Ndërlidhjet

Fevziu: Fituesi formon qeverinë pa koalicione


Blendi Fevziu
Blendi Fevziu

"Fushata parazgjedhore në Shqipëri, deri tash, kryesisht ka qenë e qetë. Pas zgjedhjeve, forca politike që do të fitojë, do të ketë mundësinë të formojë shumicën pa koalicione", thotë për Radion Evropa e Lirë, analisti Blendi Fevziu.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Fevziu, cili është parashikimi juaj mbi atmosferën që do t’i shoqërojë këto zgjedhje, duke pasur parasysh se tashmë në fushatë janë shënuar të paktën dy incidente, që nuk kanë kaluar pa u përdorur politikisht prej partive? Kujtoj rastin e Qeretit me vrasjen e një militanti të Partisë Demokratike apo atë të Malësisë së Madhe, ku u vra kryetari i Partisë Demokristiane...

BLENDI FEVZIU
Pavarësisht se incidenti i parë i Qeretit ka një shkak të mirëfilltë politik, ndërsa i dyti është ende me shumë pikëpyetje dhe nuk duket, për mendimin tim, se ka lidhje me zgjedhjet – incidentet kanë qenë minimale, incidente që në çdo vend të botës ndodhin në fushatë elektorale, pavarësisht rastit tragjik të Qeretit.

Fushata për mua, nga ajo sa i ndjek unë fushatat elektorale që nga e para e zgjedhjeve në Shqipëri, është shumë e qetë, nuk ka ndonjë problem tjetër, nuk ka tensionime të përmasave të mëdha, siç ka ndodhur rëndom në fushatat tjera, nuk flitet për dhunë, presion, etj.

Me sa duket, në këtë po ndikon dhe sistemi i ri elektoral, në të cilin nuk ka konfrontime direkte, por ka konfrontime të listave të partive, gjë që e shpërndan përgjegjësinë dhe tensionin dhe nuk e grumbullon tek personat konkretë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, kjo nxiti le të themi një reagim dhe thirrje për qetësi të përfaqësive ndërkombëtare – kujtoj ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo edhe atë çeke, në emër të presidencës së Bashkimit Evropian...

BLENDI FEVZIU
Janë krejt normale thirrjet e tilla. Po t’i vini re, këto thirrje janë fare minimaliste, krahasuar me thirrjet e zgjedhjeve të shkuara, të viteve të mëparshme, kur këto kanë qenë shumë herë më të shumëfishuara. Mjafton të kujtoj edhe zgjedhjet e 2007-ës.

Por, dua të them që Shqipëria ka vendosur një standard në zgjedhjet, duke u nisur që nga 2005-a dhe ky standard besoj se do të respektohet në këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e kartave të identitetit ka përbërë dhe pikën më të fortë të përplasjes mes opozitës dhe qeverisë. A janë kartat një çështje, mbi bazën e së cilës mund të ngrihet edhe kontesti i ardhshëm zgjedhor të them, në rastin e kundërshtimit të rezultatit?

BLENDI FEVZIU
Kartat ishin në dy javët e para të fushatës, në dy javët e dyta për mua nuk ekziston më si problem. Do ta keni vënë re që edhe opozita vetë nuk po e ngre më zërin për këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka një besim, nisur dhe nga sondazhet, që forca e parë politike, e dalë nga këto zgjedhje, do ta ketë vështirë që e vetme ta formojë qeverinë. Mendoni dhe ju kështu?

BLENDI FEVZIU

Unë nuk e di se kush mund t’i fitojë zgjedhjet. Unë di të them që parashikimet tona që njëra forcë politike nuk do të ndërtojë dot mazhorancën, nuk do të qëndrojnë, dhe njëra prej forcave, pra forca e parë që do të dalë, do të ketë mundësi thjeshtësist ta krijojë mazhorancën.

Po nisem nga analiza e Spanjës, i cili është një vend nga i cili ne kemi marrë sistemin elektoral, dhe Spanja ka prodhuar mazhoranca stabël dhe asnjëherë nuk ka qenë e varur nga koalicionet e tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, a nuk mendoni se për dy partitë e mëdha do të jenë problem dy koalicionet e formuara rishtazi – Poli i Lirisë në krahun e djathtë dhe koalicioni i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që mund të zbejnë, në njëfarë soj, peshën e Partisë Demokratike apo të Partisë Socialiste?

BLENDI FEVZIU
Ekzistojnë dy koalicione të mëdha që konkurrojnë për të fituar zgjedhjet të vetme. Ekziston LSI-ja, e cila do të jetë një faktor i rëndësishëm, siç ka qenë dhe në zgjedhjet e mëparshme. Ky koalicioni tjetër i së djathtës, i Polit të Lirisë, praktikisht nuk ekziston, nuk ka asnjë sondazh që e nxjerr fitues.

Duhet të kemi parasysh edhe eksperiencën tjetër, që më 2005-n, LZHK-ja (Lëvizja për Zhvillim Kombëtar), që ishte shumë më e fuqishme, që e kishte nisur shumë kohë më parë fushatën, doli pa asnjë deputet në parlament. Kështu që mund të krijojë probleme për mazhorancën, për PD-në, duke i hequr një pjesë të votave, por jo duke futur deputetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shikoni lëvizjen më të fundit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të bashkuar të majtën?

BLENDI FEVZIU
E konsideroj taktikë politike, nuk ka lidhje më me fushatën, nuk mund të bashkohesh 7 ditë para zgjedhjeve. E konsideroj një mundësi të Metës për t’u takuar me Nanon me fytyrën e pastër, që do të thotë një mundësi për të kapitalizuar votat e Nanos në drejtim të tij, por duke e bërë këtë jo në një takim të drejtpërdrejtë me Nanon, por një takim që ai e konsideron të të gjithë të majtës, i bindur që nga e majta do të vinte vetëm Nano.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG