RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pierce, javën e kaluar patët një debat të nxehtë në Këshillin e Sigurimit lidhur me raportin e OKB-së mbi ngjarjet e marsit në veri të Mitrovicës. A mund t’i përmblidhni pikat e raportit me të cilat nuk jeni dakord?
KAREN PIERCE
Nuk do të bëj publike shumëçka rreth këtij raporti, pasi kemi rënë dakord në Këshillin e Sigurimit që kjo do të jetë një temë ku mosmarrëveshjet tona do të mbeten brenda KS-së.
Megjithatë, janë një numër problemesh në këtë raport për të cilat mund të flas hapur.
Së pari, raporti nuk jep kontestin e duhur të vështirësive në kuadër të ekstremizmit në Ballkan dhe mënyrës se si bashkësia ndërkombëtare ka vepruar. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të fuqishme, që nuk është qasja klasike për paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.
Së dyti, raporti nuk jep si duhet ngjarjet që ndodhën në Mitrovicë. Raporti krijon përshtypjen se kishim të bënim me një protestë paqësore dhe një reagim të tepruar nga UNMIK-u.
Protestuesit nuk ishin njerëz që kërkonin të ktheheshin në vendet e punës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por kërkonin kthimin e status quo-s që ishte para miratimit të Rezolutës 1244 në vitin 1999.
Demonstrata ishte vetëm një pjesë e veprimeve të ekstremistëve të linjës së ashpër qe kemi parë në Mitrovicë. Ata kërkojnë ta kthejnë orën para qershorit të '99-ës. Për këtë arsye mendojmë se protesta meritonte një përgjigje të fuqishme.
Së treti, dhuna e ekstremistëve ishte e paramenduar; ata ishin të armatosur, kishin granata dhe koktejle shpërthyese molotovi. Këto nuk janë gjëra që gjenden rëndom në sallat e gjyqit. Këto materiale janë sjellë qëllimshëm për të sulmuar forcat ndërkombëtare.
Tani, e rëndësishme është që OKB-ja të sjellë para drejtësisë autorët e dhunës. Jemi shumë të zhgënjyer se shumë pak është bërë për të identifikuar autorët e dhunës dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.
Së fundi, dua të vlerësoj shefin e UNMIK-ut dhe zëvendësin e tij për masat e marra në kushte shumë të vështira, si rruga më e mirë për rikthimin e paqes në Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët drejtuesit e UNMIK-ut në atë kohë. A do të merren masa kundër tyre, siç ka kërkuar Rusia? A ka filluar ndonjë procedurë kundër tyre dhe cili do të jetë fati i mëtejshëm i raportit?
KAREN PIERCE
Nuk jam në dijeni se po merret ndonjë masë disiplinore kundër Larry Rossinit dhe Joachim Rueckerit. Është e saktë se Rusia ka kërkuar nga OKB-ja ta shohë këtë çështje. Kjo mbetet në duart e Sekretarit të Përgjithshëm.
Sa i përket raportit, me aq sa di, konkluzionet janë për përdorim të brendshëm në Kombet e Bashkuara.
RADIO EVROPA E LIRË
Mosmarrëveshjet e fundit rreth zhvillimeve në Mitrovicë janë një barrë më shumë në sqarimin e rolit të OKB-së në Kosovë, në kushtet kur edhe rikonfigurimi i UNMIK-ut është në një lloj vendnumërimi. Si e shikon Britania ecurinë e procesit të rikonfigurimit të UNMIK-ut?
KAREN PIERCE
Nuk është e saktë të thuhet se rikonfigurimi i UNMIK-ut nuk po ecën. Aktualisht UNMIK-u po zvogëlohet, kurse BE-ja dhe misioni i saj EULEX po vendoset në terren.
Misioni i BE-së është i pari i këtij lloji, ku në operacionet paqeruajtëse ka një mision të njehsuar të policisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit. EULEX-i ka shumë për të sjellë, si në konceptin e përgjithshëm të misioneve paqeruajtëse, ashtu dhe në kontekstin e Kosovës.
BE-ja dhe OKB-ja po punojnë në sqarimin e detajeve. EULEX-i natyrisht do funksionojë në kontekstin e Rezolutës 1244 dhe do jetë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.
Ne presim që OKB-ja dhe BE-ja shpejt të bëjnë të qarta detajet se si do të funksionojnë konkretisht në terren.
RADIO EVROPA E LIRË
Një numër njohësish të Kosovës dhe Ballkanit kërkojnë rifillimin e përpjekjeve për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, që do t'i mundësonte funksionim më të mirë shtetit të ri. A jeni në dijeni për ndonjë nismë të tillë, a është në agjendën tuaj?
KAREN PIERCE
Nuk jam në dijeni të ndonjë kërkese si kjo që përmendët. Kjo është diçka e re. Rusia padyshim do të donte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit.
Serbia ka kërkuar që EULEX-i të fillojë aktivitetin bazuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Nuk kam informacione se dikush tjetër ka kërkuar diçka të tillë.
RADIO EVROPA E LIRË
Serbia ka thënë se do kërkojë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shtator që ta dërgojë për shqyrtim ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Cilat janë gjasat që kjo lloj nisme të jetë e suksesshme?
KAREN PIERCE
Është e vështirë të thuhet nëse do jetë e suksesshme apo jo. Asambleja e Përgjithshme, në të shkuarën, ka kërkuar mendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për një numër çështjesh, të cilat më pas i ka diskutuar dhe vlerësuar rast pas rasti.
Si një mbështetëse e fuqishme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, më duhet të them se është për të ardhur keq se Serbia asnjëherë nuk është shfaqur si mbështetëse e kësaj gjykate. Tani Serbia duket se ka ndryshuar qëndrimin, duke u bërë mbështetëse e Gjykatës.
Më duket se qasja serbe i ngjan çuarjes në gjyq të të fejuarit. Edhe Serbia duket se po bën të njëjtën gjë; kërkon nga Gjykata Penale Ndërkombëtare të japë mendim mbi vendimin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së, të cilat e kanë njohur Kosovën dhe nga ana tjetër kërkon të bëhet pjesë e BE-së.
Ne të gjithë kemi si qëllim futjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por nuk jam e sigurt se kjo është rruga e duhur për Serbinë që të anëtarësohet.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, sipas jush, cila është atmosfera në mesin e vendeve anëtare për një nismë si kjo e Serbisë?
KAREN PIERCE
Ideja nuk është diskutuar ende në Kombet e Bashkuara. Qeveria serbe nuk e ka dërguar kërkesën zyrtarisht në Kombet e Bashkuara.
RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, çfarë rëndësie ka prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovën e pas 17 Shkurtit?
KAREN PIERCE
OKB-ja po bën një punë të mirë në Kosovë, por në fund të fundit prania e Kombeve të Bashkuara po zvogëlohet dhe po rritet prania e BE-së.
Kosova, si pjesa tjetër e Ballkanit, e ka të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike. Kjo është e vërtetë dhe për Serbinë.
Serbia dhe Kosova, në një moment të caktuar, duhet të normalizojnë marrëdhëniet me njëra-tjetrën dhe ta trajtojnë njëra-tjetrën si fqinjë të mirë, nëse duan të jenë anëtarë të BE-së.
OKB-ja vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë dhe po punon me BE-në, e cila po vendoset në Kosovë bazuar në Rezolutën 1244, që do të thotë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.