RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Buçkovski, si do ta përkufizonit qëndrimin aktual të Qeverisë së Maqedonisë ndaj Kosovës?
VLLADO BUÇKOVSKI
Është e qartë se Maqedonia po kalkulon me vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën.
Sipas mendimit tim, kjo ndodh për shkak të ngrohjes së marrëdhënieve me Beogradin dhe pas dërgimit të sërishëm të ambasadorit maqedonas atje.
RADIO EVROPA E LIRË
Ku, sipas jush, qëndron shkaku për këtë ambivalencë, a vetëm për ambasadorin?
VLLADO BUÇKOVSKI
Sipas meje, ky nuk është shkaku i vetëm. Në përgjithësi, pra edhe në politikën e jashtme po vazhdon populizmi, i cili është veçoria kryesore e qeverisjes së Gruevskit.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Buçkovski, Kosova e ka përkrahjen e NATO-s dhe të shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, struktura këto ku Maqedonia synon të anëtarësohet. A do të thotë kjo se politika e Shkupit nuk është në një vijë me politikën e Brukselit?
VLLADO BUÇKOVSKI
Është më se e qartë se në tre vjetët e kaluar, Maqedonia, si një nga liderët në rajon dhe një nga aleatët më të fuqishëm të Brukselit dhe Uashingtonit, është bërë, sipas meje, shteti më i izoluar, i cili në pjesën e politikës së jashtme po bën shumë eksperimente.
Në vend që deri në fund t’i realizojë premtimet që u dhanë pas formimit të qeverisë ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ne tash po shohim se nga gjithë kjo ka mbetur vetëm premtimi i kotë.
RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria aktuale u shpalli moratorium marrëdhënieve ndëretnike, por ngjarjet në Nerez të Shkupit treguan diçka tjetër. Si e vlerësoni reagimin e pushtetit?
VLLADO BUÇKOVSKI
Megjithëse pushteti përpiqet që çështjet e marrëdhënieve ndëretnike t’i kufizojë brenda Marrëveshjes Kornizë, mendoj se atmosfera e krijuar vitin e fundit me antikitetin dhe me aleancën e fortë, të cilën Gruevski e demonstron me Kishën Ortodokse maqedonase, e prish konceptin e ndërtimit të shtetit multietnik, multikonfesional dhe multikulturor.
Përkundrazi, me sforcimin e “maqedonizmës” dhe kërkimin e rrënjëve te Maqedonia antike, ajo po krijon një atmosferë, e cila, sipas meje, është shumë e brishtë.
Incidenti në Nerez mund të jetë vetëm paralajmërimi i fundit se gjërat mund të shkallëzohen në kahe të padëshiruara, në qoftë se edhe më tej nënvlerësohet rëndësia e multietnicitetit të vendit tonë.
RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë tërheqin vërejtjen se përderisa Qeveria e Gruevskit thotë se po punon për integrimin në strukturat euroatlantike, brenda në vend po ndodhin procese dezintegruese. Çfarë është qëndrimi juaj?
VLLADO BUÇKOVSKI
Përfundimisht po tregohet se për Qeverinë e Gruevskit, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian nuk janë prioritet dhe se ata do të ishin të lumtur, ashtu siç parashohin disa analistë, që përkundër raportit pozitiv dhe rekomandimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE, grekët përsëri ta përdorin veton, që të mos vijë deri tek ajo që e dëshirojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.
Pra, të fillojë sforcimin e mëtejmë të nacionalizmit maqedonas dhe t’i kërkojë armiqtë e jashtëm jashtë vendit dhe ata të brendshëm në vend.
Për fat të keq, në Republikën e Maqedonisë nuk ndjehet fryma e euro-integrimeve, e cila dominon në disponimin e përgjithshëm të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike të tyre.
RADIO EVROPA E LIRË
A ka qeveria vullnet të sinqertë që të përballet me këtë çështje, meqë e ka shumicën absolute?
VLLADO BUÇKOVSKI
Mendoj se çelësi qëndron në sjelljen e Bashkimit Demokratik për Integrim. Për mua BDI-ja është e padefinuar, sepse për një periudhë të gjatë nuk mund të zbuloj se ku qëndron shkaku për këtë pozicion tejet të margjinalizuar të saj në Qeverinë e Maqedonisë.