Ndërlidhjet

Obama para Kongresit amerikan


Presidenti Obama do të flasë në një sesion të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit. Fjalimi do të mbahet në kohën kur ekonomia amerikane po tregon pak shenja ringjalljeje, me gjithë faktin se paketat miliarda dollarëshe të ndihmës janë miratuar shpejt.


Fjalimi i sotëm i Barack Obamas para Kongresit është i pari që nga ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë, afro një muaj më parë.

Rëndësia e fjalimit shtohet nga fakti se përkon me rrethana ekonomike të jashtëzakonshme. Detyra kryesore e Obamas është që të frymëzojë një lloj besimi dhe vetësakrifice tek publiku, në kohën kur vendi përballet me një krizë të rëndë ekonomike.

Fjalët e Obamas gjatë një takimi në Uashington, në prag të fjalimit të sotëm, pasqyrojnë gjendjen me të cilën përballet ekonomia amerikane.

"Derisa kemi shënuar përparim të rëndësishëm sa i përket përgjegjësive fiskale gjatë këtij viti, ky është vetëm fillimi. Në vitet që vijnë do të jemi të detyruar të bëjmë zgjidhje edhe më të vështira dhe të bëjmë më shumë për të adresuar sfidat tona afatgjata", tha Obama, duke përshkruar karakterisitkat e buxhetit për vitin fiskal 2010.

Sfidat dhe zgjedhjet e vështira gjenden kudo. Bursa amerikane ra në nivelin më të ultë në 12 vjetët e fundit, derisa investitorët po tregojnë nervozizëm lidhur me zhvillimet në sistemin bankar.

Gjigantë të ekonomisë amerikane si në sistemin bankar, por dhe në atë të industrisë së makinave, të sigurimeve e me rradhë, vazhdojnë të luftojnë për mbijetesë. Kjo është shenjë se ekonomia amerikane po vazhdon të bjerë, me gjithë paketat e ndihmës të miratuara nga qeveria.

Ende është herët të themi nëse paketat e ndihmës nga qeveria do të rrisin besimin e konsumatorit, çfarë është faktori kyç në luftën kundër recesionit dhe mbylljes së bizneseve.

Barack Obama

Presidenti Obama e di se nuk ka kohë për të humbur. Prandaj, në fjalimin e sotëm ai do të përpiqet të sigurojë amerikanët e thjeshtë se ndihma është në rrugë e sipër dhe ata do t'i tejkalojnë vështirësitë.

Një nga rrugët e shpresës është dhe ulja e deficitit buxhetor që ai ka trashëguar nga adminsitrata Bush dhe rreziku për thellimin e deficitit me miratimin e paketës së ndihmës prej 787 miliardë dollarësh.

"Sot, ju premtoj se do ta përgjysmojë deficitin që trashëgova deri në fund të mandatit tim të parë. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Do të na duhet të marrim shumë vendime të vështira dhe të përballemi me sfidat që i kemi lënë pas dore për një kohë të gjatë. Por, nuk mund të pranoj që do t'i lëmë fëmijët me borxh, një borxh që ata nuk mund ta paguajnë. Kjo do të thotë që t'i marrim përgjegjësitë tani, gjatë kësaj adminsitrate, në mënyrë që të vëmë nën kontroll shpenzimet", tha Obama, në prag të fjalimit të sotëm që do mbajë në Kongres.

Në përpjekjet e tij, presidenti Obama ka një ndihmës të rëndësishëm dhe ai është niveli i lartë i mbështetjes që gëzon në mesin e publikut amerikan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG