Maqedonia para Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë në Hagë do të fillojë procedurë gjyqësore kundër Greqisë, me qëllim që ky institucion të kërkojë nga Greqia respektimin e marrëveshjes mes Maqedonisë e Greqisë në vitin 1995.
Marrëveshja e vitit 1995 e detyron Greqinë që të mos pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Mirëpo Greqia bëri të kundërtën në takimin e NATO-s në pranverën e këtij viti në Bukuresht, ku bllokoi dhënjen e ftesës për anëtarësim për Maqedoninë.
"Kërkesa jonë dhe ngritja e procedurës për mbrojtjen e nenit 11-të nuk ka të bëjë me çështjen e emrit dhe nuk ka për qëllim që të ndryshojë kursin e bisedimeve për emrin. Përkundrazi, Maqedonia në mënyrë të qartë konfirmoi edhe me këtë kërkesë se është e përkushtuar ndaj kësaj çështje dhe do vazhdojë të marrë pjesë në bisedimet që zhvillohen me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara", tha Antonio Milloshoski, shefi i i diplomacisë maqedonase.
Ai theksoi se Maqedonia me kërkesën e ngritur para GJND-së nuk kërkon mendim këshilldhënës, por rezultati përfundimtar të bëhet detyrues për të dyja palët.
"Vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe të obligueshme në aspektin juridik, ndërsa zbatimi dhe respektimi i tyre është kompetencë e Kombeve të Bashkuara" tha Milloshoski.
Presidenti i shtetit, Branko Cërvenkovski u distancua nga një hap i tillë.
"Qeveria merr vendim duke mos u konsultuar me presidentin", thuhet në komunikatën e shefit të shtetit. Më tej në deklaratë theksohet se "me qasjen e tanishme në procesin e negociatave kryeministri Gruevski dhe qeveria e tij e marrin përgjegjësinë e plotë për zgjidhjen e çështjes së emrit".
Por ministri Milloshoski tha se për këtë vendim është njoftuar presidenti dhe përfaqësuesit e institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare në vend.
Disa orë para këtij vendimi të qeverisë në presidencë u takuan kreu i shtetit, kryeministri dhe ministri i jashtëm ku u diskutua për caktimin e negociatorit të ri në bisedimet për emrin. Kohë më parë presidenti i Maqedonisë shkarkoi ndërmjetësuesin Nikolla Dimitrov.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Greqisë reagoi pas kërkesës maqedonase. George Koumoutsakos tha se "Greqia do të shkojë para GJND-së me vetbesim dhe vendosmëri nisur nga qartësia e argumentave të saj".