Ndërlidhjet

Michelle Obama - Zonja e Parë e SHBA-ve


Michelle Obama
Michelle Obama

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara nuk është i vetmi që po bën histori si i pari afro-amerikan që do drejtojë vendin. Është historik edhe fakti se një grua si Michelle Obama do të jetë Zonja e Parë e SHBA-ve.

Michelle Obama është një grua në karrierë, që nuk i ka munguar suksesi profesional. Njëherësh, ajo është nënë e dy vajzave dhe aktualisht një figurë publike që ngjall shumë interes.

Deri vonë, ajo dhe jeta e saj ishin thuajse të panjohura për shumicën e amerikanëve.

Shumëçka ndryshoi kur ajo mbajti një fjalim kyç në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve në gusht të këtij viti. Obama mori kandidimin zyrtar nga partia e tij si kandidat presidencial në Kuvendin e gushtit 2008.

Michelle Obama e përdori këtë mundësi për t'u paraqitur dhe për të bërë publike vlerat e saj, të familjes dhe vizionin e 44 vjeçares për Amerikën.

"Baraku dhe unë jemi rritur me shumë vlera të përbashkëta. Do të përmendja vlera të tilla si duhet punuar shumë për të arritur atje ku dëshiron apo fjala është lidhja me botën, ndaj duhet bërë ajo që premton, trajtimi i të tjerëve me dinjitet dhe respekt, pavarësisht nëse nuk i njeh, apo nuk je dakord me ta", tha Michelle Obama.

Ajo nuk la pa folur edhe për origjinën e saj dhe të bashkëshortit. Në dallim nga origjina "globaliste" e Barack Obamës, i lindur nga një baba kenian dhe nënë amerikane e bardhë, që ka bërë shkollimin e hershëm në Indonezi, Michelle Obama është tërësisht amerikane.

Ajo është rritur në komunitetin afro-amerikan të Çikagos në një familje punëtore, por shumë të lidhur.

"Unë vi këtu në Konventën e Partisë Demokratike si bijë e rritur në jug të Çikagos, nga një baba punëtor dhe një nënë që ka ndenjur në shtëpi me mua dhe tim vëlla".

"Dashuria e nënës sime ka qenë forca që mbante familjen tonë të bashkuar. Dhe, një nga kënaqësitë e mia më të mëdha është të shoh integritetin, shpirtmadhësinë dhe mençurinë e saj të pasqyruar tek bijat e mia".


"Im atë ishte shkëmbi ynë mbështetës. Me gjithë faktin se ai u diagnostifikua herët, qysh në moshën 30 vjeçare, me sklerozë të shumfishtë, ai mbajti financiarisht familjen. Ai ishte kampioni dhe heroi ynë", tha Michelle Obama.

Michelle dhe i vëllai ishtin të shkëlqyer në shkollë, çfarë i çoi ata nga shkollat publike të Çikagos në një nga universitetet më prestigjioze në Amerikë, në Princeton.

I vëllai, Craig Robinson, ishte një nga basketbollistët më të mirë në historinë e këtij universiteti. Aktualisht, ai është trajner në basketbollin profesional.
Vetë Michelle pas Princeton shkoi në Harvard, ku studioi për drejtësi. Ajo u takua me Barack Obamën, që gjithashtu ndoqi studimet për drejtësi në Harvard, në një firmë ligjore në Çikago.

Barack dhe Michelle Obama
Më vonë Barack Obama iu fut politikës dhe u bë senator. Por, ishte Michelle Obama ajo që sillte më shumë të ardhura në familje, derisa mbante një post drejtues tepër të rëndësishëm në Universitetin e Çikagos.

Gjatë fushtës zgjedhore, kundërshtarët e Barack Obamës u përpoqën ta dobësonin pozitën e tij, duke sulmuar Michelle Obamën.

Ata e paraqisnin Michelle Obamën si një afro-amerikane gjithë zemërim. Më pas, ata sulmuan komentet e saj në shkurt të këtij viti, kur tha se "për herë të parë në jetën time si e rritur jam realisht krenare për vendin tim".

Ajo shtoi se kjo "nuk lidhej vetëm me faktin se Barack po shënonte suksese në garën brenda demokratëve, por se njerëzit janë të etur për ndryshime".

Kritikët thoshin se komentet e saj ishin jopatriotike. Në mbrotje të Michelle Obamës atëbotë u vu dhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Laura Bush, e cila tha se fjalët e zonjës Obama ishin keqinterpretuar.

Vetë Michelle Obama u përpoq të ishte e kujdesshme dhe të korrigjonte çdo keqkuptim lidhur me këtë deklaratë.

"Të gjithë ne drejtohemi nga besimi i thjeshtë se bota në gjendjen aktuale nuk funksionon. Është detyrimi ynë të luftojmë për ta ndryshuar botën, në mënyrë që ajo të jetë si duhet".

"Ky është filli që lidh zemrat tona, që përcakton ditën time, atë të Barackut dhe të shumë prej juve, është ky fill lidhës që na ka sjellë të gjithëve këtu, ku historia takohet me shpresën. Kjo është arsyeja që e dua vendin tim", tha Michelle Obama në Kuvendin e Demokratëve.

Tashmë, kur gjithçka është vendosur, pyetjet rreth saj kanë të bëjnë me rolin që Michelle Obama do të luajë si Zonjë e Parë. Ajo vetë ka thënë se nuk do të kërkojë ndonjë rol politik në administratën e ardhshme. Siç kishte thënë gjatë një interviste, detyra e saj themelore mbetet "Mama në krye të detyrës" për Malian 10 vjeçare dhe Sashën 7 vjeçare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG