Ndërlidhjet

Serwer: Disa nga pikat çojnë kah ndarja e fshehtë


Daniel Serwer
Daniel Serwer

"Disa nga pikat e planit të Ban Ki Moon, si të tilla çojnë drejt ndarjes etnike dhe hedhin bazat e asaj që unë e quaj ndarje në heshtje apo të fshehtë", thotë për radion Evropa e Lirë, Daniel Serwer, nga Instituti Amerikan i Paqes.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Serwer, si do ta përshkruanit situatën aktuale në Kosovë, duke pasur parasysh mosmarrëveshjet dhe paqartësitë rreth EULEX-it?

DANIEL SERWER
Nuk mendoj se është e mire, për më tepër kur shoh se politikanët e moderuar që kanë bashkëpunuar me komunitetitn ndërkombëtar janë vënë në rrezik nga kjo mënyrë si po kërkohet të vendoset misioni evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Droja e udhëheqësve kosovarë ndaj planit të Ban Ki Moonit lidhet kryesisht me integritetin territorial të Kosovës. Plani shihet si një hap drejt copëtimit. Cili është vështrimi juaj ndaj planit?

DANIEL SERWER
Mendoj se plani padiskutim mund të interpretohet në këtë mënyrë, duke pasur parasysh se si është formuluar. Besoj se copëtimi është dhe synimi i Beogradit.

Rruga e vetme që disa nga pikat e planit të bëhen të pranueshme është që në fillim të tyre të theksohet se Prishtina dhe Beogradi e pranojnë që Kosova është një entitet politik, pavarësisht statusit. Për mua kjo deklaratë është neutrale ndaj statusit.

Mungesa e angazhimit që të ruhet Kosova si një entitet i vetëm politik bën që unë t’i shoh disa nga pikat e planit si të tilla që çojnë drejt ndarjes etnike dhe hedhin bazat e asaj që unë e quaj ndarje në heshtje apo të fshehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na sqaroni më hollësisht ndarjen në heshtje, siç e quajtët?

DANIEL SERWER
Ndarja në heshtje nënkupton se askush nuk e thotë që duan ta ndajnë Kosovën, por e nënkuptojnë atë. Kjo do të thotë se nëse e pranoni këtë plan, niseni në rrugën drejt copëtimit edhe pa e pranuar këtë si parim.

Mendoj se politikanët kosovarë kanë të drejtë të jenë të shqetësuar rreth planit dhe mundësisës së ndarjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Plani 6 pikësh vjen në një kohë kur kemi një rajon jo të qetë. Kam parasysh këtu pengesat serioze për integrimin e Maqedonisë si pasojë e mosmarrëveshjeve me Greqinë për emrin, apo gjendjen në Bosnjë. A është e paqartë e ardhmja e Ballkanit?

DANIEL SERWER
Po, mendoj se mungesa e fuqisë drejtuese të bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan sot mund të çojë drejt një situate ku gjëra shumë të këqija mund të ndodhin.

Ajo që na nevojitet është Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të pohojnë fuqishëm se ndarja sipas vijave etnike në Ballkan është e papranueshme dhe se Kosova dhe Bosnja nuk do të preken.

Të gjithë duhet ta pranojnë se këto janë rregullat e lojës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të presim një qëndrim të përbashkët BE-SHBA duke pasur parasysh tranzicionin në administratën amerikane dhe qasjen e BE-së ndaj vendosjes së EULEX-it?

DANIEL SERWER
Nuk e shoh që një pozicion i tillë do tëdalë në sipërfaqe së shpejti. Duhet të presim administratën e re amerikane. Nga ana tjetër jam i çuditur nga disa prej hapave që po bën Brukseli.

EULEX-i është i rëndësishëm vetëm brenda një kornize të caktuar politike dhe kjo kornizë duhet të saktësojë se Kosova është një entitet i vetëm.

Nëse dikush do ta vërë në pikëpyetje një gjë të tillë kjo mund të vihet në diskutim vetëm nga dy fuqi sovrane, Beogradi dhe Prishtina.

Të gjitha këto çështje, EULEX-I, serbët e Kosovës, e me rradhë, janë tema që duhen diskutuar drejtpërdrejt mes Prishtinës dhe Beogradit.

Është absurde që OKB-ja është përfshirë si ndërmjetësuese mes dy kryeqyteteve që janë 250km larg.

OKB-ja nuk ka qenë e suksesshme në Kosovë në disa drejtime, në fund të bisedimeve dhe plani i Ahtisarit ishte dështim; nuk patëm rezolutë të Këshillit të Sigurimit, ndaj është koha për Prishtinën e Beogradin të takohen drejpërdrejtë e t'i zgjidhin këto probleme vetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur propozoni bisedime Prishtinë-Beograd a nënkuptoni një raund të ri negociatash, ku do flitet edhe për statusin? Si i shihni këto bisedime?

DANIEL SERWER
Të dyja palët mund të diskutojnë për çdo temë. Në këndvështrimin tonë bëhet fjalë për dy shtete sovrane që diskutojnë për temat që i shqetësojnë.

Është e qartë se Serbia për Kosovën është tregu më i madh, kokëdhembja më e madhe politike dhe shqetësimi më i madh i sigurisë.

Do të ishte gabim për çdo vend të mos përpiqej të sqaronte problemet me fqinjin e parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët e Kosovës e kundërshtojnë planin 6 pikësh të Ban Ki Moon-it, duke qenë për herë të parë hapur kundër qëndrimit të Beogradit. A nuk ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare për problemet e Kosovës të flasë me vendasit dhe jo me Beogradin?

DANIEL SERWER
Sipas meje serbët e Kosovës për një kohë të gjatë kanë pasur qëndrime të ndryshme me Beogradin për shumë gjëra.

Kjo ka qenë e qartë për një kohë të gjatë por tani është urgjente, pasi ata rrezikohen nga plani i Beogradit.

Është plotësisht e drejtë që bashkësia ndërkombëtare të bisedojë direkt me serbët e Kosovës.

Por më e rëndësishme se kjo është që serbët dhe shqiptarët e Kosovës të kuptojnë se duhet të bisedojnë më shumë së bashku dhe të krijojnë një front të përbashkët tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Të ftuar të emisionit tonë kanë sugjeruar se adminsitrata e ardhshme amerikane mund ta refuzojë planin e Ban ki Moonit apo mënyrën si po kërkohet të vendoset EULEX-i. Sa e mundshme është një gjë e tillë?

DANIEL SERWER
Është plotësisht e mundshme, megjithëse askush nuk mund të flasë tani për adminsitratën e ardhshme amerikane.

Në situatën e krijuar problemi nuk është EULEX-i, por marrëdhëniet e këqija mes Prishtinës dhe Beogradit. Kur të rregullohen këtop raporte me lehtësi rregullohet dhe çështja e EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i madh është rreziku për ndarjen e Kosovës aktualisht?

DANIEL SERWER
Gjërat janë në rrezik kur i lejoni të jenë të tilla. Mua më duket se autoritetet e Kosovës kanë reaguar në përputhje me rrezikun.

Por duhet të përballemi me të vërtetën: Autoritetet në Prishtinë nuk kanë kontroll në veri të lumit Ibër dhe as mund ta vendosin kontrollin atje në rrugë paqësore në të ardhmen e afërt.

Është e dukshme se kosovarët kanë nevojë për bashkësinë ndërkombëtare në atë pjesë. Por ata kanë nevojë për një bashkësi ndërkombëtare me një mision shumë të qartë, të reintegrojë gjithë territorin e Kosovës në një të tërë.

Ata nuk mund të lejojnë situatën ku prania e EULEX-it dhe OKB-së të përdoret nën rrogoz si rrugë për të ndarë Kosovën.

Është e papranueshme që BE-ja apo OKB-ja ta lejojnë veten të përdoren për një gjë të tillë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG