Ndërlidhjet

Eksportimi i ujit në thatësirë?


Zyrtarë, aktivistë dhe biznesmenë do të takohen gjatë kësaj jave në Stamboll, për të diskutuar problemet e furnizimit me ujë në botë. Në kohën kur burimet ujore janë të kufizuara, zgjidhja që të vjen së pari në mend, është eksporti i ujit nga vendet me burime të konsiderueshme tek vendet e thata. Por, cilat janë problemet që shoqërojnë një zgjidhje të tillë?


Nuk përbën ndonjë sekret fakti se uji është i shpërndarë në mënyrë jo të drejtë në Tokë.

Shumë pjesë të hemisferës veriore, si Kanadaja dhe Siberia, kanë ujë me tepri. Por, disa mijëra kilometra më në jug, rajone si Azia Qendrore, Afrika Veriore apo Amerika Jugperëndimore, përballen vazhdimisht me thatësira dhe me mungesën e ujit.

Në këto kushte, natyrshëm njerëzit mendojnë ta korrigjojnë këtë padrejtësi të natyrës, duke lëvizur ujin nga zonat që e kanë me shumicë tek ato që janë të thata.

Një nga propozimet që qarkullojnë është ndërtimi i një kanali prej 2000km, që do të dërgonte ujë nga Siberia në Kazakistan dhe në Uzbekistan. Edhe në pjesë të tjera të botës, vendet po shohin rrugë e mundësi të ndryshme për t’u furnizuar me ujë.

As Bashkimi Evropian nuk bën përjashtim. BE-ja planifikon dërgimin e ujit nga Alpet e Austrisë drejt Spanjës dhe Greqisë.

Anders Berntell, drejtor ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar të Ujit, me qendër në Stokholm, thotë se idetë e tilla duhen vlerësuar. Ai shton se të gjitha këto projekte kanë një kosto shumë të lartë.

"Transferimi i ujit nga një rajon me burime ujore drejt një rajoni të thatë, është së paku një nga zgjidhjet që duhet marrë në konsideratë. Por, duhet theksuar se është një zgjidhje shumë e shtrenjtë. Kostoja e ndërtimit të kanaleve dhe linjave të transportit të ujit, është shumë e lartë", thotë Berntell, për REL.

Më tej, ai shton se projekte të tilla ndërshtetërore kërkojnë dhe një vullnet politik të konsiderueshëm. Por, problemet nuk mbeten me kaq.

"Cili do të jetë efekti i rrjedhjeve në ekosistem? Tashmë e dimë se shumë lumenj po përdoren më shumë se ç’duhet si burime ujore, çfarë është shoqëruar me ndikime të dukshme në ekosistem. Në këto kushte, çdo burim duhet vlerësuar në mënyrë individuale", sqaron Berntell.

Para takimit në Stamboll, 16 mars '09.

Megjithatë, disa vende kanë nisur projekte konkrete. Turqia është një prej shteteve që ka ngritur depozita uji për eksport pranë lumit Manavgat. Izraeli tashmë ka nënshkruar një kontratë 20-vjeçare me Turqinë për furnizimin me ujë.




Duke marrë parasysh problemet politike që mund të shoqërojnë transportin e ujit, disa ekspertë rekomandojnë si zgjidhje të mundshme formulën e njohur si "ndarje të përfitimeve".

Ja si e shpjegon formulën në fjalë eksperti Berntell:

"Nëse jemi në një situatë ku një vend ka rezerva të konsiderueshme ujore, derisa vendi tjetër ka të dhënat për prodhime të një numri produktesh bujqësore, mund të lejohet dërgimi i ujit në vendin e thatë, derisa nga prodhimet bujqësore të vendit me ujë të kufizuar, të përfitojnë të dyja shtetet", thotë Berntell.

Megjithatë, bashkëpunimi i vendeve rreth burimeve ujore të lumenjve ekzistues është më pak i kushtueshëm sesa krijimi i lumenjve të rinj, aty ku nuk kanë ekzistuar më parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG