Ndërlidhjet

Kramer: BE-ja dërgon në Kosovë burokratë, që nuk e njohin vendin


Helmut Kramer
Helmut Kramer

“BE-ja po dërgon në terren një klasë burokratësh, që nuk kuptojnë pse janë atje dhe nuk e dinë se çfarë po bëjnë", thotë për Radion Evropa e Lirë, Helmut Kramer, ekspert për Ballkanin në Universitetin e Vjenës.





RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Kramer, bazuar në njohjen tuaj, a mund t’i bëni një përshkrim përmbledhës gjendjes aktuale në Kosovë?

HELMUT KRAMER
Gjendja në Kosovë vazhdon të jetë e paqëndrueshme dhe kritike. Kjo vihet re më së shumti në fushën ekonomike e sociale, por edhe në problemet me kriminalitetin.

Përveç këtyre, ka një pakënaqësi të thellë të Qeverisë në Prishtinë ndaj politikave të fundit të EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Le të mbetemi tek raportet Qeveri - EULEX. EULEX-i po përpiqet të arrijë marrëveshje me Beogradin rreth bashkëpunimit policor, çfarë është kundërshtuar nga Qeveria, pasi nuk është përfshirë në proces. A besoni se prania evropiane dhe BE-ja në përgjithësi kanë strategji të qartë ndaj Kosovës?

HELMUT KRAMER
Jo, nuk mendoj se kanë. Politika e Bashkimit Evropian në Kosovë është politikë reaguese ndaj atyre që ndodhin dhe që dominohet nga parimi i stabilitetit. Kjo do të thotë që BE-ja është e butë me Serbinë, çfarë është shumë negative për Qeverinë në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këto kushte, çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës dhe BE-ja që të ndryshojnë gjendjen?

HELMUT KRAMER
Prishtina zyrtare nuk është shumë aktive. Aty vazhdon të sundojë politika bazuar në idenë se kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara.

Klasa politike në Kosovë është më shumë e shqetësuar për të siguruar e forcuar zonat e pushtetit dhe ndikimit personal, sesa të ndërmarrë nisma aktive e konstruktive.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbetemi tek mënyra e qeverisjes në Kosovë. Në raportin tuaj të pak kohëve më parë thoni se korrupsioni është ndër problemet kyçe. Sipas jush, në çfarë shkalle është i përhapur korrupsioni dhe çfarë kërcënimi paraqet për demokracinë në Kosovë?

HELMUT KRAMER
Korrupsioni është problem thuajse në çdo vend, përfshirë dhe vendet e zhvilluara. Do të kujtoja këtu rastin e Italisë.

Në Kosovë, korrupsioni po pengon klasën drejtuese që të orientohet drejt qëllimeve të përbashkëta të shoqërisë dhe të vendit.

Ekzistojnë këtu dhe disa ndikime nga tradita. Tek korrupsioni ndikon dhe mënyra klanore e të menduarit apo e zonave të ndikimit. Është një gjendje vërtet katastrofike.

RADIO EVROPA E LIRË
Përcaktimi katastrofik është një përcaktim i rëndë. A mund ta elaboroni më konkretisht mendimin tuaj?

HELMUT KRAMER
Po. Të zhvillosh një vend si Kosova, që cilësohet si shtet i papërfunduar, ku një pjesë e territorit kontrollohet nga Serbia, është një punë shumë e vështirë.

Nëse shtojmë këtu nivelin shumë të ulët të zhvillimit ekonomik dhe perspektivën po ashtu të dobët të këtij zhvillimi, situata bëhet më e qartë. Ekziston nevoja për një politikë realiste nga Qeveria, çfarë nuk po ndodh në realitet.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë shpresë në mesin e klasës politike në Kosovë? A ka të tillë që do të sillnin qasje të re në qeverisje dhe në zhvillimin e vendit?

HELMUT KRAMER
Për fat të keq, jam pesimist. Këtu ndikon së tepërmi dhe strategjia e Bashkimit Evropian, e cila për momentin është shumë kontradiktore.

Misioni i EULEX-it po përpiqet të zhvillojë rendin dhe ligjin pa pranuar pavarësinë e vendit. Ka dhe shumë elemente të tjera që e bëjnë pamjen të zymtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a ka dëmtuar në ndonjë mënyrë prania ndërkombëtare mënyrën se si është zhvilluar demokracia në Kosovë pas vitit 1999?

HELMUT KRAMER
Nga një anë kemi të bëjmë me një rast të suksesshëm në kuptimin që janë ngritur institucionet politike të pranuara nga popullsia dhe zgjedhjet janë mbajtur rregullisht. Megjithatë, mungon një kulturë politike demokratike dhe aktive.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët se Kosova është shtet i papërfunduar dhe i ndarë. Cilat janë gjasat që Kosova të shndërrohet në shtet unik?

HELMUT KRAMER
Mendoj se shpresat që të ndodhë një gjë e tillë janë në afat të mesëm apo të gjatë. Është shumë e rëndësishme që Qeveria serbe të pranojë procesin në Kosovë. Bashkimi Evropian ka mundësi që të ushtrojë presion mbi Beogradin, pasi Serbia është shumë e interesuar të anëtarësohet në BE.

Kemi të bëjmë me një situatë të vështirë, ku nga një anë kemi pavarësinë e Kosovës dhe nga ana tjetër kemi humbjen e krenarisë serbe. Këtu duhet thënë se Beogradi ka pasur disa suksese në raport me Kosovën. Mbetet të shpresojmë se Beogradi do të zhvillojë një politikë më realiste dhe pragmatike në raport me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë sinjal që BE-ja po zhvillon politikë kushtëzuese ndaj Serbisë në raport me qasjen e Beogradit ndaj Kosovës?

HELMUT KRAMER
Jo, nuk e kemi një politikë të tillë. Kjo nuk e ndihmon as Qeverinë në Prishtinë, e cila sheh se ka marrëveshje sekrete mes Beogradit dhe BE-së.

Së fundi, kemi përpjekje për marrëveshje në fushën e policisë, çfarë ka rritur shqetësimin e Prishtinës, pasi nuk janë informuar apo këshilluar për një gjë të tillë.

Në raportin tonë të para pak javëve themi se duhet të ketë një ribërje të strategjisë evropiane në Kosovë, si ajo e EULEX-it, por dhe strategjia e përgjithshme e BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse nuk po ndodh një gjë e tillë? A është shumë naive politika evropiane, me gjithë faktin që prej dy dekadash është e përfshirë në terren? A nuk ka nxjerrë BE-ja mësime nga përvojat e shkuara, përfshirë dhe atë në Bosnje?

HELMUT KRAMER
Besoj se është e trishtueshme. Këtu do të kujtoja shprehjen se me sa pak mençuri qeveris buldozeri. Diplomatët dhe politikanët përgjegjës janë shumë të shkëputur nga realiteti në Kosovë. Ata, madje, ende besojnë se po e sjellin Ballkanin Perëndimor drejt lirisë dhe demokracisë.

Problemi është se ata nuk kanë njohuri për kulturat vendore apo historinë e rajonit. BE-ja po dërgon në terren një klasë burokratësh, që janë në pozitë të privilegjuar atje, por që nuk e kuptojnë pse janë atje dhe nuk e dinë se çfarë po bëjnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG