Në Kosovë ka punë, por jo gjithmonë ka kush ta bëjë.
Fabrikat, ndërtimtaria dhe tregtia në Kosovë po përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.
Teksa qytetarë largohen për paga më të larta në vendet e Bashkimit Evropian (BE), disa sektorë – si ai i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) – po arrijnë ta mbajnë fuqinë punëtore në vend, duke ofruar kushte më të mira dhe mundësi të reja.
Largimi i punëtorëve po e shqetëson prodhuesin Berat Mustafa, i cili drejton kompaninë Fluidi Group, në Gjilan, që prodhon vaj ushqimor dhe pije freskuese.
Për dy vjet, ai thotë se iu larguan 15 punëtorë, shumica prej tyre për një punë të re në vendet e BE-së.
“Të gjithë punëtorët të cilët janë larguar nuk janë punëtorë të thjeshtë - janë teknikë, teknologë, inxhinierë e kështu me radhë. Ky është shqetësimi më i madh”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ai tregon se së fundi kishin hapur një konkurs pune për dy teknologë, dhe se askush nuk kishte aplikuar.
Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vetëm brenda tre vjetësh, nga fillimi i vitit 2021 e deri në fund të 2023-tës, nga Kosova janë larguar mbi 105 mijë qytetarë. Të dhënat për vitin 2024 ende nuk janë në dispozicion, por ky trend ka vazhduar, veçanërisht pas liberalizimit të vizave për Kosovën për zonën e BE-së.
Por, me largimin e punëtorëve nuk ballafaqohet Arianit Fazliu, i cili drejton kompaninë softuerike Kutia, në Prishtinë, sikurse edhe shumë kompani të tjera në fushën e TIK-ut.
“Bashkëpunimi i kompanive kosovare me kompani të huaja ka sjellë projekte të reja, të cilat, rrjedhimisht, mundësojnë edhe kushte më të mira për punëtorët e kësaj industrie”, thotë Fazliu për REL-in.
Fazliu ka rreth 35 punëtorë, dhe shumica prej tyre punojnë nga shtëpia, por thotë se oferta dhe kërkesa në tregun e punës në sektorin e TIK-ut janë të balancuara.
Pse mungojnë punëtorët për fabrika, por jo edhe për fushën e TIK-ut? Përgjigjja, sipas ekspertëve, është e thjeshtë: paga dhe perspektiva.
Anisa Zogaj, hulumtuese në Institutin GAP, në Prishtinë, thotë se nga krahasimi që i kanë bërë pagave të Kosovës në sektorin e njëjtë me pagat në Gjermani, rezulton se edhe kur përshtaten me koston e jetesës në Gjermani, ato janë së paku dy herë më të larta se në Kosovë.
Por, ky dallim në paga nuk është edhe në sektorin e TIK-ut.
“Pagat në kompanitë e TIK-ut nuk janë të bazuara vetëm në tregun lokal të punës, pasi ka shumë persona që punojnë në këtë sektor, por ofrojnë shërbime për kompani të ndryshme ndërkombëtare, gjë që e bën sektorin më atraktiv”, shprehet Zogaj.
Mustafa thotë se në kompaninë e tij, paga mesatare është nga 700 deri në 800 euro neto, ndërsa, sipas Fazliut, paga mesatare në kompanitë e TIK-ut është deri dy herë më e lartë.
Si e ka trajtuar Qeveria problemin e ikjes së punëtorëve nga Kosova?
Nga Qeveria në detyrë e Kosovës kanë thënë se gjatë katër vjetëve kanë mbështetur me grante bizneset me potencial prodhues dhe kanë subvencionuar kredi investuese.
“Kemi pasur edhe masa për subvencionimin e rritjes së pagave të punëtorëve dhe subvencionimin e pagave për punëtorët e rinj përmes platformës Superpuna”, tha zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për REL-in.
Nga ekzekutivi pohojnë se “zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme është lidhja e arsimit me tregun e punës,” të cilën thonë se janë duke e jetësuar.
Sipas tyre, profilet e arsimit të dyfishtë u caktuan përmes dialogut me industri të ndryshme në Kosovë, që ato t’i përgjigjen nevojave të tregut.
Sipas të dhënave qeveritare, aktualisht arsimi i dyfishtë po zhvillohet në 12 profile në 23 shkolla profesionale brenda 14 komunave.
Zëvendësimi i punëtorëve nuk është i vështirë për kompanitë e TIK-ut, sepse edhe kur ka risi në këtë punë, zgjidhja është e thjeshtë, thotë Fazliu nga Kutia.
“Qëndrojmë mirë me fuqinë punëtore, sepse është shumë i lehtë konvertimi nga programer tradicional në programer të teknologjive të reja, të cilat do të kërkohen në vitet në vijim”, thotë ai.
Por, zgjidhjen brenda Kosovës nuk po e gjejnë lehtë prodhuesit.
“Nuk na mbetet rrugë tjetër, përveçse edhe ne të mendojmë t’i sjellim këta punëtorë profesionalë nga Azia, në mënyrë që prodhimi të mos ndalet”, thotë Berat Mustafa.
Nga Instituti GAP paralajmërojnë se, nëse ky trend i ikjes së profesionistëve dhe punëtorëve vazhdon, Kosova mund të përballet me ulje të prodhimit – në një ekonomi që, edhe ashtu, është shumë e varur nga importet.
“Duhet të fokusohemi në mobilizimin e fuqisë punëtore joaktive në Kosovë për të zëvendësuar boshllëkun e krijuar nga emigrimi i punëtorëve”, thotë Zogaj.
Sipas saj, shumica e vendeve të lira të punës kërkojnë aftësi praktike që mund të mësohen brenda një kohe të shkurtër, dhe mund të plotësohen me pjesëmarrjen më të lartë të grave në tregun e punës.
Këtë rekomandim për Kosovën e kishte dhënë vitin e kaluar edhe Banka Botërore në raportin e saj të rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, fokusi duhet të jetë te reformat në tregun e punës dhe mbrojtjen sociale, që do të ndihmonin në rritjen e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, përfshirë rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës”, shkruan në raport.
Sipas një ankete të fundit nga ASK-ja, e publikuar më 22 maj 2025, shkalla e joaktivitetit te gratë vazhdon të jetë e lartë.
Rreth 74 për qind e femrave të moshës 15 deri 64 vjeç nuk punojnë dhe nuk janë duke kërkuar një punë, ndërsa kjo matje te meshkujt rezulton me 39.4 për qind.