Sipas kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, ndryshimet janë në funksion të sigurimit të së drejtës së votimit për qytetarët që përkohësisht jetojnë jashtë vendit.
“Me rëndësi është që të miratohet ligji, i cili do të përkrahej nga të gjitha partitë politike dhe i përkrahur nga BE-ja, prej nga do të dalë raporti në nëntor dhe në të cilin do të thuhet se janë marrë parasysh vërejtjet e OSBE-së dhe ODIHR-it”, tha Veljanovski.
Ndryshimet i mbështeti edhe Grupi Parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, tha se ndryshimet janë të pranueshme.
“Ajo që duhet të vazhdojë edhe pas miratimit të këtij kodi zgjedhor, i cili dakordohem se ka mangësitë e veta, nuk i kënaq të gjithë, por megjithatë është një kompromis, një konsensus që përpiqet të na çojë përpara, mbetet nevoja për të vazhduar me reformimin e shoqërisë, me vetëdijesimin e qytetarëve me atë që OSBE-ja e quan edukim të qytetarëve për procesin zgjedhor, dhe normalisht, paralelisht me këtë proces, mbetet imperativ nevoja për reformimin e partive politike dhe institucioneve të shtetit”, tha Mehmeti.
Ndërkaq, gjatë debatit kishte edhe akuza të ndërsjella mes partive shqiptare rreth amendamenteve të dorëzuara nga ana e PDSH-së, me të cilat kërkoi që të ndryshojnë kufijtë e njësive zgjedhore, me çka do te zgjidheshin më shumë deputetë shqiptarë, por këtë propozim nuk e mbështeti shumica parlamentare.
“Bëhet fjalë për ndryshimin e numrit të deputetëve shqiptarë, i cili, sipas analizave tona, me ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore, mund të rritet deri në 4. BDI u pajtua të mos ndryshojnë kufijtë e njësive zgjedhore, për interesa të cilat vetëm ato i dinë”, tha Besim Dogani, deputet i PDSH-së.
Por, kryetari i Grupit Parlamentar të BDI-së, Tahir Hani, tha se për këtë propozim duhet marrëveshje nga të gjithë faktorët politikë.
“Në debatin e hapur në takimin e koordinatorëve me kryetarin e Parlamentit, ne mbështetëm një qëndrim të tillë se duhet të intervenohet, mirëpo intervenimi në këtë nen do të duhej të ketë një mirëkuptim dhe kompromis nga të gjithë faktorët relevantë”, tha Hani.
Ndryshimet në kodin zgjedhor u bënë pas rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-it dhe pas marrëveshjes së arritur mes katër liderëve të partive politike. Sipas tyre, opozita propozon kryetarin dhe 2 anëtarë të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, ndërsa lista e votuesve nga Ministria e Drejtësisë kalon në kompetencë të Komisionit zgjedhor.