Ndërlidhjet

Serwer: Vizita e Biden-it, riafirmim i mbështetjes së pavarësisë


Daniel Serwer
Daniel Serwer

“Ajo që unë shpresoj se do të bëjë Biden, është riafirmimi i mbështetjes për pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial”, thotë Daniel Serwer, nga Instituti i SHBA-ve për Paqe.



Duke u shprehur për vizitën e ardhshme të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë, eksperti Daniel Serwer, nga Instituti i Shteteve të Bashkuara për Paqe, me seli në Uashington, thotë se vizita “paraqet riafirmim të mbështetjes së pavarësisë së Kosovës”. Sipas tij, Shetet e Bashkuara, politikisht, do të jenë të pranishme në Kosovë “përgjithmonë”, ndërsa ushtarakisht “deri sa të arrihet një pajtueshmëri” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.



RADIO EVROPA E LIRË

Brenda disa ditësh, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta vizitojë Ballkanin. Sipas jush, cili është qëllimi i kësaj vizite në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë?

DANIEL SERWER
Duhet të pyesni Qeverinë amerikane se cili është qëllimi. Ajo që unë shpresoj se do të bëjë ai, është riafirmimi i mbështetjes për pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

Ai do ta ritheksojë mbështetjen për Bosnjë e Hercegovinën, si një shtet të vetëm, të pandarë, ashtu siç parashohin marrëveshjet, dhe do ta bëjë të qartë nevojën për reforma dhe përgatitje drejt Bashkimit Evropian në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, sipas jush, ky mund të jetë mesazhi i zëvendëspresidentit Biden drejtuar Prishtinës, Beogradit dhe Sarajevës?

DANIEL SERWER
Kjo është ajo që unë shpresoj se do të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se Kosova dhe në përgjithësi Ballkani po bëhen përsëri prioritete të larta të administratës së Shteteve të Bashkuara?

DANIEL SERWER
Varet nga ajo se çka nënkuptoni me fjalën prioritet i lartë. Zëvendëspresidenti Biden është një zyrtar i lartë i Qeverisë amerikane dhe është me rëndësi për të që ta vizitojë Ballkanin, por Shtetet e Bashkuara kanë prioritete të tjera, si Iraku, Afganistani, Irani, Lindja e Mesme dhe Koreja Veriore. Që të gjitha ato vijnë para Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dua ta shfrytëzoj këtë moment për t’ju pyetur lidhur me praninë e ardhshme, si politike, ashtu dhe ushtarake, të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Për sa kohë mendoni se do të vazhdojë kjo prani?

DANIEL SERWER
Politikisht mendoj se Shtetet e Bashkuara do të jenë atje edhe për një kohë të gjatë. Përgjigjja e saktë mund të jetë - përgjithmonë.

Ndërsa, në aspektin ushtarak, mendoj se forcat tona janë të reduktuara në nivelin më të ultë. Por, mendoj se ne duhet ta vazhdojmë praninë tonë ushtarake atje derisa Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një pajtueshmëri të ndërsjellë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të kalojmë në një çështje tjetër. Aktualisht në Kosovë janë dy misione ndërkombëtare, UNMIK-u dhe EULEX-i. Duket se UNMIK-u po reduktohet dhe fokusi tashmë është tek EULEX-i. Natyrisht se ekziston dhe Qeveria e Kosovës së pavarur. Si i shihni ju detyrat aktuale dhe misionet e tyre?

DANIEL SERWER
Mendoj se EULEX-i është misioni kryesor ndërkombëtar, që ka një mbështetje reale dhe energji pas vetes. Mendoj se administrata e Kombeve të Bashkuara duhet të reduktohet dhe po ashtu mendoj se Qeveria e Kosovës duhet vetë të qeverisë plotësisht.

Ka vetëm fusha të caktuara, si krimet ndëretnike, të cilat kërkojnë ndërhyrjen ndërkombëtare, andaj Qeveria e Kosovës duhet ta vazhdojë punën e vet dhe të qeverisë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri tash, Kosovën e kanë njohur 58 shtete. Fondi Monetar Ndërkombëtar ia ka ofruar Kosovës anëtarësimin e plotë. Nga pikëpamja juaj, a do të ndihmojë kjo për më shumë njohje?

DANIEL SERWER
Shpresoj se po. 58 njohje janë mirë, por 100 do të ishin edhe më mirë. Shpresoj ta shoh Kosovën me më shumë njohje, sa më shpejt që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund do t’ju pyes lidhur me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është duke diskutuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. A do të mund të ndikojë vendimi në këtë gjykatë në procesin e njohjes së pavarësisë?

DANIEL SERWER
Mund të ndodhë. Çështja në këtë gjykatë është disi shumë e paqartë dhe mjaft e rëndësishme. Mendimi im personal është se asnjë gjykatë nuk mund t’u tregojë Shteteve të Bashkuara se cilin shtet mund ta njohin dhe cilin jo.

Do të isha shumë i befasuar po qe se ka përpjekje të këtilla. Nuk mund të paragjykojmë përderisa gjykatësit janë duke e analizuar rastin dhe do të arrijnë në një konkluzion, por do të jetë shumë e rëndësishme të arrihen sa më shumë njohje, para se të merret një vendim për këtë rast.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG