Ndërlidhjet

Serbët për dhe kundër zgjedhjeve lokale në Kosovë


Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës janë të ndarë mes vete në çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në hapësirat e banuara me serbë në Kosovë. Disa thonë se zgjedhjet duhet të mbahen, kurse të tjerët tërheqin vërejtjen për mungesë legjitimiteti.


Nebojsha Joviq, nga Këshilli Kombëtar Serb, e pranon se do të ishte e dëshirueshme që zgjedhjet lokale të Serbisë, të parapara për 11 maj, të njihen nga administrata e Kombeve të Bashkuara dhe që në këtë mënyrë ato të kenë legjitimitet. Megjithatë, Joviq thotë se UNMIK-u ka hequr dorë nga përgjegjësitë që ka pasur dhe i ka transferuar ato tek institucionet vendore, të cilat ndërkohë janë shndërruar në institucione të një, siç thotë Joviq, shteti jolegjitim.

"Pra, kemi UNMIK-un, i cili nuk mund të shpallë më zgjedhjet, sepse ka hequr dorë nga kjo e drejtë, dhe e kemi palën shqiptare e cila nuk mund të shpallë zgjedhjet në hapësirat e banuara me serbë", thotë Joviq. Prandaj, shton ai, i vetmi autoritet legjitim për ta bërë një gjë të këtillë është Serbia. Në këtë mënyrë, thotë Joviq, edhe komuniteti ndërkombëtar do ta kishte më lehtë të merret me përfaqësues legjitimë të komunitetit serb.

Këto zgjedhje, administrata e Kombeve të Bashkuara, e mbështetur nga Grupi i Kontakti dhe Bashkimi Evropian, I konsideron sit ë paligjshme dhe shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Joviq ndërkaq ka interpretimin e vet mbi këtë çështje.

"Në Rezolutën 1244 nuk ka fare hapësirë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe pikërisht këtu është shkelur kjo rezolutë. Dhe në momentin kur vetëm një palë, ajo shqiptare, njihet si me të drejtë për organizimin e zgjedhjeve, atëherë ne duhet të kthehemi në gjendjen e mëparshme legjitime, që do të thotë se Serbia ka të drejtë për organizimin e këtyre zgjedhjeve", thotë Joviq.

Oliver Ivanoviq nga Lista Serbe për Kosovën e pranon gjithashtu se ekziston një domosdoshmëri e madhe që serbët të kenë liderë të zgjedhur dhe jo vetëm të emëruar, por shansin për një gjë të këtillë, serbët e kanë lëshuar me mospjesëmarrjen e tyre gjatë zgjedhjeve të 2007-ës në Kosovë.

"Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë që në fillim do të jenë kundërthënëse, sepse në aspektin teknik nuk janë të përgatitura si duhet, kurse rejistrat zgjedhorë për serbët e Kosovës janë të vitit 1996", thotë Ivanoviq. Mbi të gjitha, problemi më i madh, sipas tij, do të jetë kredibiliteti i këtyre zgjedhjeve.

"Kur të mblidhen të gjitha këto, mendoj se zgjedhjet do të shërbejnë, ashtu siç kanë shërbyer gjithëherë deri më tash, për promovime të disa partive politike, të cilat e mbajnë nën ekskluzivitet çështjen e Kosovës", thotë Ivanoviq.

Zgjidhja, sipas tij, është tek UNMIK-u, i cili duhet të ketë plan të qartë se kur do të mbahen zgjedhjet lokale në ato komuna që ekzistojnë dhe ato që do të formohen sipas planit të Martti Ahtisaarit.

"Ne në përgjithësi do ta hedhim poshtë planin e Ahtisaarit, por nuk do të ishte keq të të shfrytëzojmë atë që quhet si dobi e drejtëpërdrejtë, e që është krjimi I komunave të reja me shumicë serbe", thotë Oliver Ivanoviq.

Sidoqoftë, Beogradi zyrtar tashmë ka marrë qëndrim se do t'i mbajë zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë, me ose pa bekimin e Kombeve të Bashkuara. Këto të fundit ndërkaq, së bashku me institucionet vendore në Prishtinë, kanë theksuar se në disponim kanë vetëm mjete ligjore për të parandaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, të cilat shihen edhe si tendencë për ndarjen territoriale të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG