Ndërlidhjet

Dioguardi: SHBA-të nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës


Joseph Dioguardi
Joseph Dioguardi

"Liderët e Kosovës duhet të sigurojnë se të gjitha paratë që do të dedikohen për zhvillimin e Kosovës, nuk do të shkojnë në duart e njerëzve të korruptuar, por do të inevstohen në ekonomi", thotë Joseph Dioguardi.


Joseph DIOGUARDI, president i Lidhjes Civile Shqiptaro - Amerikane dhe ish anëtar i Kongresit të SHBA-ve

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tash është shtet i pavarur. Për një kohë të gjatë, ju keni qenë i përfshirë në procesin e Kosovës. Ju thatë se "pavarësia është hapi final në shpërbërjen e ish – Jugosllavisë". Si e shpjegoni këtë?

JOSEPH DIOGUARDI
Duhet kuptuar se Kosova ka qenë e barabartë me Serbinë në ish-federatën e Jugosllavisë.

Serbia thotë se Kosova ka qenë pjesë e saj, por kjo nuk qëndron, sepse, sipas Kushtetutës së vitit 1974, Kosova ka qenë pjesë e pavarur dhe e barabartë e ish-Jugosllavisë.

Kosova ka mbajtur në vitin 1990 referendumin dhe ka aplikuar për pavarësi sikurse Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia, por atëbotë ishte refuzuar.

Pas luftërave të filluara nga Millosheviqi në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, unë këtë e konsideroj si hapin e fundit në dezintegrimin e ish-Jugosllavisë. Kështu është dashur të përfundojë, sepse populli shqiptar kurrë nuk pasur të drejta në atë shtet.

Pas vdekjes së Titos dhe demonstratave të vitit 1981 të shqiptarëve, Serbia tentoi të vë dominimin në Kosovë dhe në një nga dëshmitë në Kongres, si kongresmen amerikan, kam deklaruar se madje edhe para daljes së Millosheviqit në skenë, në periudhën 1981 – 1989, rreth 600 mijë kosovarë kanë kaluar nëpër procese policore dhe burgje, ka pasur studentë të vrarë dhe persekutime nga më të ndryshmet.

Njerëzit duhet t'i dinë këto gjëra. Disa mendojnë se të gjitha këto kanë filluar me Millosheviqin. Jo, shqiptarët nuk kanë qenë të trajtuar si qytetarë të barabartë edhe para ardhjes së Millosheviqit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ende kemi kundërshtime të fuqishme ndaj pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe nga mbështetësi i saj kryesor, Rusia. Nisur nga këto kundërshtime, është sulmuar edhe Ambasada amerikane në Beograd. Çfarë aktesh tjera mund të priten nga Serbia dhe ndoshta Rusia gjatë periudhës së ardhshme?

JOSEPH DIOGUARDI
Është e turpshme që Serbia nuk ka bërë atë që ka qenë e obliguar ta bëjë për t’i ndalur këto demonstrata të dhunshme.

Retorika e disa zyrtarëve dhe fakti që policia nuk ishte e gatshme të mbronte Ambasadën amerikane, tregon se Serbia duhet të bëjë rrugë të gjatë për ta bërë veten vend me pushtetin e ligjit.

Sulmi dhe djegia e Ambasadës amerikane është shenjë e keqe. Gjithnjë them se populli serb është popull i mirë, por shumë prej politikanëve të tyre janë ultra-nacionalistë, që në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe (në Serbi ata janë të bashkuar), janë duke nxitur njerëzit që të bëjnë gjëra të tilla.

Kjo nuk do t'i ndihmojë Serbisë, sepse Serbia është në Evropë dhe jo në Rusi. Ata duhet ta kuptojnë se duhet të integrohen në Evropë.

Rusia, besoj është duke bërë gjë të keqe, sepse është duke e shfrytëzuar Kosovën për qëllime të veta. Ne e dimë se Rusia është e zemëruar me presidentin Bush, sepse zoti Bush është duke e afruar NATO-n te kufijtë e ish-Bashkimit Sovjetik.

Rusia gjithashtu është e zemëruar me mburojën raketore, që ne besojmë se do të mbrojë mbase edhe vetë Rusinë nga vendet siç është Irani, që disponojnë ose mund të disponojnë armë bërthamore.

Rrjedhimisht, zoti Putin dhe zoti Medvedev janë duke tentuar ta shfrytëzojnë Serbinë për ta kthyer prapa Amerikën. Kjo është e gabuar. Ka mbetur shumë për t'u bërë për integrimin e Evropës.

Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj ekonomike është me Evropën dhe jo Rusinë. Askush nuk kërkon nga ata që të mos bashkëpunojnë me Rusinë, por jo të destabilizojnë Ballkanin, sepse hiç më larg se dje, zoti Kejsi nga Departamenti i Shtetit e tha se Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Ky është pozicioni i Shteteve të Bashkuara, pavarësisht çfarë thonë Serbia dhe Rusia.

Me përjashtim të Rusisë dhe Kinës, Kosova tash është shtet i pavarur, i njohur nga fuqitë më të mëdha të botës dhe kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë.

Serbia tentoi t’i asgjësojë kosovarët. Na kujtohet që në vitin 1999, një milionë njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga zoti Millosheviq dhe këtë e panë të gjithë.

Populli hebreit në gjithë botën pa dëbimin e shqiptarëve me trena, pikërisht ashtu siç ishin dëbuar hebreitët nga Hitleri. Ata e dinë se kishim të bënim me gjenocid dhe pastrim etnik.

RADIO EVROPA E LIRË
Me gjithë njohjen nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, disa shtete të këtij blloku ngurrojnë të njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Si e shihni ju këtë hezitim?

JOSEPH DIOGUARDI
Në politikë ka interesa të ndryshme. Disa vende, siç është Spanja, e shohin pavarësinë e Kosovës si problem të tyre të brendshëm, për shkak të baskëve.

Kemi hungarezët në Vojvodinë dhe Rumani dhe kjo e shqetëson Bukureshtin.

Kemi Qipron e ndarë në pjesën greke dhe turke, por keni edhe Kishën Ortodokse në Serbi, Rusi dhe Greqi që punojnë së bashku...

Ka pasur edhe të tjerë që kanë hezituar, por ne (Lidhja Civile Shqiptaro – Amerikane) kemi punuar me të gjithë republikanët dhe demokratët këtu në Shtetet e Bashkuara, për t'i bindur se kemi të bëjmë me një çështje të drejtë.

Është dashur t'i hedhim poshtë pohimet e Serbisë për fundamentalizmin islamik të kosovarëve, pohimet për trafikantë të drogës e të ngjashme.

Por, në dëshmitë në Kongres, unë dhe bashkëshortja ime, Shirli, e thamë qartë se në Ballkan dhe ndoshta në Evropë, populli më tolerant janë pikërisht shqiptarët. Ata (shqiptarët) janë popull me katër religjione – janë ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe madje edhe hebreitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë prioritetet për institucionet e Kosovës tash, pas Deklaratës së Pavarësisë dhe njohjes nga vendet kryesore perëndimore?

JOSEPH DIOGUARDI
Kosova tash ka një prioritet dhe kjo është ekonomia. Siguria do të garantohet nga NATO-ja. Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë asnjë copëtim të Kosovës.

Uashingtoni do të mbështesë planin e Ahtisaarit, që ofron mbrojtje për serbët. Por, copëtimi nuk është opsion që do të kalojë, sepse nëse ndryshoni një kufi, atëherë keni kufij tjerë që do të duhej diskutuar.

Një gjë të tillë nuk e dëshiron askush në Evropë dhe as në Shtetet e Bashkuara.

Kosova nuk duhet të brengoset për sigurinë. Atje janë trupat e Shteteve të Bashkuara, trupat e NATO-s që janë duke vëzhguar. Por, duhet brengosur shumë për ekonominë.

Kemi 500 mijë të rinj kosovarë, shumë prej tyre të shkolluar, që flasin anglisht. Duhet të ndërtojmë ekonomi që do të bëhet model për Ballkanin.

Shqiptarëve duhet dhënë rastin, jo për t'u bashkuar në një shtet, por në planin ekonomik. Por, liderët e Kosovës tash duhet ta kuptojnë se duhet ta luftojnë korrupsionin, sepse nëse korrupsioni atje do të ketë përmasat e Shqipërisë që kishte për shumë vite, ne do të shohim shumë probleme me Shtetet e Bashkuara dhe donatorët tjerë nga Evropa.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë ngritur ndihmën për Kosovën në 350 milionë dollarë dhe ne aktualisht jemi të angazhuar që Konferenca e donatorëve të sigurojë shumë para, për të siguruar fillimin e procesit.

Por, Kosova duhet t’i sigurojë të gjithë se paratë nuk do të keqpërdoren, se nuk do të shkojnë në duart e njerëzve të korruptuar dhe se ato para do të investohen në ekonomi për t'u mundësuar shqiptarëve që të punojnë.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG