Ndërlidhjet

Irani bllokon satelitët amerikano - britanikë


Nuk është e pazakonshme për qeveritë autoritare që të provojnë ta bllokojnë qasjen e opinionit për lajme të pacensuruara gjatë kohëve të krizave. Por, ky veprim paraqet shkelje të ligjeve ndërkombëtare të transmetimeve dhe tregon se sa ashpër Teherani po punon në izolimin e opinionit. Kjo është një betejë, që ishte e zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë.



Në shërbimin e Radios Evropa e Lirë në gjuhën persishte për Iranin, e-meilat dhe thirrjet telefonike nga Irani arrijnë pandërprerë.

“Është vërtet me rëndësi që Radio Evropa e Lirë të dërgojë raporte çdo moment te ne, sepse ne nuk kemi kurrfarë qasjeje për lajme brenda Iranit. Tash Zëri i Amerikës dhe BBC janë bllokuar”,
tha ky dëgjues nga Teherani, në telefonatën që i bëri shërbimit për Iranin të Radios Evropa e Lirë në Pragë, radio kjo që mbështetet nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

Ky dëgjues dhe të tjerët, në këtë mënyrë, po e ndihmojnë shërbimin Radio Fardas, që është shërbimi në persishte i Radios Evropa e Lirë, që transmeton 24 orë program në ditë, për t’u ballafaquar me censuruesit e Qeverisë iraniane.

Këta censurues kishin provuar t’i bllokonin programet në gjuhën persishte të sponsorizuara nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, pothuajse prej momentit, kur para një jave njerëzit filluan të protestonin për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit në këtë vend.

Për t’i bllokuar programet, autoritetet e Iranit e futën sinjalin e tyre në satelitët që transmetojnë program të jashtëm. Sinjali ishte me frekuencë të njëjtë sikur lajmet e jashtme, por me një fuqi më të madhe.

Si pasojë e kësaj, ata që kanë provuar që me antenat e tyre satelitore t’i dëgjojnë programet e jashtme, nuk kanë pasur sukses. Ata kanë dëgjuar vetëm sinjal të parëndësishëm.

Ngjashëm, Qeveria iraniane po i bllokon programet e jashtme në gjuhën persishte në valët e shkurtra dhe të mesme të radios, e veçanërisht në qendrat me popullatë më të madhe.

Derisa bllokimi është përshkallëzuar, transmetuesit e jashtëm në mënyrë dramatike e kanë rritur numrin e satelitëve në frekuencat e valëve të shkurtra, të cilat mund të gjenden duke i kërkuar.

Prej transmetimeve, fillimisht vetëm në satelitin HotBird 6, që mbulon Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, tash Radio Evropa e Lirë në gjuhën persishte transmeton në katër satelitë më tepër: Telstar 12, Nilesat 101, Arabsat BADR4 dhe Asiasat 3-D.

BBC-ja tha javën e kaluar se po përdorte vetëm dy satelitë të tjerë për të transmetuar në gjuhën persishte, ndërsa Zëri i Amerikës tash i transmeton programet e veta televizive nëpërmjet katër satelitëve me gjashtë kanale të ndryshme të distribuimit.

Kjo është një betejë, që ishte e zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë. Për dekada, ish-Qeveria sovjetike ka shpenzuar fonde të mëdha për izolimin e qytetarëve të vet nga burimet e jashtme. Por, prej atëherë, kjo mënyrë nuk është parë shpesh.

Irani, në mënyrë periodike, ka bllokuar transmetuesit e Shteteve të Bashkuara në momente kritike, përfshirë edhe demonstratat e studentëve në vitin 1999 dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2005, por asnjëherë me përpjekje të këtilla siç janë bërë tash.

Aktiviteti i këtillë i Iranit i aktualizon disa çështje juridike, pasi bllokimi po i godet edhe transmetimet në vendet e tjera, e jo vetëm në Iran.

Rod Kirvan, ekspert për të drejtën e transmetuesve ndërkombëtarë në Londër, thotë se Irani ka të drejtë, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, për telekomunikime, që ta kontrollojë përdorimin e spektrit të transmetimeve brenda territorit të vet, përfshirë edhe transmetimin e jashtëm satelitor.

Por, kur kjo ka efekt edhe në vendet fqinje, atëherë krijohet një ndërhyrje e dëmshme në të drejtat e njëjta të anëtarëve të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve.

“Spektri është e drejtë sovrane, është sikur territori i vendit dhe i mbetet atij vendi që të vendosë se si më së miri të përdoret ky spektër dhe, kuptohet, shtetet kanë nënshkruar, për të mirën e përgjithshme, marrëveshje të koordinimit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve, me qëllim që çdokush të punojë dhe të ketë shërbime të lehta ndërkombëtare. Por, ky është një lloj kufizimi vullnetar në lirinë e juaj për të vepruar si trupë sovrane dhe këtu është tensioni: e drejta kombëtare ndaj sovranitetit të territorit apo spektri kundër së drejtës koordinuese ndërkombëtare”, thotë eksperti Kirvan.

Ai thotë se nëse shtetet e tjera ankohen, rasti mund të shndërrohet në një çështje kontestuese në rritje, por, me gjasë, kjo nuk do të rezultojë me dënim të qartë ndaj Iranit.

Kjo i mundëson Iranit që bllokimi i transmetuesve të jashtëm të jetë një strategji shumë e lirë politike, pasi, në aspektin financiar, nuk është aq i shtrenjtë.

Qeveria e Iranit po i bllokon edhe shumë faqe në internet.

Prandaj, disa nga mesazhet që i merr shërbimi në persishte i Radios Evropa e Lirë, paraqesin thirrje për ndihmë nga bota e jashtme nga popullata e bllokuar në Iran.

“Unë po thërras nga Bandar Abas në Iranin jugor. Sot është e diel, 21 qershor. Të gjitha faqet, radiot dhe çdo gjë nga të cilat ne mund të kemi informacione të vërteta, janë bllokuar dhe ne tash nuk mund të kemi asnjë lajm. Tash ju duhet të tregoni nivelin më të lartë të teknologjisë suaj. Ne po presim të shohim se a jeni në gjendje t’i mbizotëroni këta parazitë apo jo”, thotë njëri nga dëgjuesit e shërbimit për Iranin të Radios Evropa e Lirë.

Lideri Suprem iranian, Ajatollah Hamnei, ka akuzuar mediat ndërkombëtare se po udhëheqin një “luftë psikike” kundër vendit të tij. Kjo është saktësisht akuza, që tash miliona iranianë mund ta bëjnë kundër zotit Hamnei.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG