Ndërlidhjet

Lekaj: Komuna e Gjakovës përfiton nga binjakëzimi


Pamje në Gjakovë
Pamje në Gjakovë

Një delegacion i Gjakovës, në Pardobice të Çekisë, nënshkroi marrëveshjen për binjakëzim mes dy qyteteve. Kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, që kryeson delegacionin, thotë se bashkëpunimi me këtë qytet ndihmon zhvillimin ekonomik në Gjakovë.

“Ne u takuam me kryetarin e komunës dhe Këshillin e qytetit dhe kjo ishte vizitë në kuadër të bashkëpunimit të dy qyteteve dhe binjakëzimit. Ne morëm përkrahjen e duhur dhe pa rezervë nga kryetari dhe Këshilli i qytetit, që unanimisht e kanë miratuar bashkëpunimin dhe binjakëzimin”, tha Pal Lekaj, kryetari i Komunës së Gjakovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Çka përfiton Komuna e Gjakovës nga ky binjakëzim me qytetin Pardobice?

PAL LEKAJ
Ne do t’u hyjmë projekteve të përbashkëta, që do të aplikojmë në Bashkimin Evropian dhe mund të them që ne u dakorduam që të bisedojmë për prioritete dhe që implementimi i projektit në zhvillimin ekonomik do të jetë prioritet i yni dhe i Pardobicës; do të fillojë në dhjetor, kështu që do të aplikojmë në BE edhe për projekte tjera, që do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e qytetit të Gjakovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na tregoni më konkretisht lidhur me projektin për të cilin thatë se do të fillojë në dhjetor?

PAL LEKAJ
Ne mendojmë që së pari të kemi një projekt sa i përket krijimit të ambientit të shëndoshë. Kemi lumin Krena, që do të fillojë një projekt i tillë, që do të mbështetet nga Bashkimi Evropian, e sidomos një përgjegjësi do ta marrë edhe Komuna e Pardobicës.

Gjithashtu do të hyjnë edhe në ndërmarrje projekte tjera investive, që i kemi 43 ndërmarrje që presin investitorët dhe këtu do të jetë një urë lidhëse në mes Pardobicës dhe Bashkimit Evropian për investime në Gjakovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë shumë flitet për investime kapitale. A keni ju në Komunën e Gjakovës ndonjë plan për investime të tilla?

PAL LEKAJ
Po, ne kemi projekte të tilla, kemi investime kapitale që do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e qytetit, sidomos në infrastrukturë, në krijimin e një ambienti të shëndoshë. Ajo që është mjaft domethënëse tash e tutje, është zhvillimi ekonomik që do të ndikojë tek investitorët.

Unë mendoj se jemi në rrugë të mbarë, sepse kemi komunikuar me shumë investitorë, siç është një kompani mjaft e njohur “Allkur Metal”, që do të investojë në Gjakovë përafërsisht një miliard dollarë. Kjo është një nismë e mbarë dhe shpresoj që kështu do të vazhdohet që ne brenda 5-6 vjetësh të marrim formën e duhur të një zhvillimi ekonomik, që do të ndikojë dukshëm në punësimin e qytetarëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG