Teksa luftimet po vazhdojnë në rajonin e Donjeckut, në Ukrainë, forcat ruse përreth qytetit të Bahmutit thuhet të jenë të dërrmuara. Trupat ukrainase po mbështeten në operacionet e tyre të vëzhgimit ajror, për të gjurmuar lëvizjet e armikut.
Ukraina po përgatitet për një ofensivë eventuale të re të shkallës së gjerë nga forcat ruse, në fillim të vitit që po vjen. Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa në Bjellorusinë fqinje, një vend që Moska e ka përdorur si platformë për ta sulmuar Ukrainën.
Qindra mijëra burra rusë raportohet të kenë ikur nga vendi, prej kur Moska urdhëroi një mobilizim “të pjesshëm” ushtarak, në shtator. Shumë prej tyre kanë lënë prapa familjet dhe më të dashurit.
Forcat ukrainase sapo kanë çliruar qytezën Makijivka, në rajonin e Luhanskut, por ajo mbetet në vijën e frontit të luftimeve përballë trupave ruse. Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë udhëtuar bashkë me vullnetarë për të ndihmuar në evakuimin e njerëzve që kanë qëndruar atje gjatë okupimit rus.