Ndërlidhjet

Bradtke: Serbia ta harrojë Kosovën, t’i kthehet së ardhmes


Ambasadori i SHBA-ve në Zagreb, Robert Bradtke, në bisedë me korrespondentin e Radios Evropa e Lirë
Ambasadori i SHBA-ve në Zagreb, Robert Bradtke, në bisedë me korrespondentin e Radios Evropa e Lirë

“Pavarësia e Kosovës mund t’i krijojë themelet për ardhmëri stabile të Evropës Juglindore dhe anëtarësim të këtyre vendeve në BE dhe në NATO”, thotë ambasadori i SHBA-ve në Kroaci, Robert A. Bradtke.


RADIO EVROPA E LIRË
Kemi parë dhunë në rrugët e Beogradit dhe Banja Llukës, por edhe në kufirin Kosovë – Serbi. Si e shihni zhvillimin e mëtejmë të situatës?

ROBERT A. BRADTKE
Fillimisht më duhet të them se nuk jemi duke u kthyer në vitet e 90-ta, jo në formën e konfliktit që e kishim në atë kohë.

Dëshiroj të besoj se situata po përmirësohet dhe se fakti që Kosova është e pavarur, do të pranohet si realitet.

Kjo nuk ka alternativë, nuk ka kthim prapa – Kosova nuk do të jetë pjesë e Serbisë dhe do të jetë mirë që autoritetet dhe qytetarët e Serbisë ta miratojnë këtë dhe sa më parë t'i kthehen ardhmërisë së tyre, që ne shpresojmë të jetë në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Me pavarësimin e Kosovës ka marrë fund procesi i dezintegrimit të Jugosllavisë. Si do të reflektohet kjo në stabilitetin e rajonit?

ROBERT A. BRADTKE
Pajtohem me vlerësimin e juaj se ky ishte akti i fundit i kolapsit të Jugosllavisë.

Mendoj se pavarësia e Kosovës mund t’i krijojë themelet për ardhmëri stabile të Evropës Juglindore dhe anëtarësim të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ardhmëria nuk është te kthimi në të kaluarën dhe në izolim, por në pranimin e faktit se Kosova është e pavarur dhe të ecjes përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se pas pavarësimit të Kosovës do të dobësohet prania e Shteteve të Bashkuara në rajon. A është kjo e vërtetë?

ROBERT A. BRADTKE
Kjo nuk është e vërtetë. Kemi investuar shumë mjete dhe angazhim njerëzor për të krijuar një të ardhme më të mirë për Evropën Juglindore. Nuk do të largohemi tash kur është kryer vetëm gjysma e punës.

E di gjithashtu se Kosovës do t'i duhet një kohë për t’i shfrytëzuar potencialet ekzistuese, sepse, siç e dini, ka qenë një nga pjesët më të pazhvilluara të ish-Jugosllavisë.

Kosova kaloi nëpër një konflikt të rëndë dhe pastaj 9 vjet i kaloi në pozitën e status – qou-s.

Nivelin e dëshiruar të zhvillimit politik dhe ekonomik nuk do të mund ta jetësojë brenda natës.

Do të duhet një periudhë më e gjatë dhe kjo kërkon që NATO-ja atje të mbetet. Do të duhet kohë, por jemi të vendosur që të mbetemi këtu të angazhuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia është duke u kthyer në rajon përmes mbështetjes së Serbisë në rastin e Kosovës dhe me blerjen e industrisë së naftës. A do të ndalet Rusia vetëm në energjetikë?

ROBERT A. BRADTKE
Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira me Rusinë në këtë rajon. Kemi bashkëpunuar edhe më herët dhe Rusia është anëtare e Grupit të Kontaktit.

Ne kemi kërkuar rrugë për përfshirjen e tyre dhe dëshirojmë që ata të jenë forcë konstruktive në këtë pjesë të Evropës.

Kemi bashkëpunuar me ta rreth Kosovës në Grupin e Kontaktit dhe në Këshillin e Sigurimit. Por, thënë sinqerisht, jemi të dëshpëruar që tash Rusia duket se nxit Serbinë në bindjen se mund ta kthejë Kosovën.

Retorika e disa zyrtarëve rusë nuk është e orientuar në drejtim të qetësimit të situatës. Pra, ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me Rusinë në këtë rajon, por ekziston brengosje e caktuar për shkak të zhvillimeve që i kemi parë javëve të fundit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG