Ndërlidhjet

Bugajski: Turp që bota arabe s'e ka njohur Kosovën


Janusz Bugajski
Janusz Bugajski

"Është e turpshme që bota arabe, bota myslimane, s'e ka njohur Kosovën si shtet. Shpresoj që kjo do ndryshojë gjatë vitit të ardhshëm", thotë Janusz Bugajski, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare / Uashington.


RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i OKB-së në Kosovë është në procesin e rikonfigurimit, ndërsa misioni i BE-së po përgatitet të vendoset në Kosovë. Si e shihni ju gjithë këtë proces?

JANUSZ BUGAJSKI
Për fat të keq, procesi ishte shumë i ngadalshëm. Fillimisht u premtua se gjatë shtatorit çdo gjë do të jetë në vendin e vet dhe EULEX-i do ta marrë përgjegjësinë në mënyrë komplete nga UNMIK-u.

Ka pasur vonesa, por tash duket se procesi po ec. Mendoj se parashikimi i fundit është diku në fund të vjeshtës. Mendoj se sa më parë që kjo të bëhet, aq më mirë do të jetë, sepse mund të ketë kundërthënie sa i përket autoritetit apo konceptit të autoritetit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës po kërkojnë vendosjen e shpejtë të EULEX-it dhe reduktimin e UNMIK-ut. Por, Beogradi po e kundërshton misionin e BE-së dhe po kërkon që për këtë çështje të merret vendim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. A e shihni ndonjë mundësi që ky organ të pajtohet për këtë çështje?

JANUSZ BUGAJSKI
Nuk mendoj se Këshilli i Sigurimit, në këtë moment, do të pajtohej për çfarëdo çështjeje. Rusia dhe Amerika janë në konflikt lidhur me Gjeorgjinë dhe disa çështje të tjera. Rusia do ta përdorë veton në çdo vendim që e dëshirojnë Shtetet e Bashkuara dhe anasjelltas.

Pra, është krejtësisht humbje kohe që të pritet ndonjë vendim në Këshillin e Sigurimit. Ajo që duhet të ndodhë, është që Bashkimi Evropian të thotë fuqishëm se do të jetë përgjegjës për monitorimin e progresit të Kosovës dhe të institucioneve të Kosovës, sipas planit të Martti Ahtisaarit, ose së paku, vendet që e kanë njohur Kosovën, duhet të lëvizin përpara dhe ta ushtrojnë këtë mision.

Unë jam shumë optimist se kah fundi i vjeshtës dhe fillimi i dimrit, misioni do të jetë krejtësisht komplet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, disa analistë thonë se situata në veriun e Kosovës është së paku konfuze. Serbët atje ende janë kundër çdo gjëje që bëhet nga institucionet e Kosovës dhe po refuzojnë çfarëdo pjesëmarrjeje në këto institucione. Si e shpjegoni ju këtë situatë?

JANUSZ BUGAJSKI
Ekziston konfuziteti pasi ka konfuzitet se kush ka përgjegjësi: EULEX-i apo UNMIK-u? Mendoj se është absolutisht madhore për Bashkimin Evropian, që ta shpallë autoritetin e tij në veri. Mund të jetë vetëm një autoritet ndërkombëtar monitorues, e ky është Bashkimi Evropian.

Është koha që OKB-ja të largohet dhe të fillojë procesi i dorëzimit të kapaciteteve. Po ashtu, është koha për serbët dhe për Beogradin që ta kuptojnë se duhet të jetë një autoritet e jo dy.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush është ky autoritet sipas jush?

JANUSZ BUGAJSKI
Autoritet kryesor është Prishtina dhe Qeveria në Prishtinë. Janë disa fusha të këtij autoriteti, që supozohet se duhet të monitorohen sipas planit të Ahtisaarit. Me fjalë të tjera, duhet të ketë monitorues të BE-së për sistemin e drejtësisë, për strukturën e policisë dhe për disa komponente të tjera të zhvillimit të sistemit demokratik.

Kjo nënkupton se Prishtina duhet ta ketë nën kontroll gjithë territorin, derisa procesi të lëvizë përpara. Mendoj se EULEX-i duhet ta dërgojë një mision të madh në veri, që të ketë siguri se ky proces ka filluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Më herët e përmendët konfliktin në Gjeorgji. Ka shumë analiza për këtë konflikt. Disa e krahasojnë situatën atje me Kosovën. Të tjerët thonë se është një situatë krejtësisht tjetër. Çka mendoni për këtë çështje?

JANUSZ BUGAJSKI
Secila situatë është e ndryshme. Sa i përket Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, Rusia e krijoi precedentin e vet. Rusia ka intervenuar në këto territore, e ka sponsorizuar luftën, i ka sponsorizuar lëvizjet separatiste në Gjeorgji, në Moldavi dhe në Azerbajxhan. Pra, është një situatë krejtësisht tjetër.

Askush nuk e ka sponsorizuar pavarësinë e Kosovës, por populli i Kosovës e dëshiroi pavarësinë. Çështje tjetër kryesore është se Kosova po i ndërton institucionet demokratike, është shtet demokratik. Osetia Jugore dhe Abkhazia janë sisteme të vogla të paralajmëruara dhe nuk janë demokraci.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, deri tash Kosovën e kanë njohur 46 shtete. A është ky numër solid apo Kosovës i duhen më shumë njohje?

JANUSZ BUGAJSKI
Sa më shumë, aq më mirë. Mendoj se kjo është vala e parë e njohjes dhe pres edhe një valë tjetër rajonale dhe ndërkombëtare. Mendoj se mund të ndodhë që t'i mbetet administratës së ardhshme amerikane, që ta shtyjë këtë çështje.

Mendoj se invadimi rus në Gjeorgji është thirrje për t'u zgjuar për Evropën që të bashkohet dhe të gjitha shtetet ta njohin vendin brenda Evropës, që është i pavarur dhe të lëvizin përpara në procesin e zgjerimit.

Po ashtu, mendoj se është e turpshme që bota arabe, bota myslimane, nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Shpresoj se kjo do të ndryshojë gjatë vitit të ardhshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG