Ndërlidhjet

Serwer: BE-ja e përkushtuar për vendosjen e misionit


Daniel Serwer
Daniel Serwer

"Bashkimi Evropian ka arritur unitet për vendosjen e misionit të tij në Kosovë. Rusia dhe Serbia mund të bëjnë probleme, por ato nuk mund ta parandalojnë vendosjen", thotë, pos tjerash, Daniel Serwer, nga Instituti për Paqe i SHBA-ve, me seli në Uashington.



RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tash është shtet i pavarur, i njohur nga Shtetet e Bashkuara, pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga vendet e tjera. Si i komentoni këto zhvillime?

DANIEL SERWER
Mendoj se gjërat kanë ecur mirë, Kosova është e qetë, që është shumë me rëndësi.

Ka pasur disa njohje. Nuk mendoj se ato janë të mjaftueshme dhe se janë bërë me shpejtësi të mjaftueshme. Do të doja të shoh që procesi është përshpejtuar, por ndonjëherë gjërat zgjasin më tepër.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, pamë ndarje të thella ndërmjet shteteve perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, në njërën anë dhe nga Rusia në anën tjetër, që fuqishëm e mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Sipas jush, a mund të ndikojë kjo në misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë?

DANIEL SERWER

Nuk mendoj se do të ndikojë. Mendoj se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për ta vendosur misionin e vet dhe ka arritur unitet për këtë çështje.

Rusia e Serbia mund të bëjnë probleme, por ato nuk mund ta parandalojnë vendosjen.

Problemi real është në veri, ku Prishtina nuk po mundet ta imponojë autoritetin e saj, por autoritetin po e imponojnë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Prandaj, derisa kjo të bëhet, de-facto do të shohim ndarje.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, komuniteti ndërkombëtar po thotë se ndarja nuk është në tryezë...

DANIEL SERWER

Po, kjo është e drejtë. Është thënë se nuk është në tryezë, por ndonjëherë gjërat ndodhin nën tryezë.

De-facto, ekziston ndarja dhe kjo duhet të kthehet tash. Kjo do të jetë shumë e vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt, si i përshkruani ju raportet ndërmjet misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian?

DANIEL SERWER
Mënyra se si unë e shohë këtë çështje është se Kombet e Bashkuara po largohen, ndërsa Bashkimi Evropian po arrin. Ndoshta kjo nuk është krejtësisht e sigurt, pasi Kombet e Bashkuara mund të jenë atje më gjatë, ndërsa Bashkimi Evropian për një kohë të gjatë është atje.

Pra, jo vetëm që misioni i BE-së po arrin, por ai por rritet. Kjo do të thotë se është krejtësisht e qartë se në Kosovë do të ekzistojë një prani ndërkombëtare për mbikëqyrje dhe Bashkimi Evropian do ta marrë këtë detyrë.

Nëse Kombet e Bashkuara, megjithatë, mbesin pak më gjatë, kjo nuk është edhe aq e rëndësishme. Gjë e rëndësishme për kosovarët është që të kuptojnë se ekziston sovranitet i kufizuar, por më duhet të them se shumë vende kanë pasur sovranitet të kufizuar. Ndoshta mund të them se këto ditë të gjitha vendet kanë sovranitet të kufizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme në Serbi, “New York Times” ka shkruar se Serbia ka rast për ta bërë zgjedhjen e saj historike – për një të ardhme më të mirë si pjesë e Bashkimit Evropian ose për izolim, stagnim dhe rënie. Si e komentoni ju këtë dilemë, me të cilën ballafaqohen votuesit në Serbi?

DANIEL SERWER
“New York Times” ka të drejtë. Ata duhet të zgjedhin. Të shohim se çka do të ndodhë.

Unë nuk mund të parashikoj, por mendoj se do të jetë referendum për të ecur përpara ose përpjekje për t’u kthyer prapa.

RADIO EVROPA E LIRË

Sipas jush, a ka ndonjë ndikim të këtyre zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë? Po e shtroj këtë pyetje pasi disa thonë se Serbia do të përpiqet t'i organizojë zgjedhjet po ashtu edhe në Kosovë, gjë që mund t'i provokojë institucionet e Kosovës.

DANIEL SERWER
Më duhet të kthehem te plani i Ahtisaarit, por besoj se serbët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e Serbisë. Nuk shoh asnjë problem për këtë çështje. Nuk kam problem me njerëzit që duan të votojnë, kudo që ata jetojnë. Nuk mendoj se dikush duhet të ndjehet i provokuar nga kjo.

Është fakt se serbët e Kosovës, në shumë mënyra, janë më të moderuar e më të kujdesshëm sesa serbët në Beograd - bile së paku janë disa. Prandaj, mendoj se nëse shqiptarët janë të mençur, ata do të bëjnë çdo gjë të mundshme për t'i bindur serbët e Kosovës për të marrë pjesë në institucionet e reja. Por, njëherësh, nuk do të duhej të pengonte e dhëna nëse ata angazhohen edhe në institucionet e Serbisë, pasi do të paraqisnin forcë të moderuar.

Nëse në këto zgjedhje fitojnë demokratët dhe grupi G-17, atëherë mund të imagjinoj se Serbia më nuk do t'i paguajë kreditë që i atribuohen Kosovës. Sa e di unë, institucionet e Kosovës janë të gatshme t'i paguajnë këto borxhe, nëse Beogradi e njeh Kosovën. Mendoj se kjo do të ishte një gjë shumë e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po mendoni në kufijtë e tashëm të njohur?

DANIEL SERWER
Ta njohin si shtet sovran. Beogradi sot paguan 150 milionë dollarë në vit për borxhe që i atribuohen Kosovës. Me qëllim që të ndalet pagesa e këtij borxhi, duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Shpresoj se kjo do të ndodhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG