Ndërlidhjet

Nacionalistët "krijojnë" pushtetin lokal në veri të Mitrovicës


Pamje nga tubimi parazgjedhor i Partisë Radikale në Mitrovicë
Pamje nga tubimi parazgjedhor i Partisë Radikale në Mitrovicë

Përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë në Kosovë dhe ata të Partisë Demokratike të Serbisë kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë lokale në veri të Mitrovicës. UNMIK-u thotë se nuk do ta njohë.


Përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë në Kosovë dhe ata të Partisë Demokratike të Serbisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri në largim, Vojisllav Koshtunica, kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë lokale në pjesën veriore të Mitrovicës.

Marrëveshjen e ka konfirmuar përfaqësuesi për Kosovën i Partisë Demokratike të Serbisë, Zoran Saviq, i cili vetëm ka shpjeguar ndarjen e resorëve midis dy partive në koalicion.

"Kryetari i ardhshëm i Komunës së Mitrovicës do të jetë nga radhët e Partisë Radikale, kryetari i Kuvendit Komunal do të jetë nga radhët e Partisë Demokratike të Serbisë", thotë Saviq.

Sipas strukturës organizative në Serbi, posti i kryetarit të komunës dhe ai i kuvendit komunal, janë dy funksione të ndryshme. Saviq ka njoftuar gjithashtu se partitë në koalicion tashmë kanë miratuar edhe parimet e tyre kryesore të funksionimit.

"Ato kanë të bëjnë me rregullimin e qytetit, zgjerimin e tij, para së gjithash në drejtim të lumit Ibër dhe me mundësitë për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar", thotë Saviq.

Sipas tij, bashkëpunimi do të jetë i mundshëm me UNMIK-un dhe KFOR-in, kurse ai me misionin evropian EULEX do të jetë i pamundshëm.

Kjo marrëveshje e publikuar sot, ka dalë si rezultat nga zgjedhjet lokale që Serbia i ka organizuar edhe në Kosovë, më 11 maj.

Që prej fillimit, ato janë cilësuar nga autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore në Kosovë si të paligjshme dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Russell Geekie, nga administrata ndërkombëtare, rikujton se qëndrimi i deritashëm nuk ka ndryshuar, këto zgjedhje kanë qenë të paligjshme dhe rezultatet që kanë dalë prej tyre nuk kanë asnjë ndikim ligjor.

Por, cilat janë opsionet që kjo administratë është duke shqyrtuar në lidhje me komunat e banuara me serbë?

Deri më tash, komunat e banuara me shumicë serbe, pesë prej tyre, janë udhëhequr nga njerëzit, të cilët shefi i administratës ndërkombëtare i ka emëruar me një vendim ekzekutiv, për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë nga ana e komunitetit serb.

Afati i këtyre emërimeve skadon më 18 qershor dhe një prej opsioneve që është përmendur deri më tash nga UNMIK-u është edhe zgjatja e mandatit të këtyre emërimeve.

"Ne jemi duke zhvilluar bisedime me të gjitha palët, por nuk mund të them se cilat janë opsionet specifike. Para mbajtjes së këtyre zgjedhjeve të paligjshme, shefi i UNMIK-ut pati ofruar një zgjidhje, që ishte për të punuar bashkërisht me autoritetet serbe në organizimin e zgjedhjeve, por nën autoritetin legjitim, UNMIK-un", tha zoti Geekie.

"Cilëndo qeveri paralele, që ka rezultuar nga këto zgjedhjet të paligjshme, nuk kemi asnjë arsye ta njohim", tha në fund zëdhënësi i administratës ndërkombëtare, Russell Geekie.

Vetë komuniteti serb, ndërkaq, që prej fillimit ka qenë i ndarë mbi këtë çështje.

Në mesin e atyre që kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, ka qenë Rada Trajkoviq, e cila thotë se ka insistuar në krijimin e strukturave me bekimin e UNMIK-ut.

"Konstituimi i këtyre komunave dhe këshillave, për fat të keq, nuk do të ketë perspektivë, përderisa nuk arrihet një marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar", thotë zonja Trajkoviq, duke shfaqur shpresën se forcat demokratike në Serbi do të mund të formojnë qeverinë dhe pastaj nëpërmjet asaj qeverie të gjenden edhe përgjigjet në nevojat e komunitetit serb në Kosovë.

Edhe autoritetet vendore kanë qenë të zëshme në kundërshtimet e tyre mbi këto zgjedhje dhe rezultatet e tyre, duke kërkuar zhbërjen e menjëhershme të strukturave paralele.

Vëzhguesit, ndërkaq, pohojnë se krijimi i institucioneve komunale të Serbisë në Kosovë, me gjithë faktin se do të jenë të paligjshme, do të mund të vështirësojnë funksionimin e shtetit të Kosovës si një tërësi territoriale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG