijua, shumë analistë kanë shtruar pyetje rreth mënyrës së pjesëmarrjes së shqiptarëve në instuitucionet e Maqedonisë, një ndër to është edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve. A mendoni se pjesëmarrja e arrin qëllimin?

ALI ALIU
Unë besoj se në tërësi jo. Fatkeqësisht po përsëritet tradita pak a shumë të them jo e mirë, për të mos thënë mjereuse e shqiptarëve, që pranojnë të jenë dekor në institucione qoftë të pushtetit, qoftë në institucione tjera, të kulturës, shkencës, arsimit.

Dhe, po të kishim një rol më cilësor të përfaqësuesve të tillë, ndoshta do të ishte ndërprerë me kohë ky provokim, për mua politik, i Akademisë, me një projekt që financohet nga të gjithë ne, nga të ardhurat e të gjithve. Domethënë, shqiptarët janë pjesëmarrës në këtë financim dhe fyhen në një mënyrë kaq cinike.

Pra, nuk funksionon diçka me këtë që po thoni ju. Shqiptarët janë edhe në koalicionin qevritar, domethënë në pushtetin ekzekutiv.

Të gjitha lëvizjet e fundit në përkrahje të kulturës në Maqedoni bëhen në mënyrë abuzive, përkrahen vetëm objekte të kulturës maqedonase, përkrahen objekte historike, kulturore, nga trashëgimia fetare vetëm e etnisë maqedonase, që te populli po nxit një revoltë, sidomos kohëve të fundit.

Dhe, do të thosha se përfaqësuesit shqiptarë disi janë të pazëshëm, pa efekt për t’u dalë zot kërkesave të shqiptarëve që injorohen në mënyrë shumë drastike.

Mandej, është edhe diçka tjetër – kohëve të fundit, në Maqedoni sikur ringjallej një anti-shqiptarizëm, një intolerancë. Ka pasur disa manifestime, siç ishte ajo e tifozëve të Vardarit në një lagje shqiptare, siç janë konfliktet në disa shkolla, mbetja e nxënësve shqiptarë jashtë përfshirjes, edhe pse kemi ligj të detyrushëm edhe për shkollimin e mesëm.

Një frymë anti-shqiptare sikur ishte e përshtatshme tash për një provokim kaq të madh, domethënë sikur është inkurajuar. Unë kujtoj që kështu duhet parë ky projekt, ky provokim dhe aty në radhë të parë duhet të ndërhyjnë pikërisht instancat politike shtetërore në Maqedoni, jashtë Maqedonisë, që të mund të vihet në vend ky provokim dhe fryma anti-shqiptare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG