Ndërlidhjet

Kosova '08 - prej pavarësisë e deri tek EULEX-i


Qytetarët festojnë Ditën e Pavarësisë
Qytetarët festojnë Ditën e Pavarësisë

Viti 2008 në Kosovë u cilësua si vit historik, ai që solli lindjen e shtetit më të ri në botë.



Nën tingujt festivë, valle dhe lot gëzimi, viti 2008 solli në jetë shtetin më të ri në botë, Kosovën. Më 17 shkurt, në një seancë solemne të thirrur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.

Ishte ky kryeministri Thaçi duke lexuar para ligjvënësve Deklaratën e Pavarësisë dhe duke u zotuar për respektim të të drejtave për pakicat kombëtare, veçanërisht atë serbe, në përputhje me dispozitat e pakos së Martti Ahtisaarit.
Mbi të njëjtat zotime foli edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

“Kosova do të jetë një shtet demokratik, shumetnike, e integruar në rajon me marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetet përreth”,
pati deklaruar presidenti Sejdiu.

Jashtë mureve të Kuvendit, ndërkaq, qytetarët festonin gjithandej, duke mos arritur t’i përmbajnë emocionet.

“E gëzoftë kjo tokë, ky popull, kjo rini...”.

“Dita më e lumtur e jetës sonë, emocione jashtëzakonisht të mëdha”...

Emocionet u bënë edhe më të mëdha, kur shtetësia e Kosovës filloi të njihet të nesërmen nga fuqitë e mëdha perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania e kështu me radhë, e deri tek vendet e rajonit, si Kroacia, Bullgaria dhe Hungaria.

Dhe, ishin pikërisht ambasadat e disa prej këtyre vendeve që u sulmuan në Beograd, në shenjë zemërimi me mbështetjen që i dhanë ato pavarësisë së Kosovës.

Serbët protestojnë në Mitrovicë, 18 shkurt '08.

Në Kosovë, komuniteti serb gjithashtu reagoi me zemërim. Vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, një turmë protestuesish serbë dogjën dy pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që protestat nëpër rrugët e Mitrovicës ishin të vazhdueshme.



“Jetën e japim, Kosovën s'e japim”
- ishin parullat më të shpeshta në këto protesta, që rëndom shoqëroheshin me grisjen e flamujve shqiptarë dhe amerikanë.

Më 14 mars, protestuesit serbë arritën të depërtojnë dhunshëm në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në Mitrovicë. Tre ditë më vonë, më 17 mars, forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe policia e Kombeve të Bashkuara rimorën kontrollin mbi Gjykatën, por gjatë përleshjeve me protestuesit vdes një polic i UNMIK-ut, ndërkohë që plagosen dhjetëra të tjerë.

Për herë të parë, në formë publike, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë akuzojnë Beogradin se ka orkestruar dhunën në Mitrovicë. Autoritetet vendore, ndërkaq, gjenden përballë një situate të re, me faktin se nuk kishin asnjë kontroll mbi hekurudhat, gjykatat dhe doganat në veri.

Këtë çështje e ka nënvizuar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili më 3 prill shpallet i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

“Është një agjendë e Serbisë, e cila i bën bojkot dhe të vetmin instrument që ka, ka qytetarët serbë të Kosovës”,
pati thënë Haradinaj.

Ndërkohë, institucionet vendore bëjnë përpjekje për të vazhduar me përmbushjen e agjendës së tyre, pavarësisht nga situata në veri. Më 9 prill, Kuvendi i Kosovës voton Kushtetutën, në përputhje me vullnetin e shumicës dhe garancat për komunitetet pakicë.

Miratimi i Kushtetutës, 9 prill '08.
“Kushtetuta jonë e përcakton qartë shpresën, optimizimin, besimin dhe të drejtat tona, të cilat ne fuqimisht i mbështesim dhe të cilat na mbajnë të bashkuar”,
kishte deklaruar kryeministri Thaçi.

Kushtetuta është nënshkruar nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Pieter Feith.


“Në këtë Kushtetutë janë përfshirë të gjitha provizionet, për të cilat ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të nevojshme për komunitetet pakicë
”, pati thënë zoti Feith, por ishte pikërisht komuniteti serb, ai që e kundërshtonte ashpër misionin e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si mision që legjitimon pavarësinë e Kosovës.

Kushtetuta është fuqizuar më 15 qershor dhe pritej të shënonte fundin e periudhës tranzitore midis Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

"Është plotësisht proces ilegal, në të cilin komuniteti serb nuk e sheh asnjë interes",
pati thënë kreu i Këshillit Nacional Serb për Kosovën, Dragan Veliq.

Kjo situatë krijon një ngecje në njohjen e shtetit të ri, çështje kjo e ngritur edhe nga presidenti amerikan, George Bush, në takimin e 21 korrikut me udhëheqësit kosovarë, Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi.

Takimi me presidentin Bush.

“Premtova se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me ato shtete që nuk e kanë pranuar ende pavarësinë e Kosovës, për t'i bindur që këtë ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur", pati thënë presidenti Bush, pas takimit të cilësuar në Kosovë si historik.



Në përpjekje për të bllokuar këtë proces, Serbia inicioi çështjen e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, duke arritur më 8 tetor aprovimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të kërkojë një mendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi këtë çështje.

Por, vetëm një ditë më vonë, Kosovën e njeh Mali i Zi dhe Maqedonia, njohje këto që nga autoritetet serbe u cilësuan si thikë në shpinë për Serbinë. Deri tash, Kosovën e kanë njohur gjithsej 53 shtete.

Muajt e fundit të 2008-ës kalojnë në frymë të debateve të ashpra për zbarkimin e EULEX-it, përballë një plani gjashtëpikësh të Kombeve të Bashkuara mbi mandatin e misionit. Si të tillë, autoritetet në Kosovë planin e kanë quajtur të rrezikshëm për tërësinë territoriale. Plani ka qenë edhe shkak i protestave që vërshuan rrugët e Prishtinës.

”Jo ndarje jo, të bëhemi sovranë” – kishin brohoritur protestuesit.

Kjo situatë e ngrirë shtyu ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit për Evro-Azinë, Daniel Fried, të vizitojë Kosovën, më 17 nëntor.

“Ne do të ecim përpara mbi bazat e partneritetit dhe mbështetjes së Qeverisë së Kosovës, por edhe mbi bazat e marrëveshjes sonë që EULEX-i duhet të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës”, pati thënë zoti Fried, duke u përgjigjur në shqetësimet se EULEX-i do të mund të shtrihet vetëm në pjesët e banuara me shumicë shqiptare.


Misioni evropian për sundimin e ligjit, zbarkon më 9 dhjetor në gjithë territorin e Kosovës, ndonëse me një mandat ende të paqartë midis Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe Kushtetutës së Kosovës.


Fundviti i parë i pavarësisë, Kosovën e gjen jo vetëm me sfida politike, por, si edhe çdo vit tjetër, me përqindje ende të lartë të varfërisë dhe papunësisë. Të gjitha këto pritet të jenë sfida të vazhdueshme edhe në vitin e ardhshëm.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG